Vusi Makusi

0
195

Ursula Wills-Jones

koncertiVusi Makusi, edhe pse jetonte ne vendin më të varfër të botës dhe kishte si pasuri vetëm një kostum me pantallonat që nuk i mbërrinin as tek kë

Pasi u edukua në shkollë, Vusi Makusi mendoi që po të punonte në shërbimin civil do të bënte karrierë të madhe ishte optimist i madh.

Por sapo zyrtari i lartë, i hodhi Vusit vështrimin e parë, e kuptoi menjëherë që kurrë nuk do të mbërrinte të bënte ndonjë gjë për të qenë.

– E di çfarë, – i tha ai Vusit, – Hë për hë, unë kam vetëm një punë për një njeri me ambicie të madhe, kështu që po ta jap ty ta bësh.

Menjëherë pas kësaj, Vusi e pa veten në një autobus që kërkëllinte, luhatej e kërcente nëpër gropat e rrugës duke hyrë thellë e më thellë në xhungël derisa mbërriti në destinacion, një vend – kënetë, i rrethuar nga një pyll i madh kodrinor.

– E marr vesh që mbërrita, por nuk po shikoj dot ku është fshati, – tha Vusi.

Shoferi i autobuzit bëri me gisht në drejtim të vendit ku gjendej fshati.

– Çfarë dite do kthehet sërish autobuzi? -pyeti Vusi.

– Të shtunën, – ia futi kot shoferi.

Vusi kishte njëzetë orë që u fliste pasagjerëve për detyrën e tij të re dhe shoferi, pikërisht për këtë qe mërzitur.

Hyp e zbrit Vusi nëpër kodrat e fshatit dhe më në fund e mbajti frymën tek kasollja e kryeplakut. Si trokiti në derë u ul të priste. Në fare pak kohë, gjithë katundarët ia behën aty e nisën ta shqirnin me sy. Kur kryeplaku doli jashtë, Vusi u ngrit menjëherë në këmbë.

– Zotëri i mirë, – nisi të fliste Vusi, – Unë jam drejtuesi i ri i kësaj krahine i emruar nga qeveria demokratike. Kam ardhur t’ju sjell paqe, prosperitet, unitet, zhvillim dhe edukim per njerëzit. Kam ardhur t’ju tregoj dashamirësinë dhe zemergjerësinë time të madhe, që nënkupton rrugë të asfaltuara, shkolla të bukura, drithëra të bollshme, ujë me bollëk, traktora, mësues dhe doktorë. Shkurt muhabeti, mjafton që unë të bëj gati një listë me gjithçka ju duhet, dhe kjo punë merr fund.

I pari i katundit i nguli njëherë sytë Vusit, pastaj përnjëherësh ia dha gazit me të madhe; ha-ha-ha-ha… Ahhhhhh-ha-ha-ha-ha… Edhe të pranishmit aty rrotull, aq shumë u gajasën sa për të mos u plandosur përtokë, filluan të mbaheshin tek njëri-tjetri.

– Or çun, – tha së fundi i pari i katundit. – Për besë, na kënaqe!  Që kur pati kaluar këtejpari një trupë estrade, asht’ ba bajagi kohë pa qeshur kësisoj…

– Por unë e kam krejt seriozisht, zotëri! -tha Vusi.

Kësaj here, kryeplaku, qeshi aq shumë sa u rrëzua e ra në kokërr të shpinës.

– Or ti ccun! – tha ai ndërsa fshinte lotët e përpiqej të ngrihej, – A nuk shikon që të respektueshmen nënën time, në moshën 83 vjecare e kapën dhimbjet prej gazit. Mos do që kjo grua e vjetër, larg qoftë, të thyejë edhe brinjët?

Atë natë Vusi hëngri një darkë speciale dhe e mbushi mirë barkun. Ditën tjetër, nisi t’i binte rrotull katundit me një bllok në dorë duke pyetur e shënuar aty kërkesat që bënin banorët, të cilët, ç’është e vërteta, filluan të mërziteshin.

– Ai është padyshim një i shkalluar, që e kanë përzënë prej qytetit, – tha prifti.

