Elton Qyno
Ëngjëll Taulla merrte nga 500 mijë lekë, duke përdorur emrin e nënkryetarit. Në pranga dhe specialistja e strehimit
Shoferi i nënkryetarit të Bashkisë së Durrësit, Zhulien Varfaj, është arrestuar nga njësia hetimore task-forcë pranë Prokurorisë së Durrësit, pasi mashtronte qytetarët se do t’i ndihmonte ata në zgjidhjen e problemit të strehimit. Duke përdorur emrin e nënkryetarit të bashkisë, shoferi Ëngjëll Taulla u merrte qytetarëve nga 400 deri në 500 mijë lekë të vjetra, duke i garantuar atyre se pas dorëzimit të dokumenteve për strehim, ai do të ndërhynte tek zv.kryetari, duke mundësuar që emri i personave që pranonin të paguanin, të ishte në listën e fituesve për marrjen e banesave me kredi të ulët, e cila mundësohej nga ana e bashkisë. Një skemë të tillë abuzimi, prokurorët dhe efektivët e policisë së Durrësit, e kanë provuar në katër raste, ku shoferi i zv.kryetarit të bashkisë abuzonte duke përdorur emrin e Zhulien Varfajt dhe më pas lekët e dhëna nga qytetarët i merrte për vete, duke i shpërndarë tek katër persona të tjerë, mes tyre një specialiste në sektorin e strehimit në Bashkinë e Durrësit dhe një biznesmen ndërtimi që administron kompaninë “Daniel & Kristi Kompani”. E gjithë kjo skemë abuzimi është hetuar për rreth tre muaj nga ana e Prokurorisë së Durrësit, e cila ka mundur të arrestojë ditën e djeshme shoferin e bashkisë Ëngjëll Taulla, biznesmenin Dhimitër Maxhari, shtetasin Pelivan Merkaj, Onjel Taken dhe specialisten e zyrës së strehimit, shtetasen Diana Mandia. Ndaj këtyre persona është ngritur akuza e “Mashtrimit” dhe “Ushtrimit të ndikimit ndaj personave që kryejnë funksione publike”.
Skema e abuzimit
Pesë të arrestuarit kishin zgjedhur të bënin para duke mashtruar qytetarët, se do të arrinin t’i nxirrnin në mënyrë të përshpejtuar kredinë me interes të ulët, që më pas do të mundësonin edhe marrjen e një banese. E gjithë skema është ngritur në mënyrë prefekte nga shoferi i nënkryetarit të Bashkisë së Durrësit, shtetasi Ëngjëll Taulla, i cili është lidhur me sekserin Pelivan Merkaj dhe një biznesmen ndërtimi në Durrës, duke bërë që njerëzit të besonin se kundrejt dhënies së parave nën dorë, ata do ta kishin më të lehtë për përfitimin e banesave nga kredia me interes të ulët e bashkisë. Në këtë skemë ka qenë dhe një punonjës banke, i cili garantonte dhe formulonte dokumente të falsifikuara, duke dhënë të dhëna fiktive lidhur me të ardhurat mujore të qytetarëve që aplikonin në Bashkinë e Durrësit për të marrë kredinë me interes të ulët. Mirëpo falë një hetimi disamujor, Prokuroria e Durrësit ka arritur të sigurojë prova, duke mundësuar arrestimin e dy zyrtarëve të bashkisë dhe tre personave të tjerë, mes tyre dhe një biznesmeni.
Hetime në Tiranë
Për shkak se disa veprime abuzive janë kryer në Tiranë, Prokuroria e Durrësit ka ndarë çështjen dhe një pjesë të akteve hetimore ia ka kaluar për hetime të mëtejshme njësisë task-forcë në Tiranë. Sipas burimeve pranë prokurorisë, shumë abuzime të natyrës së falsifikimit të dokumenteve janë bërë në kryeqytet dhe nisur nga kjo situatë tashmë, Prokuroria e Tiranës ka filluar procedimin penal, me qëllim identifikimin e personave që kanë lëshuar dokumentet e falsifikuara në hipotekë, bankë dhe disa institucione të tjera.
Vjedhjet e makinave
Tiranë, në pranga grupi me tre persona
Policia e Tiranës ka finalizuar me sukses operacionin e koduar “Rruga e Benzave”, duke goditur një grup kriminal që vidhnin automjete. Sipas të dhënave zyrtare janë vënë në pranga tre të rinj nga Laçi, Arlind Mhilli, 23 vjeç; Leandro Cera, 18 vjeç; dhe R. Bara, 17 vjeç. Falë një hetimi intensiv e procedural të realizuar nga strukturat e policisë, u arrit dokumentimi ligjor dhe implikimi i tyre në një sërë vjedhjesh të automjeteve kryesisht të tipave “Mercedes-Benz”, të cilat pasi realizonin vjedhjen i dërgonin në qytetin e Laçit e Mamurras me synim çmontimin e tyre dhe shitjes për pjesë këmbimi. Qeveria ka dokumentuar aktualisht 7 vjedhje, ndërsa po punohet për zbulimin e grabitjeve të tjera. Ndërkohë, në cilësinë e provës materiale u sekuestruan pinca metalike hekuri,doreza, dhe dy automjet tip “Audi”, më të cilën lëviznin autorët.
