Paralelisht me infrastrukturën, Bashkia e Tiranës, përmes planit urbanistik, i dha mundësi zhvillimi kësaj zone dhe pronave të këtyre banorëve, të cilat ishin ngrirë në mënyrë abuzive, siç shprehen vetë banorët
Nisin punimet në Rrugën e Dibrës në kryeqytet. Me një fond prej 98 milionë lekësh, ky aks i rëndësishëm në Tiranë do t’i nënshtrohet rikonstruksionit të plotë, duke i dhënë zonës një pamje bashkëkohore. Sipas kryebashkiakut Lulzim Basha, kjo arterie i paraprin edhe projektit të rëndësishëm që lidhet me transportin, atij të tramvajit. “Rruga e Dibrës është një arterie e vjetër dhe e rëndësishme e qytetit tonë, por për pjesën nga ish-farmacia 10 deri në qendër është e vjetër edhe në kuptimin e cilësisë së infrastrukturës dhe impaktit që ka në jetën e qytetarëve të kësaj zone. Projekti parashikon ndërtimin e sistemit të kanalizimeve, vendosjen e 112 copë ndriçuesve rrugorë, mbjelljen e 350 fidanëve të llojit bli, vende parkimi për automjete etj.”, – u shpreh Basha.
Punimet
“Rruga e Dibrës është një arterie e vjetër dhe e rëndësishme e qytetit tonë, por për pjesën nga ish-farmacia 10 deri në qendër është e vjetër edhe në kuptimin e cilësisë së infrastrukturës dhe impaktit që ka në jetën e qytetarëve të kësaj zone. Kjo është arsyeja që Bashkia e Tiranës përgatiti këtë projekt i cili parashikon rehabilitimin e plotë të këtij segmenti të Rrugës së Dibrës, me një gjatësi prej afro 1.5 km. Rehabilitimi do të prekë të gjitha shtresat nëntokësore, ku është e nevojshme do të prekë edhe rehabilitimet e rrjetit të kanalizimeve të ujësjellësit por çka është më e rëndësishme, do t’u ofrojë qytetarëve të kësaj zone një “Rrugë Dibre”, me standard evropian, një “Rrugë Dibre” e cila përgatitet të jetë arterie kryesore e qytetit, jo vetëm në kuptimin që mbart sot por edhe në kuptimin e transportit publik dhe në veçanti, të parapërgatitjes për projektin e tramit, pasi është një ndër arteriet e rëndësishme të linjës Kinostudio – Kombinat”, – u shpreh kreu i Bashkisë së Tiranës. Ndërkohë, kryetari i bashkisë u shpreh se ndërhyrja në këtë pjesë të qytetit u paraprin zhvillimeve që do të njohë në kuadër të planit të ri urbanistik.
Pronat
Basha deklaroi se “ngrirja” e zhvillimit në këtë zonë ka qenë pa dyshim një nga dramat e përjetuara nga çdo qytetar, nga çdo familjar i kësaj zone, ka qenë një nga diskriminimet më të pakuptueshme që i është bërë këtij komuniteti të vjetër dhe në pjesë të madhe autokton, të qytetit të Tiranës, por është pasuar edhe me mungesë investimesh dhe mungesë përkujdesje ndaj asaj pjese të qytetit që është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e bashkisë, pra e sektorit publik. Sa i takon punimeve, kjo rrugë do të ketë një gjatësi nga 10.50 deri në 14 metra. Trotuaret në të gjithë gjatësinë nuk do të jenë më të ngushtë se 2 metra. Afati i përfundimit të punimeve është 10 muaj, por kompania u angazhua ta përfundojë në një hark më të shkurtër kohor. Projekti parashikon ndërtimin e sistemit të kanalizimeve, vendosjen e 112 copë ndriçuesve rrugorë, mbjelljen e 350 fidanëve të llojit bli, vende parkimi për automjete etj. Paralelisht me infrastrukturën, Bashkia e Tiranës përmes planit urbanistik i dha mundësi zhvillimi kësaj zone dhe pronave të këtyre banorëve, të cilat ishin ngrirë në mënyrë abuzive, siç shprehen vetë banorët.
