Berisha: Basha shpalli se do mbajë anti-Kuvend me datë 18, revolucioni paqësor i demokratëve mbledh Kuvendin fuqiplotë në 11 dhjetor

0
105

Lideri historik demokrat, Sali Berisha, deklaroi nga Fushë-Kruja se Lulzim Basha do të bëjë anti-Kuvend më 19 dhjetor. Ai tha se e ka penguar Bashën vetëm për një gjë, që të bënte aleancë bashkëqeverisëse me Edi Ramën.

“Ky zotëri, i komanduar nga Edi Rama, shpall se do mbajë anti-Kuvend me datë 18. Këtë nuk e bëri Sali Berisha, ai nuk e deshte pluralizmin. Me datën 11, revolucioni paqësor i demokratëve mbledh Kuvendin fuqiplotë të demokratëve, që kanë marrë në dorë fatet e tyre. Ky Kuvend do ecë pa ndalur deri në përmbysjen e narkoshtetit në Shqipëri.

Në statutin e ish-kryetarit nuk ka asnjë nen ku thuhet se firmat duhet të depozitohen në këtë zyrë apo në atë zyrë. Nuk ka. Ata kanë vetëm një detyrim ndaj PD, të afishojnë rendin e ditës dhe datën në të cilën thërrasin Kuvendin për të cilin kanë firmosur.

Menaxherët e 1800 firmave janë vetëm ata që kanë firmosur. Pakica ka të drejtë të plotë të vijë dhe të verifikojë çdo mandat në përputhje me listat në Kuvend. Të ketë përfaqësuesit e saj, të bëjë propozimet e saj për statut. Por nuk ka në dorë të pengojë ata që mblodhën firmat kundër tyre. Ai e ka shndërruar partinë në një ministri të Edi Ramës.

Kjo kohë që na ka ngelur, të angazhohemi në një dialog intensiv me ata që kanë një ndjenjë të veçantë për peng-kryetarin. Atyre u themi që nuk kemi asgjë me ju, jeni të mirëpritur në Kuvend. Të bashkohemi sa më shumë në këtë përpjekje të madhe,” tha Berisha.

“Opozita dështoi në çdo aksion, jo për fajin tuaj sepse ju sakrifikuat si asnjëherë tjetër, por sakrifikuat për shkak të një kryetari që mendonte krejtësisht për vete, për interesat e tij, dhe mendonte në mënyrë absolute se si të shkonte në bashkëqeverisje me Edi Ramën. Nëse është një vendim që e ka penguar Sali Berisha, u garantoj se është vetëm ky vendim. E kam bërë këtë me ndërgjegjen më të thellë se një aleancë me krimin dhe korrupsionin do ishte dita më e zezë për Shqipërinë dhe shqiptarët,” theksoi Berisha.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here