Nga Adriatik Lapaj
PSE JAM KUNDËR ULJES SË NUMRIT TË GJYKATAVE
KLGJ po propozon uljen e numrit të gjykatave në kuadër të reformimit të sistemit të drejtësisë.
Nga 6 gjykata administrative të shkallës së parë propozojnë të bëhen 2.
Gjykatë Administrative Apeli propozohet të mbetet 1 për gjithë Shqipërinë (siç është).
Nga 22 gjykata fakti (gjykata të shkallës së parë), propozohet të bëhen 12.
Gjykata Apeli nga 6 propozohet të bëhet 1 për gjithë Shqipërinë.
PSE JAM KUNDËR:
1. Drejtësia nuk mund të jetë e drejtë vetëm e atyre që kanë para. Aksesi në drejtësi është thelbësor për të pasur drejtësi. Me këtë logjikë i bie të bëjnë vetëm 1 gjykatë në Tiranë për mbarë vendin që mund ta arrijnë vetëm të pasurit.
2. Ulja e numrit të gjykatave, indirekt stimulon shpopullimin e zonave periferike të vendit pasi ul shërbimet.
3. Ulja e numrit të gjykatave vret profesionin e avokatit në këto zona duke detyruar këtë kategori të zhvendoset me banim në zonat ku përqëndrohen gjykatat. Kjo varfëron intelektualisht zonat në fjalë.
4. Është e provuar se ulja e numrit të gjykatave është dështim. Mjafton të shikoni gjykatat administrative. Ishin 6 shkallë të para dhe 1 apel për gjithë vendin. Në shkallë të parë gjyqi mbaronte nga 3 muaj deri në 1 vit, apeli vonon 4 vite e sipër.
5. Në fakt reforma duhet të ishte ndryshe. Duhet kudo ku ka gjykatë të shkallës së parë të ketë dhe gjykatë apeli me qëllim zgjidhjen e shpejtë të çështjeve. Pra, nëse gjykimi mbaron në shkallë të parë për 6 muaj, më pak të marrë kohë apeli. Shtimi i numrit të gjyqtarëve dhe gjykatave të apelit është zgjidhja, jo e kundërta. Kini parasysh që sot ka një stok të madh gjyqesh të prapambetura. Apeli adminiatrativ ka mbi 12 000 dosje pa shqyrtuar. Nuk kanë nisur ende gjyqet e 2017-ës.
6. Nuk bëhet drejtësi duke demotivuar qytetarët të hapin gjyqe, por duke dhënë drejtësi për gjyqet që qytetarët vendosin të hapin.
7. Na kushton më pak të rrisim numrin e gjyqtarëve dhe gjykatave të apelit se e kundërta. Po mundohen të kursejnë në krunde.
Shqipëria nuk është vetëm Tirana. Mos e zvogëloni kaq shumë!