Mjeshtri i jareve/Ndahet nga jeta bilbili i këngës qytetare shkodrane, Big Ndoja

0
181

 

 

ndoja_1Kur pothuajse të gjithë jemi të përgatitur për festime me rastin e pritjes së Vitit të Ri 2016 për familjen Ndoja, për Shkodrën dhe për gjithë Shqipërinë mëngjesi i së dielës së 27 dhjetorit na solli një lajm aspak të mirë. Një sëmundje e rëndë u bë shkak i ndarjes nga jeta në moshën 90-vjeçare për bilbilin e këngës qytetare shkodrane, Bik Ndoja. Ludovik Ndoj Gjergji i njohur si Bik Ndoja është një nga këngëtarët më të shquar të muzikës popullore shkodrane të gjysmës së dytë të shek. XX. Ai lindi në Shkodër më 13 gusht të vitit 1925 dhe kreu gjimnazin në shkollën e vjetër “Jordan Misja”. Lidhur me muzikën popullore, ai e filloi këngën që në moshë të vogël, por njihet nga të gjithë se për herë të parë këndoi në një dasmë familjare, shoqëruar nga një prej formacioneve popullore me vegla të qytetit të Shkodrës, ku drejtonte dhe interpretonte në fizarmonikë Karlo Radoja. Këngët dhe magjia e interpretimit të mjeshtrit Bik Ndoja kanë qenë përherë pjesë e gëzimeve të familjeve shkodrane, ku përpos performancës së përcjellë në skenën e teatrit “Migjeni”, ai gjente kohë t’ia plotësonte dëshirën bashkëqytetarëve të tij për të marrë pjesë në dasmat dhe ahengjet tradicionale, që Shkodra përherë i ka pasur të vetat. Gradualisht, aktiviteti i tij u zgjerua dhe më shumë nëpërmjet koncerteve që dha në të gjithë Shqipërinë, si dhe në ato jashtë shtetit. Ai ka kënduar një numër të madh këngësh ndër të cilat përmendim: “Elbarojen ta pata fal”, “Si dukat i vogël je”, “Jare të due”, Kënga e Ded Gjo’Lulit etj. Në vitin 1969 iu akordua titulli “Artist i merituar”, ndërsa në vitin 1999 Bashkia e qytetit të Shkodrës i akordoi titullin “Krenaria e qytetit”. Në vitin 2007 Qendra Kombëtare e veprimtarive folklorike i jep titullin “Interpretues i shquar i jares shkodrane”, ndërsa që në vitin 2011 pranë institucionit të Presidentit qëndron dosja për akordimin e titullit “Mjeshtër i madh”, por që asnjëherë nuk iu dha. Për herë të fundit Bik Ndoja mori pjesë në një aktivitet artistik në vitin 2014, atë të “Ahengut Shkodran”. Homazhet në nderim të bilbilit të këngës qytetare Shkodrane Bik Ndoja do të zhvillohen në Teatrin “Migjeni” ditën e hënë nga ora 11:00-13:00. Largohet fizikisht kështu një nga perlat e muzikës popullore shkodrane, por emri i tij dhe sidomos këngët e tij do të vijojnë të jetojnë gjatë brez pas brezi në qytetin e tij të lindjes por edhe më gjerë, ku ai këndoi për shumë e shumë vite, sidomos në Kosovë, të cilën ai e kishte aq për zemër dhe që realisht kosovarët e donin jashtë mase. I lindur dhe rritur në një nga rrugicat karakteristike të Rusit të Vogël në një familje shkodrane me tradita muzikore dhe shumë artdashëse si ajo Gjergji, nga gjiri i të cilës kanë dalë breza të tërë artistësh, Biku që në fëmijëri dhe deri sa mbylli sytë përgjithmonë ka spikatur për talentin e këngëve të interpretuara prej tij. Por, përveç kësaj, ai ka qenë edhe një rrobaqepës i talentuar, profesion që në rini iu desh ta ushtronte për t’i ardhur në ndihmë familjes, ndërkohë që për vite të tëra ka qenë ndër shtyllat kryesore të ansamblit të teatrit “Migjeni”, Radio Shkodrës dhe Radio Televizionit Shqiptar. Ndarja nga jeta paraditen e së dielës e mjeshtrit të madh të këngës popullore shkodrane ka tërhequr jo pak vëmendjen e opinionit publik në Shkodër dhe më gjerë, deri edhe përtej kufijve të Shqipërisë, të cilët menjëherë nuk kanë nguruar të përcjellin ngushëllimet e tyre për humbjen e kësaj figure të rëndësishme të artit shqiptar. Një nga ato është edhe ajo e kolegut tonë Ramadan Bigza, ish-gazetarit të Radio Shkodrës që për fatin e tij të mirë gjatë ushtrimit të detyrës së tij ka pasur rastin ta ketë të ftuar sa e sa herë në studion e Radio Shkodrës shumë e shumë vite më parë. Nga Athina e Greqisë ku ai jeton prej më shumë se 20 vitesh, Bigza shkruan: “Lamtumirë Bik Ndoja, lamtumirë “Mjeshtër i Madh”- E kam me Presidentin e Republikës së Shqipërisë, i cili që nga viti 2011 ka në sirtarët e tij të gjithë dokumentacionin për ta bërë “Mjeshtër të Madh”, këngëtarin e njohur popullor Bik Ndoja. Por jeta e mjeshtrit të këngës shkodrane nuk e ka pritur Presidentin deri në pafundësi. Ai është ndarë nga jeta në moshën 90-vjeçare. Shkodra në këtë ditë të diel duket edhe me vogël, nuk e ka atë entuziazmin e saj karakteristik. Edhe pse me një kohë plot diell, qielli duket se është vranësuar. Në oborrin e saj nuk do të këndojë më bylbyli Bik Ndoja. Eshtë një humbje e madhe për popullin dhe kulturën e tij. E megjithatë, ky Mjeshtër i Madh ende nuk është pagëzuar si i tillë nga shteti i tij. Por Bik Ndoja me zërin e tij brilant është bërë për popullin mjeshtër e kaluar mjeshtrit. Sot ai u largua fizikisht, por shpirtërisht ai ka për të mbetur përjetësisht në mendjet dhe zemrat e çdo qytetari shkodran. Lamtumirë Bik Ndoja. Lamtumirë “Mjeshtër i Madh”!