– Është spiun dhe mos e diskuto. Po fut në listë gjithçka duan të na vjedhin, – tha gruaja e kryeplakut.

– Unë mendoj që ai do ketë ngrënë ndonjë goditje me çekiç pas koke, prandaj dhe është pak si i marrun mendsh, – tha farkëtari.

Kur njëzetë e tetë ditë kishin kaluar, Vusi i bëri një vizitë kryeplakut. I shpjegoi, që kishte punuar katër javë rresht, ndaj i duheshin tetë ditë pushim për të shkuar e për të parë nënën e tij të vjetër. Gjithashtu ai iu lut t’i huazonte çadrën dhe i premtoi që sapo të merrte pagesën e parë nga qeveria e sapoardhur në pushtet, në vend të së vjetrës, do t’i blinte një çadër fringo të re.

Kryeplaku i shtrëngoi dorën dhe pranoi t’ia jepte çadrën. Vusi iu lut gruas së kryeplakut që t’i huazonte edhe një batanije dhe ajo ia dha. Ngase do t’i duhej të bënte rrugë të gjatë e plot rreziqe mes shkurrnajave për të mbërritur deri tek stacioni i autobuzit, Vusi vajti tek farkëtari dhe iu lut për një thikë. Kështu, ai u nis për udhë duke mbajtur në dorë një valixhe shkatërraqe.

– Nuk bën kështu, – tha kryeplaku, – Dikush duhet t’i thotë, që autobuzi nuk vjen kësaj ane.

Pritën sa pritën dhe më në fund qe farkëtari ai që mori i pari rrugën poshtë luginës për ta bindur Vusin, që autobuzi nuk do të vinte. E gjeti Vusin teksa priste në stacionin e pluhurosur.

– Jam i sigurtë, që autobuzi do të vijë shumë shpejt, – i tha Vusi farkëtarit.

Si kaluan dy ditë, vajti vetë kryeplaku ta bindëte Vusin, që autobuzi nuk vinte, por teksa u kthye, ai hapi krahët për të lënë të kuptohej se nuk kishte pas ç’ti bënte.

E provoi edhe prifti, por edhe ai pa sukses.

– Kaplloqja e tij ka imunitetin e budallait, nuk i ban asgja logjika, – tha gruaja e kryeplakut. – Unë them më mirë ta prekim në zemër, ose, si të thuash, ta qorrollepsim. T’i dërgojmë vajzën e poçarit, sepse ajo është më e bukura e kësaj nahije dhe ndoshta do ta bindë.

Vajza e poçarit vajti, por edhe ajo, me t’u kthyer ngriti supet e tha se nuk shpresonte se do ia dilnin për ta bindur Vusin të largohej nga stacioni.

– Të dërgojmë mbesën e priftit, – propozoi farkëtari. – Ajo vërtet nuk është dhe aq e bukur, por është e zgjuar ama, ka mprehtësi në mendime dhe është shumë e zonja në fjalët që përdor.

Kësisoj, fshatarët nisën drejt Vusit njërën pas tjetrës të gjitha gratë e reja e të bukura derisa mbeti vetëm një e fundit, as e bukur, as e shëmtuar.

– Në rregull. Le ta provojë njëherë edhe ajo, – tha kryeplaku teksa i hapej goja. Dhe vajti të shtrihej, të merrte një sy gjumë.

Vajza u derdh rrugës tatëpjetë luginës shumë e zemruar për faktin pse e kishin konsideruar budallaqe duke e nisur të fundit në drejtim të Vusit, prandaj me ta parë, e gjuajti gjithë urrejtje me një farë nga fruti i mangos.

– O Idjot! – briti ajo. – O i dalun mensh! Ta dish që çfardo të bësh, nuk do më bëhet hiç vonë. A mendon se njerëzit do e kënë mendjen tek ti po të rrishë këtu derisa të bëhesh gur?

Ngase qe dëshpëruar shumë, ajo u shkreh menjëherë në lot.

Vusi e pa njëherë drejt në sy, pastaj shumë i prekur vajti e ra në gjunjë para saj.

