“Vizitova selinë e shenjtë të Kryegjyshatës Botërore dhe i urova Kryegjyshatit dhe gjithë besimtarëve këtë ditë të shenjtë. Ju uroj edhe gjithë shqiptarëve në këtë ditë të pranverës, të ripërtëritjes, shpresave, por edhe në këtë ditë të demokracisë, sepse pranvera dhe demokracia janë në sintoni të plotë me njëra-tjetrën. Mjafton të shikoni lulet e çelura, janë të ngjyrave të ndryshme, japin shpresë dhe gjallëri.
Të tilla janë edhe shpresat e qytetarëve për një jetë më të mirë, më në paqe, më të begatë, dhe për të kaluar këtë dimër të gjatë, në vështirësi të mëdha, por edhe me vuajtje të pazakonshme, edhe për shkak të pandemisë. Sot bashkohemi me lutjet e Kryegjyshit Botëror për shëndetin e cdo qytetari dhe apeloj për të bërë kujdes sa më shumë. Njëkohësisht të jemi më optimistë për të ardhmen, më solidarë, më bashkëpunues, më tolerantë, më të dashur, e mbi të gjitha të mbizotërojë në zemrat tona dashuria për Shqipërinë.
Ka qenë dimër i jashtëzakonshëm, kemi pasur reshje të dëbore të jashtëzakonshme, sa ende bora është zotëruese në male, por lulet kane çelur, mimozat kanë çelur, dhe jo vetëm ato. Kështu që pranvera do të jetë e pandalshme dhe na ndihmoftë të gjithëve të kemi një të ardhme më të mirë. Shqiptarët presin shumë nga e ardhmja, sidomos nga kjo pranverë dhe kanë kuptuar se fuqia e ndryshimit janë vetë ata”, tha Meta.
I pyetur për vaksinat ruse Sputnik V, që mbërritën sot në Shqipëri, Presidenti Meta theksoi se “Apeloj për të forcuar masat, për të rritur shëndetin, për të garantuar sigurinë e trajtimit shëndetësor, për të gjithë qytetarët”.