Kufizimet
Si do të qarkullojnë makinat në 4 rrugë, hiqen parkimet
Me qëllim mbarëvajtjen e punës për zbatimin e punimeve të objekteve “Rikonstruksioni i rrugës “Brigada VIII” dhe “Rikonstruksioni i rrugës “Pjetër Bogdani”, informojmë qytetarët, drejtuesit e mjeteve se qarkullimi do të jetë i kufizuar si në rrugën “Brigada VIII” do të kryhen punime të ndara në dy faza ndërtimore, ku konkretisht ndalohet qëndrimi dhe parkimi në segmentin e rrugës “Brigada VIII”, ndalohet qarkullimi i mjeteve në segmentin nga rruga “Ibrahim Rugova”, deri në ndërprerjen me rrugën “Vaso Pasha”, deri në përfundimin e punimeve të fazës së parë, ndalohet qarkullimi i mjeteve në segmentin nga rruga “Sami Frashëri”, deri në ndërprerjen me rrugën “Vaso Pasha”, qarkullimi i mjeteve të emergjencës dhe Policisë së Shtetit do të bëhet i mundur gjatë gjithë kohës ndërtimore. Ndërsa në rrugën “Pjetër Bogdani” do të kryhen punime, të ndara në tre faza ndërtimore. Konkretisht ndalohet qëndrimi dhe parkimi në segmentin e rrugës “Pjetër Bogdani”, sipas fazave ndërtimore. Ndalohet qarkullimi i mjeteve në segmentin nga rruga “Ibrahim Rugova”, deri në ndërprerjen me rrugën “Vaso Pasha”, deri në përfundimin e punimeve të fazës së parë. Po kështu do ndalohet qarkullimi i mjeteve në segmentin nga rruga “Sami Frashëri”, deri në ndërprerjen me rrugën “Vaso Pasha”, deri në përfundimin e punimeve të fazës së dytë si dhe qarkullimi i mjeteve në segmentin nga rruga “Sami Frashëri”, deri në ndërprerjen me rrugën “Gjin Bue Shpata”. Për zbatimin e punimeve të objektit “Rikonstruksioni i bulevardit “Petro Nini Luarasi”, do ndalohet qarkullimi i mjeteve në bulevardin “Petro Nini Luarasi”, në anën veriore, nga bulevardi ”Bajram Curri”, rruga “Zonja Çurre”, deri tek rruga “Taulantia”, ndalohet qarkullimi i mjeteve në bulevardin “Petro Nini Luarasi”, në anën jugore, nga bulevardi “Bajram Curri”, rruga “Zonja Çurre”, deri tek rruga “Taulantia” (sipas sensit të lëvizjes, nga perëndimi në lindje), në të njëjtën kohë ndalohet qëndrimi dhe parkimi në të gjithë segmentin rrugor të bulevardit “Petro Nini Luarasi”, sipas fazave ndërtimore.
Turqi
Mediu: Të ngrihet fondi rajonal për pyjet
Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave propozoi krijimin e Fondit Rajonal për Pyjet dhe ngritjen e komiteteve dy dhe shumëpalëshe në nivel ekspertësh, të cilat do të evidentojnë çështjet me karakter dy dhe shumëpalësh. Propozimi u bë nga ministri Fatmir Mediu në takimin rajonal të ministrave përgjegjës për pyjet dhe rolin e tyre në zhvillimin ekonomik, mbajtur në Stamboll, Turqi, në datat 21-22 janar. Mediu në fjalën e tij prezantoi pasurinë kombëtare pyjore, problemet që ekzistojnë dhe përpjekjet që po bëhen për sigurimin e menaxhimit të qëndrueshëm të pyjeve nga qeveria shqiptare, në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtare, përfshi bashkëpunimin me Agjencinë Turke për Zhvillim dhe Bashkëpunim. “Shqipëria dhe Turqia ndajnë vizione të përbashkëta për politikat pyjore që sigurojnë menaxhimin e qëndrueshëm e të integruar të burimeve natyrore, duke përmbushur funksionin ekologjik, social dhe ekonomik”, tha Mediu. Ai shtoi se “Shqipëria është e angazhuar maksimalisht në përmbushjen e standardeve në përmirësimin e shërbimit pyjor, menaxhimin më të mirë të zjarreve apo katastrofave natyrore në pyje, si dhe reduktimin e prerjeve ilegale dhe tregtinë e lidhur me të”. Sipas tij, pyjet janë një sektor mjaft i rëndësishëm në proceset e zhvillimit rural. Transferimi i gjysmës së fondit pyjor tek njësitë e qeverisjes vendore synon lidhjen e njerëzve me pyllin, duke bërë të mundur jetesën në harmoni, theksoi Mediu.