– E dashur zonjushë! – nisi të fliste ai. – Ky shpërthim emocionesh nga ana jote, vjen ngase i ke ndrydhur brenda shpirtit tënd për një kohë të gjatë. Nëse unë të jam dukur i pavëmendshëm, kjo ka ndodhur sepse ti, nuk më ke dhënë asnjë shkas për të më treguar se më do. Po ta dija që ndjen për mua, kurrë nuk do isha treguar indiferent. Por tani u lumturova, sepse për mua ky është një lajm fort i mirë. Kur autobuzi të vijë dhe unë të shkoj tek nëna, do t’i them se falë Zotit, kam gjetur gruan time të ardhshme. Deri atëherë, do të tregoheshe shumë e mirë nëse do rrije për pak kohë me mua.

Derisa kjo qe një ndodhi e përjetuar, më e mirë nga ato që rrëfehen me fjalë, vajza mendoi të qëndronte pak kohë me Vusin. Pas kësaj, Vusi nisi t’i tregonte për të ardhmen, sa e bukur do të ishte ajo. I foli për traktorë, klinika mjeksore e dentare, shkolla dhe pompa uji, lopë të shëndetëshme e pulari për mish e vezë; i foli për stacione televizive, banjo të pastra, zyra, telefona, rrugë të gjera e të asfaltuara, ajroplanë që shkojnë e vijnë, ndërtesa të larta dhe autobuzë, që ndalojnë gjithandej nëpër stacione duke përshkuar vendin nga të katër anët. Dhe të gjitha këto, do të bëheshin të mundura prej Vusit.

Në mëngjez, filloi të binte shi. Vusi hapi çadrën e kryeplakut, ndërsa shiu binte e binte papushim. Një majmun i vogël me lesh të kuq, u shfaq matanë rrugës. Dukej i trishtuar dhe në vetmi të plotë.

– Shiko atje, – tha Vusi. – Edhe majmuni po pret te vijë autobuzi.

– Si është e mundur, sepse ai nuk ka ndonjë trastë apo valixhe, – tha vajza.

– Ke të drejtë, – pranoi Vusi, – Ndoshta pret të afërmit që t’i vijnë me autobus.

Pas pak majmuni filloi të dridhej.

– Vusi, – tha vajza, – Ose ftoje majmunin të vijë me ne nën çadër, ose përzeje prej aty. Nuk e shikoj dot më gjatë atë fytyrën e tij kaq të trishtuar.

– Patjetër që mund të vijë të futet nën cadër, – tha Vusi. – Edhe ai është një qytetar i nderuar i vendit tonë të madh e të mrekullueshëm.

Kësisoj, majmuni, vajza dhe Vusi u mblodhën nën të njëjtën çadër. Ndërsa shiu vazhdonte të binte, një hurdhë e madhe u krijua para tyre në luginë.

– Natyrisht, që qytetarët e një vendi të madh, nuk mund ta presin autobuzin duke u lagur në shi. – tha vajza. – Përderisa ti je i dërguari i qeverisë, sa kohë që presim autobuzin, mund të shkosh të gjesh ca degë dhe të bësh me ta një kasolle në stacion. Ky do të ishte një shërbim në dobi të të gjithë njerëzve.

– E kuptoj që ti nuk qenke vetëm një bukuroshe, – tha Vusi duke miratuar me kokë. – Atëherë, do të bëjmë kështu: nëse autobuzi vjen ndërkohë që unë po pres ca degë për të ndërtuar kasollen, ma lësho një zë; sepse nuk dua të më ikë autobuzi dhe të humbas shansin për të parë sa më shpejt nënën time.

Kështu Vusi mori thikën, preu degë dhe ndërtoi kasollen.

Ata të dy rrinin në pritje të autobuzit brenda kasolles, kurse majmuni, qe ulur e rrinte mbi çati.

