Pas aksidentit të rëndë më 4 viktima në aksion Fier-Vlorë, në rrjetet sociale është thirrur një tubim në shenjë solidariteti për viktimat e aksidenteve tragjike që po ndodhin kohët e fundit.
Një tubim i tillë është thirrur që të mbahet nga sheshi “Skënderbej” në orën 20:00 dhe më pas të marshohet deri tek Ministria e Brendshme dhe Ministria e Transporteve.
”Te paktën për një dite t’i leme qoftet dhe birrat nga tendat tek sheshi “Skënderbej” dhe te transferohemi pak nga Min. Brendshme dhe Min. Transportit. Ne shenje reagimi mbi aksidentet rrugore ne vend, te mblidhemi tek këto dy vende dhe te shtrihemi ne toke “si te vdekur” duke dhënë një mesazh sensibilizues mbi ngjarjet e fundit. Është momenti për te reaguar. Sot ne atë aksident mund te isha unë, ti apo kushdo nga ne! Sot ora 20:00 duhet te jemi te gjithë bashke ne shenje proteste dhe ndërgjegjësimi.” – thuhet në njoftim.
Ngjarja tragjike ndodhi mëngjesin e sotëm, në zonën e njohur si “Zona e Kripës” rreth orës 08:23.
Mjeti tip “Audi” përplasi makinën e llojit “Toyota” dhe shkaktoi kështu vdekjen e katër anëtarëve të një familjeje. Më pas u përplas me shtyllën elektrike dhe përfundoi në kanal.