Vendimet e Asamblesë; Braçe, Ramës: Nuk ka arsye pse Shpëtim Gjika të mos bëhet anëtar kryesie

0
153

Gëzim Saliu

RAMNAKoalicioni, deputeti i PS-së: Duhet të tejkalojmë përfaqësimin partiak të opozitës

 

Deputeti i PS-së, Erion Braçe, kërkon nga kreu socialist, Edi Rama, që të zgjerojë edhe më shumë strukturën e kryesisë së selisë rozë. Duke marrë shkas nga punimet e dy ditëve më parë të Asamblesë Kombëtare, ku u mor vendimi që kryesia socialiste të zgjerohej me dy kryetarët e bashkive Korçë dhe Elbasan, nënkryetari i grupit parlamentar socialist i bëri dje thirrje kreut të partisë që të përfshijë në këtë forum vendimmarrës edhe kryetarin e Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika. Edhe pse dihet se marrëdhënia e kryesocialistit Rama me kryebashkiakun Gjika nuk është ndër më të mirat, madje shpeshherë mes tyre ka pasur përplasje, deputeti Braçe kërkoi nga lideri opozitar që të përfshijë qytetin e Vlorës, si një ndër qarqet më të rëndësishme në vend, në forumin e lartë të selisë rozë. “Zgjerimi i kryesisë së PS-së me dy anëtarë të rinj, dy kryetarët e bashkive Korçë e Elbasan, natyrisht është një akt i rëndësishëm në strategjinë e përfaqësimit të PS-së dhe strategjinë elektorale në dy qarqe shumë të rëndësishme për rezultatin e përgjithshëm elektoral. Por, mendoj se akoma më mirë do të plotësohej vendimmarrja duke marrë parasysh dhe Vlorën. Vlora është shumë e rëndësishme për Shqipërinë, është thelbi historik i saj; Vlora është shumë e rëndësishme edhe për PS-në, është zemra militante e saj, në çdo kohë! Shpëtim Gjika është një përfaqësues i denjë i PS-së. Bëri krenar çdo shqiptar, pavarësisht ku banon, ku beson, ku militon!! E bëri me mendje e zemër, në liri të plotë. Ai ishte modeli ynë këtë 100-vjetor”, – u shpreh deputeti socialist në rrjetin social “Facebook”. Në këtë kontekst, Braçe kërkoi po ashtu që në forumin e kryesisë të përfshihej të paktën edhe një kryetar rrethi i Partisë Socialiste, si përfaqësues i çdo drejtuesi të PS-së. “Janë ata që drejtojnë, organizojnë, mobilizojnë, angazhojnë, përfshijnë, anëtarësojnë, ndeshen atje poshtë në bazë, bllok me bllok, lagje më lagje, fshat më fshat, rreth më rreth. Midis tyre ka njerëz shumë të zotë, nuk kapardisen, thjesht punojnë. Ata e meritojnë përfaqësimin”, – deklaroi anëtari i kryesisë së PS-së.

 

Koalicioni

Një tjetër çështje për të cilën deputeti socialist kërkoi më shumë angazhim nga partia ku ai bën pjesë, ishte ajo që lidhej me koalicionet. Braçe pasi vlerësoi formatimin e koalicionit opozitar me 30 parti politike, nënvizoi domosdoshmërinë e tejkalimit të përfaqësimit partiak. Sipas tij, është e rëndësishme aleanca me të papërfaqësuarit. “Duhet të tejkalojmë përfaqësimin partiak të opozitës, shqiptarëve të vendosur për ndryshim. Ka ende njerëz të papërfaqësuar në opozitë. Janë shumë të pa përfaqësuar në ato 30 parti. Pikërisht për këtë arsye duhet të zgjerojmë përfaqësimin në planin social e shoqëror; me grupe të organizuara sociale e shoqërore, të margjinalizuara nga regjimi, por që kanë grumbulluar interesa shumë të gjera njerëzish të papërfaqësuar në politikë. Këtu duhet të hyjmë, nga ta duhet të përfaqësojmë”, – theksoi deputeti socialist. Pak ditë më parë, kreu i Partisë Socialiste Rama mblodhi krerët e 26 partive aleate, ku diskutoi lidhur me frontin e ardhshëm opozitar, fushatën elektorale dhe skemën për mbrojtjen e votës. Në këtë takim, u përcaktua edhe platforma elektorale, ku Rama kërkoi nga të gjithë krerët e partive politike që të dorëzonin në sekretariatin e koalicionit të gjithë kërkesat lidhur me aleancën zgjedhore. Pritet që në fund të muajit shkurt, kreu socialist Rama të mbledhë sërish aleatët, ku edhe do të firmosë marrëveshjet e koalicionit me ta, në kuadër të zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare të 23 qershorit.

