Ish-ministri Lefter Koka, i arrestuar me urdhër të SPAK në ditët e fundit të vitit 2021, është shtruar me urgjencë në spitalin e burgut 313. Mësohet se Koka është dërguar dje me urgjencë në spital pasi ka pasur çrregullime të sistemit kardiak, pra zemrës.
Gjendja shëndetësore e Lefter Kokës raportohet se është e qëndrueshme, pa probleme serioze, por ndodhet nën kujdesin mjekësor
Tre ditë më parë Gjykata e Posaçme e Apelit refuzoi të hiqte sekuestron mbi kantinën e tij të verës, e cila u sekuestrua ditën që ai u arrestua. Është vendosur që kjo pasuri ku Koka është aksioner kryesor me 88% të aksione, të jetë nën sekuestro.
Sipas SPAK, duke vlerësuar në tërësi provat e administruara, krijohen dyshime të arsyeshme se shtetasi Lefter Koka ka konsumuar veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” kryer në bashkëpunim, “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, si dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim.
Arrestimi dhe hetimet ndaj tij lidhen me favorizimin e një prej kompanive koncesionare për inceneratorin e Elbasanit.