Trump kritikon Joe Biden: Ishte me pushime kur Afganistani po shkonte për dreq

0
134

Presidenti amerikan, Joe Biden, është justifikuar para kritikëve për situatën në Kabul duke thënë se largimi prej Afganistanit gjithmonë do të kishte qenë i vështirë e i dhimbshëm.

Një javë nga rënia e kryeqytetit afgan në duart e Talibanit, shefi i Shtëpisë së Bardhë tha se po vijojnë evakuimet me avionët ushtarakë dhe tanimë edhe me linjat ajrore civile, ndërkohë që ekziston ende rreziku i një sulmi në aeroport nga militantët islamikë të grupit ISIS.

Biden tha se prej një jave Amerika ka shpëtuar 28 mijë veta, e thuajse aq kanë mbetur atje.

“Nuk ka se si t’i evakuosh kaq shumë njerëz pa dhimbje e humbje apo pa ato imazhet rrëqethëse që shohim në televizor. Mua më dhemb shpirti kur i shoh ashtu. Por po provojmë se mund t’ia dalim dhe me mijëra po ikin nga Kabuli përditë.”

Të paktën 20 veta kanë vdekur mes turmave që rrethojnë aeroportin e Kabulit, duke tentuar të shpëtojnë jetën e rrezikuar nga regjimi taliban.

Presidenti Biden tha se janë bërë ndryshime për t’i lehtësuar evakuimet pa pasoja fatale, ndërsa ish-paraardhësi i tij, Donald Tramp, gjatë një tubimi me simpatizantët e akuzoi demokratin si përgjegjës për kaosin e krijuar në Afganistan.

“Dorëzoi bazën ajrore, dorëzoi armët, dorëzoi ambasadën që na kushtoi 1 miliard dollarë për ta ndërtuar. Biden ishte me pushime kur Afganistani po shkonte për dreq.”

Amerika ka caktuar 31 gushtin si datën për t’u tërhequr përfundimisht me ushtrinë e vet nga Afganistani, por aleatët europianë thonë se koha është tepër e shkurtër për t’i evakuar të gjithë.

Një prej të zhgënjyerve është edhe ish-kryeministri britanik Toni Bler, i cili 20 vite iu bashkua fushatës antiterroriste kundër Talibanit.

“Nuk është kjo situata ku duhet të ishim. E vërteta është se po bënim progres dhe vendimi për t’u tërhequr ushtarakisht, i cili realisht filloi me marrëveshjen e shkurtit 2020 që nënshkroi administrata e shkuar amerikane, u mor, në thelb, prej arsyeve të brendshme të Amerikës. E kuptoj mirë këtë por nuk duhej bërë që misioni në Afganistan të kishte përfunduar me sukses,” tha ish-kryeministri Bler.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here