I arrestuar tre ditë më parë, Gjykata e Durrësit ka vendosur “arrest me burg” për 50-vjeçarin Festim Hadëri, i akuzuar për kryerjen e marrëdhënieve seksuale me mbesën e tij, duke shokuar opinionin publik.
Ditën e sotme i akuzuari është përballur për herë të parë me gjykatën, e cila ka vleftësuar arrestimin e tij nga policia dhe ka caktuar si masë shtrënguese “arrest me burg” deri në përfundim të hetimeve.
Festim Hadëri nuk i ka pranuar në asnjë rast akuzat që ngrihen ndaj tij, ndërsa në seancë avokati mbrojtës i 50-vjeçarit ka kërkuar zëvendësim të masës së sigurimit personal me një më të butë edhe për shkak të gjendjes shëndetësore të klientit.
Sipas tij, i arrestuari ka pësuar një trombozë dhe ka pasur një ndërhyrje kirurgjikale në Angli dhe gjatë kësaj kohe të qëndrimit jashtë ishte shpallur në kërkim.
Gjyqtari i seancës Paulin Çera nuk e ka pranuar kërkesën e mbrojtjes dhe ka lënë në fuqi kërkesën e akuzës.
Festim Hadëri është kapur menjëherë pas kthimit në Shqipëri. Policia e kishte shpallur në kërkim për veprën penale “Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me persona në gjini ose kujdestari”. Arrestimi u bë mbi bazën e denoncimit dhe dyshimeve se ai ka kryer marrëdhënie seksuale me mbesën e tij 27-vjeçare, vajzën e të vëllait.
Në njoftimin e saj, policia vendore theksonte se i arrestuari dyshohet se ka kryer marrëdhënie kundër dëshirës së mbesës. Kjo rrethanë e rëndon më tej pozitën e 50-vjeçarit nëse provohet se e ka kryer këtë vepër penale që parashikon një dënim deri në shtatë vjet burgim.