Deputeti i ardhshëm i Kuvendit të Shqipërisë, Mark Marku, i dalë nga zgjedhjet e 25 prillit 2021 në qarkun e Lezhës, duket se është ndër të paktët brenda PD-së që guxon të flasë dhe të kritikojë partinë dhe liderin, aty ku duhet dhe nëse gjërat nuk shkojnë mirë.
Marku ka një të kaluar të ngjashme edhe në kohën kur PD e drejtonte Berisha, dhe qysh atëherë ishte ndër të paktët që bënte kritika.
Pedagogu i njohur ka publikuar një segment ligjërate në rrjete sociale, ku pranon dhe kërkon që edhe të tjerët ta pranojnë, se PD nuk është më forcë e parë në Shqipëri, qysh prej vitit 1992, ndaj bën thirrje që ky fakt që shpeshherë është përdorur si sulm nga kundërshtarët, të mos anashkalohet pasi është një problem që nuk zgjidhet vetë.
Ai kërkon një ristrukturim të PD-së me grupet e interesit, shoqërinë civile, botën akademike, mediat dhe gjithë shoqërinë shqiptare në përgjithësi.
Edhe para dy ditësh Marku foli me kritika teksa shkruante në Facebook se PD po kalon momente dramatike dhe se elektorati është demoralizuar nga humbja.