Një tjetër ditë kaloi, pastaj një tjetër e një tjetër…

Ndërkohë shiu kishte pushuar. Pastaj kaloi njëherë aty pari kryeplaku i katundit, i përshëndeti me kokë dhe iku në punë të vet. Hurdha para tyre nisi të bëhej më e madhe. Vusi kapi një peshk që ta hanin për darkë. Asnjë këmbë tjetër njeriu nuk kaloi në rrugë. Asnjë për be.

Vusi dhe vajza, prisnin në kasolle. Aq shumë pritën sa vajza lindi një fëmijë.

– Sa e lumtur do të jetë nëna ime kur të shikojë fëmijën, – tha fort i gëzuar Vusi.

– Sigurisht, i dashur bashkëshorti im, – tha gruaja. – Njerëzit do të presin autobuzin këtu bashkë me fëmijët e tyre. Unë mendoj se do të qe mirë sikur të kishim edhe një dhomë shtesë ku të shtriheshin për të fjetur të qetë.

Vusi mori thikën dhe preu degë të tjera. Kësisoj ai shtoi edhe një dhomë tjetër. Jashtë dere, farat e mangos mbinë dhe filluan të rrisnin gjethet e tyre. Një majmun i dytë iu bashkua të parit. Shumë shpejt ata u bënë me një këlysh të vogël. Ndërsa shiu binte e binte papushim, lumi u mbush e u fry si kurrë ndonjëherë.

– Vusi! – tha gruaja. – Një ditë ky vend do të jetë një stacion i madh autobuzësh. Shumë udhëtarë do të shkojnë e vijnë, do të duan të hanë e pinë, prandaj kemi përpara një shans të madh për të bërë tregëti. Këtu rrotull gjendet mjaft tokë për të mbjellë misër, me të cilin, do të prodhojmë birrë. Atëherë, ti nuk do të jeshë më vetëm një punonjës i shtetit, dhe unë gjithashtu, do të jem një tregëtare e suksesshme.

Kështu ajo punoi tokë anash lumit dhe mbolli pemë e zarzavate, pra ndërtoi një kopësht. Pastaj vajti në kasolle ku lindi një tjetër fëmijë.

– Unë mendoj se e kam kuptuar gabim atë zotërinë e autobuzit, – tha Vusi një ditë. – Me siguri, nuk do jetë e shtuna dita që vjen autobuzi, por mund të jetë muaji janar i çdo viti. Dhe, ngase për tre vjet nuk ka mbërritur këtu asnjë autobuz, mendoj se ata do të vijnë që të tre njëherësh. Ky është një zakon i famshëm shoferësh autobuzi, një zakon, që e dinë të gjithë.

– Vusi, – tha Vajza. – Nëse vijnë tre autobuzë njëherësh plot me njerëz, unë nuk kam mjaft ushqim për t’u dhënë. Veç kësaj një restorant i mirë duhet të ketë shumë lloje pjatash. Shko në xhungël dhe kap nga ato shpendët e mëdha në ngjyrë hiri, që i kemi parë njëherë. Unë do t’i mbarshtoj dhe kështu do kemi mish për të gjithë.

– Kjo është vërtet një ide e mirë, ndaj po nisem menjëherë, – tha Vusi. – Por, nëse autobuzi vjen dhe unë vazhdoj të jem në xhungël, u thuaj njerëzve të presin.

Vajza u ngul në pritje anës rrugës, por asnjë autobus nuk erdhi. Madje as banorët e fshatit nuk u dukën më asaj ane.

Pas pesë ditësh, Vusi u kthye te kasollja duke mbajtur në duar dy pula hini të egra.

– A nuk e kam humbur autobuzin? – pyeti i merakosur Vusi.

Gruaja e siguroi që nuk e kishte humbur.

– Koha po mban shumë e keqe, – tha Vusi, – prandaj kam frikë se asnjë autobuz nuk ka për të ardhur këtë vit. Megjithatë, do të qe e turpshme të mos prisnim edhe pak. Aq më tepër, nuk do të qe mirë ta linim këtë vend tani që kemi bërë rreth kasolles gjithë ato modifikime për hotel dhe restorant.

Edhe një vit tjetër kaloi.

