130 milionë euro që do të jepen për Unazën e Madhe do të ndahen mes 7 kompanive që tashmë duket se janë paravendosur. Në analizën e kritereve, rezulton se në çdo lot ka një kusht që e plotëson vetëm një subjekt. Ndërsa për shkak të afateve dhe numrit të punonjësve që kërkohet është e vështirë të krijohet bashkim operatorësh.Të gjitha subjektet që mesa duket do të dalin fituese duket se kanë lidhje me politikanë.
Sot është mbyllur afati për dorëzimin e ofertave për ndërtimin e 7 loteve të Unazës së Madhe që kapin në total vlerën e 130 milionë euro.
Më herët në investigimin e Ora News kemi konstatuar se kriteret janë tërësisht subjektive, pasi çmimi më i ulët merr 50 pikë nga 70 që është në procedura të tilla.
Por në analizën e plotë të dosjes rezulton që në çdo lot ka një kriter që favorizon një kompani të caktuar.
Pa dashur të paragjykojmë e të themi emrin, në lotin e parë përcaktohet se kompanitë ndër të tjera veç kamioneve të tonazheve të ndryshme dhe numrit të punonjësve duhet të ketë dhe një mjet damper, që në Shqipëri e kanë pak kompani.
Por e vendosur dhe në kriteret e tjera të çojnë drejt fituesit.
Në lotin e dytë dallimi bëhet te inxhinierët gjeoteknikë si drejtues teknik dhe te numri i licensave të tjera të inxhinierëve.
Sipas të dhënave zyrtare të kompanisë edhe këtë kriter duket se e plotëson një kompani.
Edhe në lotin e tretë duket se fitues do të jetë një subjekt me lidhje politike, e sërish janë kriteret që të çojnë drejt këtij konkluzioni.
E njëjta procedurë është dhe në lotin katërt, këtë radhë lidhjet janë edhe më shumë se politika. Ndërsa mësohet se në këtë procedurë do të ketë bashkim operatorësh.
Kritere të mirëorganizuara janë dhe për rrugët e tjera, ndërsa lista e fituesve prej ditësh qarkullon mes kompanive dhe mediave.
Nuk janë vetëm inxhinierët dhe mjetet e rënda që sjellin drejt fituesit por dhe skema për numrin e punonjësve, ku pjesëmarrësit duhet të kenë 150 persona të deklaruar në disa raste dhe në të tjera 300.
Por vlerësim do të ketë kompania që premton se do të ofrojë punonjës të zonës.