Pas thirrjes nga podiumi për t’iu drejtuar Ministrisë së Brendshme për të hequr bunkerin, një pjesë e protestuesve të opozitës çanë llamarinat rrethuese dhe u futën në zonën ku është vendosur një bunker simbolik.
Protestuesit kanë hedhur gurë dhe sende të tjera të forta në drejtim të godinës së ministrisë duke thyer xhamat e dritareve dhe kanë ndezur zjarr në bunker.
Lëvizja e protestuesve nga pjesa e bulevardit përballë godinës së Kryeministrisë në drejtim të Ministrisë së Punëve të Brendshme duket se ka zënë pa përgatitur forcat e policisë. Protestuesit nuk hasën asnjë rezistencë përveç llamarinave që dëshmojnë se godina e MPB-së është në rikonstruksion.
Megjithatë, pak pas mbërritjes së protestuesve u vu re prezenca e një grupi të vogël të forcave policore, por që janë tërhequr për të mos acaruar më tej situatën.
Protestuesve u janë bashkuar kreu i PD-së, Lulzim Basha, ish-kryeministri Sali Berisha dhe drejtues të tjerë të lartë të opozitës.