Pyetje: Zoti Meta, u çmallët me zotin Berisha dje në darkë në një intervistë, u kishte marrë malli, u shprehet ditën e enjte. Zoti Berisha, bëri të ditur që ishte takuar dhe konsultuar me ju, jo vetëm për atë se çfarë po ndodh kohët e fundit në politikën shqiptare..!
Presidenti Meta: Duhet të ndajmë dy gjëra; tjetër gjë takimi, tjetër gjë konsultimi, tjetër negociatat, se kolegu juaj Çim Peka, është një ngatërrestar i paparë dhe këtë gjë e kam vuajtur vetë. Ne, jemi takuar me zotin Berisha. Unë e kam kërkuar prej shumë kohësh, që në muajin nëntor para zgjedhjeve. U bënë 14 muaj që nga ajo kohë, dhe ai ka pasur disa probleme, për çështje familjare të tij dhe më në fund u takuam para 2-3 ditësh. A mund të quhet sekret, kur takohesh me Çim Pekën? Në kuptimin e mirë dhe profesional flas. Unë me zotin Berisha, takohem në çdo sekondë, çdo njeri që troket në këtë derë këtu, është i mirëpritur, çdo aktor politik. Unë nuk kam paragjykime në këtë detyrë, kjo nuk është karrigia ime, kjo është në shërbim të shtetit, të institucioneve dhe të gjithçka tjetër. Ndërsa, zotëria e ka derën hapur këtu dhe në shtëpinë time 24 orë kur të dojë. Por, kjo nuk do të thotë që ne, ndajmë të njëjtat qëndrime, për çështje të ndryshme, ashtu si dhe nuk i kemi ndarë kur ai ka qenë në Qeveri. Po ja është Po, dhe Jo-ja është Jo! Dhe kjo gjë na bashkon me njëri-tjetrin.
Pyetje: Gjithsesi ju jeni takuar dhe jeni çmallur?
Presidenti Meta: E kemi parë njëri-tjetrin edhe nëpërmjet ekraneve, por takimi direkt është tjetër gjë.
Pyetje: Pas muajit korrik, ku ju do riktheheni në arenën politike. Berisha, a do përbente për ju, një bashkëpunëtor, më të cilin ju do të bashkëpunonit për të mirën e vendit, por sigurisht dhe grupi pranë tij.
Presidenti Meta: Unë për të mirën e vendit, bashkëpunojë më çdo njeri, i cili nuk prek disa kode, të cilat kanë të bëjnë me sovranitetin, integritetin dhe demokracinë. Unë, e kam thënë që ai, është si vera dhe këtë gjë e kam thënë para disa muajsh, ai vjen dhe bëhet gjithnjë e më tërheqës edhe më demokrat. Se ai, nuk ka qenë kaq demokrat herën e parë, flas për periudhën e viteve 1992-1997.
Pyetje: Ai, është shprehur se kemi mësuar me kohën
Presidenti Meta: Kjo është e vërtet, se primaret tani –po i sjellë, Dhe kjo gjë tregon reflektimin e tij. Unë kam pasur mendim edhe më herët, që vendi nuk mund t’i lihet elitave, se elitat mund të korruptohen dhe të shantazhohen lehtë. Ne, kemi parë sesi njerëz të ndryshëm, për shkak të korrupsionit, për shkak të pakujdesive në jetë, bëhen peng të faktorëve të ndryshëm negativ, malinj, të grupe të interesit, të organizatave mafioze, të oligarkëve dhe të çdo gjëje tjetër. Por, tani popullin nuk e merr dot peng, që ta marri peng duhet të kënaqi shumicën e popullit.
