Anëtari i KPA-së, Luan Daci dënohet për falsifikim të dokumenteve

0
120

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, vendosi të martën të shpallë fajtor dhe të dënojë për veprën penale “falsifikim të dokumenteve”, anëtarin e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, KPA, Luan Daci.

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK e akuzon Luan Dacin se ka falsifikuar dokumentet gjatë aplikimit për pozicionin e tij, përmes paraqitjes së rrethanave të rreme nëpërmjet mosdeklarimit të një mase disiplinore për largim nga puna të vitit 1997.

Prokurorët e SPAK, Altin Dumani dhe Klodian Braho, i paraqitën gjykatës konkluzionet përfundimtare në seancën e të martës, kur kërkuan shpalljen fajtor të gjyqtarit të KPA Luan Daci dhe dënimin e tij me 1 vit heqje lirie.

Vetë i pandehuri Luan Daci dhe dy përfaqësuesit ligjorë të Dacit, avokatët Andi Durraj dhe Jordan Daci kërkuan pafajësi duke e konsideruar të pabazuar kërkesën e prokurorisë.

Gjatë shpalljes së vendimit, gjyqtari Sandër Simoni përmblodhi argumentet dhe arsyetimin e tij, ku është bazuar në marrjen e vendimit për dënimin e anëtarit të Kolegjit Luan Daci.

Ai tha se kërkesa për aplikim për një pozicion në institucionet e vetingut nga Daci ka pasqyruar një të dhënë jo të vërtetë, pasi ka fshehur faktin e marrjes së masës disiplinore të shkarkimit nga ana e ish-Këshillit të Lartë të Drejtësisë në vitin 1997.

“Duke analizuar provat, gjykata vlerëson se Luan Daci në kërkesën e tij drejtuar Avokatit të Popullit ka paraqitur rrethanë të rreme duke fshehur masën disiplinore të marrë ndaj tij”, pohoi gjyqtari Simoni. Sipas tij, ku deklarim i rremë ka dhënë pasoja dhe efekt në zgjedhjen e Dacit si anëtar i KPA.

Ashtu si prokuroria, edhe gjykata konstaton se masa disiplinore duhej të ishte deklaruar në aplikim, pasi ishte një nga kushtet për t’u kualifikuar.

“Gjykata krijon bindjen se kërkesa për aplikim e z.Luan Daci përbënë dokument dhe paraqitje jo të vërtetë të një rrethane. Veprimet e mospërmendjes, si dhe rrethana e rreme e deklaruar në seancen dëgjimore në komisionin ad hoc, tregon se i pandehuri e ka pohuar me dashje këtë të pavërtetë”, evidentoi Simoni dhe shtoi se nga ky akt Daci ka përfituar, pasi është emëruar në detyrë.

Simoni paraqiti arsyetimin e tij edhe lidhur me qëndrimin e mbrojtjes që, bazuar në vendimin e Gjykatës së Posaçme të Apelit, pretendon se në këtë rast nuk ekziston dokumenti. Sipas Simonit, vendimi i Apelit ka të bëjë me masën e sigurisë.

“Përkundër pretendimeve të mbrojtjes, gjykata vlerëson se ai vendim ka efekte për shfuqizimin e masës se sigurisë. Sipas gjykatës jemi përballë faktit penal”, pohoi Simoni dhe shpalli deklarimin fajtor të Dacit për veprën penale “falsifikim të dokumenteve” dhe caktoi masën e dënimit me 6 muaj burgim dhe pezullimin e këtij dënimi me 1 vit, me kusht që të mos kryejë vepër tjetër penale dhe të paraqitet pranë Shërbimit të Provës.

Gjithashtu gjykata vendosi të deklarojë të falsifikuar kërkesë/aplikimin e datës 3 shkurt 2017 të depozituar nga Daci pranë Avokatit të Popullit për një pozicion në institucionet e rivlerësimit të prokurorëve dhe gjyqtarëve.

Pas përfundimit të seancës, gjyqtari i KPA Luan Daci e cilësoi të padrejtë vendimin e Gjykatës së Posaçme. “Nuk kam kryer asnjëherë falsifikim në jetën time. Do e apeloj”, u shpreh Daci për mediat.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here