 

 

Sherifi: LDP jo koalicionit me PS-në

Kryetari i Partisë Lidhja për Drejtësi e Progres, Elmaz Sherifi, ka deklaruar se nuk do të bëjë aleancë me Partinë Socialiste në zgjedhjet e 23 qershorit. Ish-ministri dhe zyrtari i lartë i PS-së në fjalën e tij në kongresin e LDP-së ka ironizuar gjithashtu premtimet e kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama, për heqjen e taksës për biznesin e vogël. Sipas tij, taksat duhen paguar, por problemi nuk është tek taksat e larta, por te papunësia. Më tej, duke kritikuar partitë politike aktuale, Sherifi u shpreh se ato janë kthyer në reparte ushtarake, apo vagonë trenash që dalin nga shinat. “Liria politike kërkon luftëtarë të së drejtës, jo ushtarë. Luftëtarët e së drejtës mbrojnë interesat e Shqipërisë. Sot partitë janë si reparte ushtarake, për humor të dyja palët akuzojnë njëra-tjetrën se janë vënë në resht, pa e kuptuar që të dyja janë vënë në resht Ne jemi lidhja që do sjellim një frymë të re. Ne nuk jemi parti ideologjike, nuk mund të shndërrohemi në vagonë të trenave që dalin nga shinat, dëmtojnë prona e vrasin qytetarë”, – tha kreu i LDP-së. Në këtë kontekst, ai ka pohuar se sfida e vendit është me të ardhmen jo me të shkuarën. “Viktimat e 21 Janarit i vrau politika, kjo politikë mbron interesat e kolltukut të pushtetit. Që të kuptojmë realitetet largohuni nga ideologjitë, që ju mbajnë për të baltosur njëri-tjetrin. Në Shqipëri edhe biznesmenët kanë lënë bizneset dhe janë futur në qeveri se e kanë kuptuar që aty pasurohesh më shpejt. Kjo politikë duhet të marrë fund në Shqipëri, duhet të krijojmë parti demokratike. Ato që nuk janë demokratike nuk ndërtojnë dot institucione demokratike”, – deklaroi Sherifi. Po ashtu, ai foli edhe lidhur me çështjen kombëtare, ku tha se ajo nuk mund të mbrohet sot nga ata që dhunojnë të drejtat. Sipas tij, shqiptarët kudo që jetojnë duhet të luftojnë për demokraci, që të lëvizin të lirë e të mos paragjykohen që janë shqiptarë, siç shtoi Sherifi. “Çështja kombëtare është çdo ditë me ne, por përdhoset çdo ditë nga kjo klasë politike. Sot shqiptarët duhet ta bëjnë Shqipërinë demokratike, shqiptarët e Kosovës duhet ta bëjnë Kosovën demokratike. Po mirë ja u bashkuam, po ku i lamë shqiptarët e Maqedonisë, Malit të Zi, e Preshevës. Kryeministri flet për Prevezën, kur dihet që Preveza ka qenë dhe është shqiptare, Shkupi ka qenë dhe është, por ne nuk mund të vemi e t’i marrim. Sot duhet të mos kemi frikë nga nacionalizmat, por të garantojmë të drejtat e minoriteteve”, – u shpreh Sherifi.

 

 

Athinë, Topi: FRD do të angazhohet për ngritjen e një ministrie për emigracionin

Kreu i Frymës së Re Demokratike, Bamir Topi, deklaroi dje në një takim që zhvilloi me emigrantët shqiptarë në Athinë, se forca që ai drejton do të angazhohet për ngritjen e një ministrie të posaçme për emigracionin. Në hapjen e degës së re të FRD-së në Athinë, ku Topi shoqërohej nga sekretari i përgjithshëm Gazmend Oketa, sekretari organizativ Sali Shehu dhe sekretari i koordinimit për programin Arben Shehi, kreu i FRD-së premtoi se forca që ai drejton do të angazhohet për të ndjekur një politikë parimore në shërbim të shqiptarëve kudo ku ata jetojnë. Me ngritjen një ministri të posaçëm për emigracionin, shteti amë do të mund të kujdeset institucionalisht për shtetasit e tij që jetojnë dhe punojnë jashtë vendit”, – tha Topi. Duke u ndalur në marrëdhëniet me fqinjët, kreu i FRD-së theksoi edhe rëndësinë e një politike të fqinjësisë së mirë e cila reflektohet drejtpërsëdrejti në jetën e përditshme të emigrantëve. Më pas takimi vazhdoi me një komunikim të hapur rreth problemeve që shqetësojnë emigrantët shqiptarë. Ata vunë në dijeni përfaqësuesit e FRD-së për vështirësitë që ndeshin në jetën e tyre si emigrantë dhe për përpjekjet që bëjnë për t’i përballuar.  Gjatë diskutimeve u fol edhe për detyrën që ka radiotelevizioni publik shqiptar për t’u mundësuar fëmijëve të emigrantëve mësimin e gjuhës shqipe përmes emisione të posaçme.