Presidenti Meta dekoron me Titullin “Mjeshtër i Madh” aktorin dhe regjisorin e shquar, Vasjan Lami

0
148

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta vlerësoi sonte me anë të një ceremonie të veçantë aktorin dhe regjisorin e shquar shqiptar, Vasjan Lami me Titullin e lartë “Mjeshtër i Madh”.

Kreu i Shtetit e dekoroi zotin Lami: “Në vlerësim të kontributeve të shquara në fushën e artit skenik, të shpalosura për dekada me radhë në skenën e Teatrit Kombëtar, nëpërmjet roleve të veçanta e të suksesshme, që kanë mbetur të gdhendur në kujtesën e artdashësve shqiptarë. Me mirënjohje të thellë për interpretimet e paharruara artistike, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në trevat shqipfolëse, si aktor dhe si regjisor i spikatur.

Duke iu drejtuar artistëve dhe personaliteteve të skenës teatrore dhe kinematografike të pranishëm në ceremoninë e vlerësimit, Presidenti Meta u shpreh:

“Të nderuar pjesëmarrës, të dashur artistë dhe familjarë, personalitete nga fusha të ndryshme.

Jam i lumtur që ndodhem bashkë me ju, në këtë ceremoni, për të vlerësuar aktorin dhe regjisorin e mirënjohur Vasjan Lami.

Është kënaqësi për mua që të nis vitin 2022, me nderimin dhe vlerësimin për një artist si zoti Vasjan Lami, i cili për 44 vite rresht ka për formuar në skenën e Teatrit Kombëtar.

Teatri është një nga format më të bukura dhe më ‘njerëzore’ të artit.

Edhe pse mund të duket si argëtim, në teatër, aktorët me interpretimin e tyre na ndërgjegjësojnë për mundësitë tona, na kujtojnë të kaluarën, na sjellin të ardhmen, na nxisin emocione, na fusin në mendime dhe diskutime, na japin shpresë e besim dhe na tregojnë një pasqyrim të asaj që ne jemi,  ose që duam të bëhemi.

Teatri na ndihmon të shikojmë perspektiva të tjera nga ajo që ne shohim për momentin, na kujton që nuk jemi vetëm, na nxit dialogun dhe mundësinë për ndryshim, sepse vetë aktorët janë nxitësit e ndryshimit dhe ne këtë e dimë shumë mirë edhe nga historia jonë.

Një film, një pjesë teatrale, një pjesë muzikore, ose një libër mund të ndryshojnë shumë.

‘Unë e konsideroj teatrin si më të madhin nga të gjitha format e artit, mënyrën më të menjëhershme në të cilën një qenie njerëzore, mund të ndajë me një tjetër, ndjenjën se çfarë është të jesh njeri.’ – ka thënë poeti dhe dramaturgu Oskar Uajld.

Ndaj, për gjithçka teatri dhe aktorët na japin duhet të kemi edhe ne vëmendjen e shtuar ndaj nevojave të tyre dhe gjithashtu edhe për vlerësimin e tyre.

Nderimi dhe vlerësimi i aktorit dhe regjisorit të mirënjohur, Vasjan Lami, më jep kënaqësinë që të vlerësoj një nga artistët, që me rreth 60 role në teatër dhe 40 role në filma, ka dhënë aq shumë për të gjithë ne.

Rolet e tij në teatër si: Tibaldi tek ‘Romeo e Xhulieta’, Jasoni tek ‘Medea’, Duka i Jorkut te ‘Henri VI’, si dhe interpretimet e tij në filma si: ‘Hije që mbeten pas’, ‘Telefoni i një mëngjesi’ apo ‘Dy luanë drejt Venecias’ etj., kanë lënë gjurmë në kinemanë dhe teatrin tonë.

Zoti Vasjan Lami, realizon rolet e tij me një përjetim dhe nivel të lartë artistik, duke shpalosur pjekurinë dhe formimin e tij profesional të maturuar ndër vite dhe dekada.

Ai është fitues i disa çmimeve, si: ‘Aktori më i mirë’ në Festivalin Kombëtar të Teatrit, në vitin 1997 dhe ‘Aktori i vitit’ nga Akademia ‘Kult’ në vitin 2010.

Krahas aktrimit, zoti Vasjan Lami është dedikuar fort edhe regjisurës, duke pasur edhe përvoja shumë të çmuara, në Teatrin Kombëtar të Lilës, Francë.

Vasjan Lami është shembulli i aktorit që me punë, seriozitet, dedikim dhe përgjegjshmëri, ka pasur gjithmonë rritje profesionale, duke e vënë atë në nivelin e aktorëve më të mirë dhe më të dashur për publikun tonë.

Profesioni i aktorit është i vështirë, i lodhshëm, shpirtërisht dhe fizikisht, por edhe një nga profesionet, që e merr vlerësimin e punës, gjykimin apo kënaqësinë, menjëherë dhe direkt nga spektatori dhe publiku. Kjo e bën atë një nga profesionet më të vështira e të përgjegjshme, por edhe më të bukura dhe më të dashura.

Vasjani këtë e di shumë mirë, prandaj punon me përkushtim e përgjegjshmëri, për ta bërë rolin e radhës edhe më të realizuar edhe më të dashur për publikun artdashës.

Ndaj me mirënjohje për interpretimet e tij të spikatura artistike, si dhe për kontributin e shquar në fushën e artit skenik shqiptar, kam kënaqësinë të vlerësoj aktorin dhe regjisorin Vasjan Lami me Titullin e lartë ‘Mjeshtër i Madh’ dhe t’i uroj suksese për të ardhmen.”.

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here