– Vusi, – tha vajza. – Duhet të ndërtosh një gardh, që pulat e hinit t’i mbajmë brenda. Nuk do jetë mirë po na i shtypi autobuzi.

Sërish, iku dhe një tjetër vit.

– Vusi, – tha vajza, – Peshqit nuk jetojnë po nuk patën ujë. Çfarë do të ndodhë nëse autobuzi vjen dhe unë nuk kam as edhe një peshk të vetëm? Me çfarë do i ushqejmë pasagjerët? Duhet rrethuar me gardh një vend brenda lumit, që të kemi mundësi të mbajm aty peshq të gjallë.

Një tjetër vit kaloi dhe e shoqja lindi edhe një tjetër fëmijë.

– Sigurisht, ky shërbim urbanistik është i papranueshëm, – tha Vusi një ditë. – Kur autobuzi të vijë, të na marrë e të na dërgojë në qytet, do kemë shkruar një letër për ministrin e transportit. E vetmja gjë e mirë, grua e dashur, është se paratë e rrogës time që si kam marrë asnjëherë sa vijnë e shtohen në bangë.

Një tjetër vit kaloi dhe autobuzi sërish nuk erdhi. Ndërkohë mangot qenë rritur e dhanë prodhim të bollshëm. Ata kishin pritur shumë gjatë. Vusi nisi të merakosej sepse djali i tij i madh qe në moshë për t’u martuar. Pastaj, erdhi një ditë kur një zhurmë e panjohur nisi të dëgjohej nëpër xhungël. Jehona e kësaj zhurme përplasej gjithandej.

– Autobuzi! Autobuzi! – thirrën fort përnjëherësh fëmijët e vegjël të Vusit, të cilët, e kishin përfytyruar autobuzin mu si një përbindësh.

Rreth majës së kodrës, u shfaq një helikopter me shkronjat “UN” anash tij. Pastaj helikopteri u ul mu në mes të rrugës dhe që brenda tij dolën jashtë katër ushtarë të nervozuar që nisën të kontrollonin zonën me shumë kujdes. U panë edhe dy të tjerë si punë shkencëtarësh, sepse qenë veshur me pardesy të bardha, mbanin letra nëpër duar, kurse turinjtë, ata i kishin mbuluar me maska higjenike. Në fund fare, ia behu një politikan i veshur me kostum e duke mbajtur me dorë një shami tek hundët. Të gjithë ia ngulën sytë Vusit, gruas së tij dhe shtatë fëmijëve.

– E shikoj, – tha Vusi. – Ata kanë përmirësuar shërbimin. Në mungesë të autobuzëve, kanë sjellë helikopterë. Prandaj dhe na u desh që të prisnim kaq gjatë.

– Cfarë dreqin bëni ju këtu?! – pyeti politikani.

– Po presim për autobuzin që të vijë, – tha qetë-qetë Vusi.

– Por, si arritët t’i shpëtonit luftës civile? – pyeti një general.

– Luftë civile?! – pyeti i habitur Vusi.

– Po, luftë civile. Lufta që fshiu nga faqja e dheut gjysmën e popullsisë, – tha politikani.

– Por ne, as që kemi parë me sy ndonjë ushtar! – tha Vusi duke luajtur edhe kryet.

– Edhe nëse keni mundur t’i ikni luftës civile, – tha gjenerali, – si keni mundur t’i shpëtoni krizës për bukë, që bëri të vdisnin gjysma e atyre që mbijetuan nga lufta?

– Krizës? Çfarë krize?! – ia bëri gjithë habi edhe gruaja e Vusit, ndërsa hodhi vështrimin mbi pemët plot me kokrra të mangos dhe mbi kotecin e madh ku mbante pulat e hinit.

– Në rregull, – foli njëri nga shkenctarët. – Edhe nëse i keni mbijetuar luftës dhe krizës së bukës, si është e mundur t’i keni mbijetuar virusit?

– Virus?! – pyeti i habitur Vusi. – Për cfarë virusi e keni fjalën, zotëri?!

