VOA ‘rrëzon’ vaksinën kineze të Ramës: Nuk ka të dhëna shkencore

0
164

Zëri i Amerikës

Në Shqipëri autoritetet njoftuan sot se kishin siguruar 1 milion doza të vaksinës Sinovac, përmes distributorit të saj të autorizuar në Turqi. Ngarkesa e parë prej 192 mijë dozash u nis sot nga Stambolli, ku kryeministri Edi Rama kishte shkuar personalisht që një ditë më parë. Ai bëri të ditur se brenda 60 ditësh, sasia e vaksinave Sinovac që do të mbërrijë në vend, do të shkojë në gjysëm milioni doza.

Për efektshmërinë e kësaj vaksine ka deri më tani të dhëna të ndryshme. Në janar të këtij viti Brazili bëri të ditur se efikasiteti i saj ishte 50.4 përqind, ndërsa në fillim të marsit Turqia njoftoi për një efikasitet mbi 80 përqind.

Nga ana e saj, kompania prodhuese kineze Sinovac, ka vetë-ofruar disa rezultate kryesore, por në ndryshim nga ç’ndodh zakonisht me prodhuesit e vaksinave, këto të dhëna nuk janë botuar në ndonjë revistë shkencore, gjë e cila do të kërkonte një vlerësim nga ekspertë të palëve të treta.

Aktualisht Shqipëria ka në përdorim edhe tre vaksina të tjera, Pfizer-in, Astrazeneca-n dhe vaksinën ruse Sputnik V. Në total numri i dozave të mbërritura në vend është 282 mijë. Kryeministri Rama ërit ë ditur se priten dhe 70 mijë Pfizer, 80 mijë Astrazeneca dhe 25 mijë vaksina të tjera Sputnik V. Ndërsa 106 mijë vaksina të tjera sipas tij janë në proces me Bashkimin Europian. Së bashku me mbi 300 mijë dozat e tjera të vaksinës kineze, totali i përgjithshëm arrin në 871 mijë doza, ndërsa sasitë e kontraktuara në 2.6 milion.

Mbërritja e vaksinave kineze “na mundëson që menjëherë të shtrijmë vaksinimin në të gjithë territorin në bazë të planit që kemi përgatitur dhe të nisim një process shumë intensive vaksinimi”, deklaroi kryeministri Rama në një konferencë shtypi në aeroportin “Nënë Tereza”, menjëherë pas mbërritjes së sasive të para nga Turqia. Ai theksoi se brenda muajit qershor synohet vaksinimi i 500 mijë qytetarëve.

Kryeministri, njoftoi se Shqipëria është e gatshme të ndihmojë në vaksinimin e të gjithë personalit shëndetësor të Kosovës. “Janë 11 mijë punonjës shëndetësie në Kosovë dhe brenda 20 ditësh, maksimumi, duke pasur parasysh ritmin e ardhjes së tyre në Kukës në dy ditët që bëmë vaksinimin e 500 personave, ne jemi gati të kryejmë vaksinimin e të gjithëve. Në rast se ata duan ta përshpejtojnë procesin e janë në gjendje të organizohen për të ardhur në numra më të mëdhenj në Kukës, apo edhe për ta bërë me 3 turne vaksinimin, nuk ka problem, mund të bëhet dhe në një kohë shumë më të shpejtë”, tha ai.

Zoti Rama bëri të ditur gjithashtu se kishin nisur bisedimet për të sjellë në Shqipëri dhe një fabrikë të prodhimit të vaksinave dhe produkteve të tjera farmaceutike. “Një fabrikë e teknologjisë së lartë, e cila aktualisht është një ndër kompanitë më të mëdha farmaceutike në botë, kompania farmaceutike që bën distribucionin e vaksinës Sinovac,por që në të njëjtën kohë është prodhuese e shumë vaksinave dhe produkteve të tjera farmaceutike. Me këtë kompani ne kemi nisur bisedimet për të sjellë në Shqipëri një investim shumë të rëndësishëm, jo vetëm për këtë moment, por për të ardhmen”, shpjegoi kryeministri.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here