9 janari
Ndoc Bjeshja: Janë dënuar vetëm bishtat e krimit
Arrestimi i një nate më parë, pas 9 vitesh në arrati, i të shumëkërkuarit nga drejtësia shqiptare Zef Marku, nuk mbyll ciklin e vënies së drejtësisë për viktimat e 9 janarit. Babai i njërit prej të humburve në tragjedinë e Karaburunit, Ndoc Bjeshka, thotë se Zef Marku është vetëm njëri prej trafikantëve të qenieve njerëzore, ndërsa kontrolluesit e trafikut, sipas tij, janë ende të lirë. “Kanë dënuar vetëm bishtat, por jo krerët. Ne kemi vetëm diçka se kujt ia dorëzuan fëmijët tanë dhe ne të dimë se ku të lypim. Kjo është përgjegjësia për ne për këta që kanë arrestuar”, – tha Ndoc Bjeshka. 52-vjeçari Zef Marku është dënuar nga Gjykata e Vlorës në vitin 2005 me 25 vjet heqje lirie për veprën penalë të trafikimit të qenieve njerëzore.
Pranga futbollistit shqiptar
Rudho ishte shpërndarës droge
Xhulian Rudho dhe Mimet Zeneli fshehën 1.5 kg kokainë në park. E shpërndanin me autobusë
Futbollisti shqiptar që ka luajtur me skuadrën e Kievos në Serinë A, por edhe në skuadra të tjera italiane, është arrestuar nga agjentët e antidrogës, me 1.5 kg kokainë. Xhulian Rudho, që konsiderohej nga specialistët e futbollit si një ndër talentet dhe yjet e ardhshëm të kombëtares shqiptare, është arrestuar në Ankonë, pasi skuadra e antidrogës e ka pikasur atë duke shpërndarë në doza të vogla sasinë e kokainës. Së bashku me futbollistin shqiptar është arrestuar dhe bashkëpunëtori tjetër i tij, shtetasi Mimet Zeqiri, të cilët në bashkëpunim me njëri-tjetrin kishin marrë përsipër të shpërndanin një sasi prej 1.5 kg kokainë në zona të ndryshme të Ankonës. Sipas hetimeve të kryera ka rezultuar se të dy personat kishin zgjedhur si vend për të fshehur drogën, parkun publik “Posatora”, ku prej andej në mënyrë të vazhdueshme e merrnin në doza të vogla kokaine, për ta shitur më pas atë në sheshin “Ugo Bassi”.
Lëvizja me autobusë
Policia italiane bën me dije që dy shqiptarët për të mos rënë në sy, përdornin autobusin për të qarkulluar. Sapo merrnin dozat e lëndës narkotike ata drejtoheshin në stacionin e autobusit, ku dhe më pas shkonin në sheshin “Ugo Bassi”, ku dhe tregtonin sasinë e dozave. Menjëherë pasi shisnin ngarkesën ata riktheheshin sërish në bazën e tyre në parkun “Posatora”, ku shumë me delikatesë arrinin të merrnin sërish dozat e drogës, duke u nisur sërish në destinacionin përfundimtar. Mirëpo të gjitha këto veprime të futbollistit shqiptar dhe bashkëpunëtorit të tij, kishin rënë në sy, nga agjentët e antidrogës, ku njëri prej tyre ka arritur të blejë një dozë kokaine. Lënda narkotike i është nënshtruar një ekzaminimi në laborator dhe pas daljes së analizës, ka rezultuar se dy të rinjtë tregtonin drogë. Pas këtij veprimi është vendosur që dy shqiptarët të mbahen në mbikëqyrje, deri në momentin e arrestimit të tyre dhe sekuestrimin e lëndës narkotike, e cila ishte fshehur brenda në pak.
Arrestimi nga policia
Arrestimi i futbollistit 25-vjeçar Xhulio Rudho dhe shtetasit tjetër shqiptar Mimet Zeneli është bërë pikërisht në vendin ku ishte fshehur lënda narkotike. Teksa të dy të rinjtë shqiptarë afroheshin tek vendi për të marrë sasinë e dozave, skuadra e policia në Ankona ka ndërhyrë duke bërë arrestimin e menjëhershëm të dy shpërndarëve të drogës. Hetimet rreth kësaj çështjeje ende janë duke vijuar pasi mendohet se futbollisti shqiptar dhe bashkëpunëtori tjetër, janë pjesë e një grupi shumë të fuqishëm, që kryen shpërndarjen e kokainës dhe heroinës në zona të ndryshme të Ankonës.