– Virusit vdekjeprurës, që dërgoi në botën tjetër të gjithë ata që mbijetuan nga lufta dhe kriza e bukës, – tha shkenctari i dytë. – Virusit, të cilit, askush nuk mund t’i shpëtojë, përveç ndonjë rasti të rrallë e të jashtëzakonshëm mbijetese në prag të zhdukjes të ndonjë majmuni qimekuq.

Ato çaste, majmuni i vogël qimekuq, u ngjit me një kërcim mbi supin e Vusit, ngriti veshët dhe nisi të shikonte e dëgjonte me shumë familjaritet. Por Vusi e largoi me një lëvizje instiktive të dorës, pa e patur fare vëmendjen tek kafsha.

– Ju thatë se ky është një virus i tmerrshëm? – pyeti Vusi. – Për zotin, o zotëri, unë nuk mbaj mend të ketë qenë sëmurë ndonjëri prej nesh.

– Vusi! – i thirri gruaja ndërsa e preku në sup, – Ftoi të rrinë për darkë. Çfarë pret? Do të jenë klientët tanë të parë.

– Natyrisht, – tha Vusi. Dhe duke u kthyer nga të ardhurit tha: – – Epo, urdhëroni…! Mirë se na erdhët zotërinj! Çfarë dëshironi? Doni t’ju servirim peshk, apo pula hini?

Politikanët, shkencëtarët dhe ushtarët dukeshin shumë të frikësuar, ndaj deshën të sprapseshin drejt helikopterit.

– Ne do largohemi prej këtu, – tha prerë gjenerali.

– Do ju marrim edhe ju me vete, – tha politikani. – Do të keni ndihmë mjeksore, asistencë, përkujdesje, rroba të pastra, shtëpi, dritë elektrike, – gjithçka ju duhet. Veç kësaj, do të bëheni të famshëm sepse gazetarët do ju marrin në intervistë.

– Përse të gjitha këto, zotëri? – pyeti Vusi me shumë edukatë. – Ne ju falenderojmë shumë, që dashkeni të na bëni gjithë këto të mira, por nuk mund të largohemi prej këtu. Na duhet të presim autobuzin. Megjithatë, do ju lutesha vetëm për një favor, nëse mund të na e bëni. A keni një letër dhe një laps?

Ata ia dhanë, edhe letrën edhe lapsin.

Vusi u ul kacipup dhe shkroi një letër të vogël në adresë të ministrit të transportit, ku ankohej për nivelin e ulët të shërbimit të autobuzëve në zonat me fshatra dhe ia la atë në dorë politikanit.

Pasi helikopteri qe larguar, Vusi u duk paksa i mërzitur.

– Uri, luftë, sëmundje… – tha ai. – Jam i sigurtë që të gjitha këto nuk mund të ndodhin në vendin tonë të bukur.

– Zakonisht, ato gënjejnë, – tha gruaja. – prandaj, hajde të ngjitemi në majë të kodrës dhe të shikojmë me sytë tanë çfarë po ndodh në të vërtetë.

Vusi me të shoqen morën përpjetë duke ecur në një rrugë të vjetër, që nuk ishte shkelur për shumë vite. Një rrugë copë-copë, gjithë gurë dhe vende-vende e plasaritur. Në fund, kur ata kishin mbërritën në majë të kodrës, panë në distancë një tokë të shkretuar me pemë të rrëzuara, tanke të djegur, fshatra të rrënuar dhe të mbjella të braktisura.

U kthyen në shtëpi që të dy, të zënë dorë për dore. Gruaja nisi të përgatiste ushqimin e darkës, kurse Vusi, zuri vend ulur rrafsh në dyshemenë e kasolles me fëmijët rreth tij. Dukej i qetë, por i zhytur në mendime të thella. Në fund ai foli:

– Moj grua, – tha ai. – e di që ka ndodhur, që disa njerëz, më kanë konsideruar si budalla. Ama kur e mendoj, të betohem në zot, që gjithçka kam bërë, më ka dalë për mirë.

Dhe u shtrua të hante me shumë oreks një pjatë të madhe me mish të pjekur pule.

Përktheu nga anglishtja: Ramiz Gjini

Marrç nga “Fjala review”