PS kërkon mbylljen e hetimeve për incineratorët brenda 8 ditësh, PD: Po i japin mbrojtje politike aferës

0
104

Partia Socialiste përdori forcën e kartonit për ti dhënë ultimatum opozitë të përmbyllë hetimet për incineratorët brenda 8 ditësh.

Zv.kryetarja e Komisionit Hetimor, Ermonela Felaj, tha se hetimet duhet të mbyllen më datë 28 janar, ndërsa ftoi përfaqësuesit e opozitës që ditën e nesërme të shkojnë të incineratorët e Sharrës, Fierit dhe Elbasanit që të bëjnë inspektimet e nevojshme.

“Hetimet të përmbyllen deri më datë 28 janar dhe me datë 28 ju paraqisni raportin tuaj dhe ne raportin tonë. Kemi diskutuar shumë herë për punën e këtij komisioni dhe kemi rënë dakord që 3 shin momentet kryesore, të mblidheshin të dhënat, të shkohej në vendet ku mblidhen këtë mbetje dhe pastaj të pyesim dëshmitarët dhe në këtu nuk kemi pasur asnjë kundërshtim. Prandaj po them sa nuk është vonë të kryejmë veprimet, propozoj që nesër të jemi në tre vendet ku janë ngritur impiantet, ta nisim që në mëngjes, në 10 të jemi të landfilli i Tiranës, pastaj të shohim inceneratorin e Fierit, të shohim ekziston punon, dhe të kuptojmë që në vitin 2014 situata e plehrave në bashkinë e Fierit ishte bërë aq alarmante saqë fusha ku mblidheshin plehrat kishe arritur lartësinë 9 m. Pasi të mbarojmë Fierin, të kthehemi në Elbasan. Duke filluar nga dita e premte deri javën që vjen para datës 28 keni kohë sa të doni. Të premten në orën 9 ti pyesim të gjithë dëshmitarët. Nuk ka një rast të vetëm ku shtyrjet i kemi kërkuar ne. Keni 8 ditë në dispozicion, ndërkohë që në dy muaj keni shfrytëzuar 5 ditë për të zhvilluar mbledhje. Kam biseduar me Tabakun që ditën e djeshme”.

Por kryetarja e Komisionit Jorida Tabaku tha se sipas rregullores së Kuvendit për komisionet hetimore data e mbylljes së Komisionit përkon me 24 shkurtin.

“Zonja Felaj iu kërkoj ashtu siç të zbatojmë rregulloren kuvendit, për sa kohë vendimi  që ka marrë kuvendi me datë 28 tetor nuk thotë që përfundon në 28 janar, por për një afat tre mujor nga miratimi i këtij vendimi. Duke marrë parasysh edhe pushimin tre javor, i jep t drejtë këtij komisioni që të ketë datën e fundit 24 shkurtin 2022”, tha Tabaku.

Për Tabakun, refuzimi që mazhoranca i bëri hetimit tregon qartë se PS është mburojë politike e kësaj afere.

“Ky komision ka një fitore të vogël, që është arrestimi i Lefter Kokës që erdhi pas padisë së PD, padi e cila sot ka çuar para drejtësisë një person. Por unë gjykoj që në zbatim të rregullores së kuvendit, ligjit të komisioneve hetimore, në zbatim dhe të vendimit të Kuvendit, PS do të duhej të na lejonte ne të vazhdonim hetimin dhe për 3 muaj.Fatkeqësisht nuk u lejua. Sot me votën kundër hetimit në Komisionin e Incineratorëve doli mburojë e Edi Ramës, tre ministrave të përfshirë, doli mburojë edhe e Lefter Kokës që sot është para drejtësisë. Nëse në fillim flisnim për akuza për korrupsion sot flasim për korrupsion, grup të strukturuar kriminal.Vota kundër e PS tregon mbrojtjen politike që po i japin, që i kanë dhënë që në fillim kësaj afere, tregon faktin se janë të gjithë të përfshirë brenda. Ndryshe nuk e justifikoj refuzimin për të pasur hetimin deri në 24 shkurt”.

Ajo tha se PD është e vendosur të vazhdojë denoncimin e kësaj afere.

“PD do të vazhdojë dhe të çojë prova të tjera në SPAK, është e vendosur të bëjë publike të gjithë informacionin që na ka ardhur në rrugë zyrtare dhe jo zyrtare deri kur personi i fundit i përfshirë në këtë aferë, që në gjykimin tonë është Edi Rama, të shkojë para drejtësisë”.

Ajo i bëri thirrje SPAK të vazhdojë dhe të hetojë personat që kanë pushtet.

Në Komisionin Hetimor për Incineratorët, PD prezantoi sot një plan hetimi me 20 dëshmitarë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here