Arrestohet drejtuesi i makinës tip “Benz” i cili nuk iu bind urdhrit të policisë së Tiranës për të ndaluar gjatë një operacioni anti-drogë që po kryenin këta të fundit.
Sipas News24, drejtuesi i mjetit është kapur disa minuta pasi iu largua policisë, pranë vendit të ngjarjes.
Ngjarja e pazakontë ka ndodhur pasditen e kësaj të marte në zonën e Varrit të Bamit në kryeqytet. Gjatë një operacioni anti-drogë policia i kërkoi drejtuesit të një makine “Benz” që të ndalojë dhe të dalë nga automjeti.
Por ai nuk u është bindur urdhrit të efektivëve duke i dhënë gaz makinës e duke u larguar.
Pranë automjetit mund të shihet një polic me uniformë dhe dy civilë që i bëjnë thirrje vazhdimisht drejtuesit të “Benz”-it që të hapë derën. Madje në një moment dëgjohet njëri prej tyre që i drejtohet shoferit me fjalor banal: “Hape derën policia o k*r… Hape derën o b*thq**”.
Pasi dështojnë të ndalojnë drejtuesin e makinës, efektivët u kthehen gazetarëve të pranishëm. Në një moment policët shtrijnë përtokë gazetarin Ergys Gjençaj duke mos e lejuar të filmojë me celular dhe i marrin telefonin.