Presidenti Ilir Meta ka kthyer mbrapsh ligjin për Policinë.
Sipas Metës, ligji krijon shteg për mbikëqyrjen dhe survejimin e kundërshtarëve politikë në prag të zgjedhjeve.
‘Sipas raporteve të komisioneve përkatëse ky projektligj ka si qëllim kryesor të krijojë mundësinë ligjore që strukturat e Policisë së Shtetit të përdorin me efektivitet masa të veçanta, duke bërë ndryshime në nenet 84 dhe 131, të ligjit nr.108/2014 ‘Për Policinë e Shtetit’, të ndryshuar, në luftën kundër krimit të organizuar, krimeve të rënda si dhe krimeve në fushën financiare, ndërkohë që një qasje e tillë e posaçme për këto vepra penale, nuk është aspak e përcaktuar në tekstin e ligjit’, thuhet në arsyet e presidentit për kthimin e ligjit.
REPUBLIKA E SHQIPËRISË
PRESIDENTI
DEKRET PËR KTHIMIN E LIGJIT NR. 133/2020 ‘PËR DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR. 108/2014 ‘PËR POLICINË E SHTETIT’, TË NDRYSHUAR’
Në mbështetje të nenit 85, pika 1 dhe të nenit 93 të Kushtetutës,
Dekretoj
Kthimin në Kuvend për rishqyrtim të ligjit nr. 133/2020 ‘Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 108/2014 ‘Për Policinë e Shtetit’, të ndryshuar’, sipas arsyetimit bashkëlidhur këtij dekreti.
Nr. Dekretit 11841
Tiranë, më 20.11.2020
PRESIDENTI I REPUBLIKËS
ILIR META