Topi i Artë/Messi, Ronaldo dhe i riu Neymar në garë për lojtarin më të mirë të vitit

0
185

to

 

Tre lojtarët janë ata që do të luftojnë për titullin që i jep lojtarit individual më të mirë, Messi është favorit, por as Ronaldo me Neymar s’ngelen mbrapa

 

Lionel Messi, Cristiano Ronaldo dhe Neymar. Janë këta emrat e tre futbollistëve finalistë që do të rivalizojnë mes tyre në garën për “Topin e Artë” për vitin 2015. Në ceremoninë gala që do të mbahet në 11 janar të 2016-tës në Zyrih të Zvicrës ndryshimi i vetëm nga një vit më parë do të jetë Neymar, i cili zëvendëson Manuel Neuer në listën e tre finalisteve. Mbeti jashtë treshes më të mirë Luis Suarez pavarësisht se ka arritur të realizojë 40 gola deri tani gjatë këtij viti kalendarik me fanellën e Barcelonës. Për të 5-tin vit radhazi Lionel Messi dhe Crisitano Ronaldo janë pjesë e treshes finaliste. Nga 23 emrat që kishin mbetur në listë, FIFA përzgjodhi si tre më të mirët, argjentinasin, portugezin dhe brazilianin. Messi gjithsesi mbetet favoriti i madh për të fituar për herë të 5-të në karrierë “Topin e Artë”. Gjatë sezonit të kaluar Leo i fitoi të tre trofetë sezonalë me Barcelonën duke qenë frymëzuesi i simfonisë blaugrana. Falë arritjeve me Barcën është pjesë e finalistëve edhe Neymar që ashtu si Messi shkëlqeu nën dirigjimin e Luis Enriques. Nuk mund të thuhet e njëjta gjë për Cristiano Ronaldon, i cili është përfshirë në listën e tre më të mirëve më shumë për merita personale pasi Reali i Madridit nuk fitoi asgjë gjatë sezonit të kaluar. FIFA bëri publik edhe finalistët që do të garojnë për cmimet e tjera që do të jepen në ceremoninë e “Topit të Artë”. Kështu për trajnerin më të mirë të vitit do të garojnë mes tyre, Luis Enrique, trajneri që arriti suksesin e trefishtë me Barcelonën, Pep Guardiola dhe Jorge Sampaoli, që me Kilin e tij fitoi Kupën e Amerikës duke mundur në finale Argjentinën e Messit. Për çmimin “Pushkash”, që vlerëson autorin e golit më të bukur të vitit, do të jetë një betejë treshe mes Alessandro Florenzit të Romës, Wendell Liras të Atletico Goianenses dhe Lionel Messit. Ndërkohë në kategorinë e femrave tre finalistet për “Topin e Artë”, janë Carli Lloyd që u shpall kampione e Botës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, japonezja Aya Miyama dhe gjermania Celia Sasic. Për trajnerin ose trajneren më të mirë në futbollin e femrave lufta do të jetë mes Jill Elis të Amerikës, Mark Sampson të Uellsit dhe Norio Sasakit të Japonisë.