Pyetje: Ju folët për kode, dhe kode morale në politikën tonë sot ka pak.. Marrim personazhin politik, që është Lulzim Basha, i cili erdhi në 2005, përmes KOP-it dhe Sali Berisha, menjëherë e beri ministër. Në vitin 2009, ai nuk do të behej dot ministër, nëse ju, nuk do të bashkë qeverisnit me zotin Berisha, dhe ai u bë përsëri ministër. Në vitin 2011, votat e demokratëve por edhe të partive të tjera dhe LSI-së, e bën kryetar të Bashkisë së Tiranës. Më vonë ishte LSI me Monika Kryemadhin, që lanë edhe mandatet në parlament. Ndërkohë sot, këto kode lihen mënjan…dhe ju u bëtë Presidenti që po shkelni Kushtetutën, dhe pjesë e “trekëndëshit të Bermundes” ! A është ky kod politik?
Presidenti Meta: Unë, nuk dua të merrem më me atë. Unë, e kuptoj që ai është në hall shumë të madh dhe më vjen keq. E vetmja zgjidhje atje, është dualizmi, se e kanë pranuar që ka një krizë, dhe zgjidhja është vota e lirë . Në ketë drejtim, unë kam venë re se zoti Berisha, që nga fillimi ka përkrahësit e tij, dhe ka kërkuar votën e lirë. Kjo është një situatë që, nuk dua të komentoj dhe kjo është çështja e tyre. Ai (Lulzim Basha), ka marrë detyrë të më provokojë edhe mua. Nesër mund të fusë Kinën dhe Rusinë në një aleancë kundër tij. Vetëm Edi Rama nuk është në këto çështje, që ai ja vonon çështjet nëpër gjykata etj. Kurse ne të tjetër jemi në këtë situatë që, s’kemi punë tjetër dhe merremi me të. Kur Voltana Ademi, kryetarja e Bashkisë së Shkodrës thotë, që nuk e njoh, ça pret tani nga unë? Unë, nuk dua të merrem më të , kam punë shumë më të rëndësishme për t’u marrë
Pyetje: Po figurat gjeometrike si “trekëndëshi i Bermudës” ai e ka me shumë qejf. Duket se kjo figurë gjeometrike i pëlqen, sepse ka disa burime mediatike që, nuk janë të konfirmuara, ku para pak javësh është përsëritur një takim i zotit Basha, me zotin Balla dhe Veliaj, pra një trekëndësh i ri politik është në horizont. A është kjo një mobilizim kundra jush, kundra jush?
Presidenti Meta: Këtë gjë nuk e di! Ajo që, unë di, është se, kujt i interesonte që të ngrihej e gjithë Partia Demokratike në këmbë, se gjoja Ilir Meta, kryetari i Parlamentit do të vriste 2 deputetë. Kujt i interesonte kjo? A i interesonte Partisë Demokratike? Për çfarë arsye? Ilir Meta, si Kryetar Parlamenti ka qenë një njëri korrekt, edhe pse ishte në koalicion me Edi Ramën, nuk ka pasur njeri me korrekt se unë, me opozitën. Merrnin në Parlament kohë sa të donin për të folur, goditeshin deputetët e opozitës, dënoheshin ata të mazhorancës, pra çdo gjë me transparencë.
Kur i takonte opozitës një gjë, u jepej ajo që u takonte, merreni se na duhet rekomandim për çeljen e negociatave.
E përjashtonin ata, opozitën nga çështja e reformës në drejtësi, Ilir Meta u tha ndal, se kjo gjë duhet me konsensus dhe opozita duhet të jetë pjesë e këtij procesi. Pra, kujt i interesonte? Opozitës nuk i interesonte dhe shikojeni si e trajtonin më pas opozitën, kur Ilir Meta nuk ishte më, kryetar Parlamenti.
Ilir Meta kryetar Parlamenti koalicion me Edi Ramën thotë: Reformën Administrative do ta bëjmë bashkë, hajde këtu mos bojkoto komisionin dhe bëje hartën si të duash vetë deri në 100-120 komuna. Por 400 komuna nuk i mban dot Shqipëria. Pra, kujt i interesonte që, ai (Lulzim Basha) deri në fund nuk solli asnjë propozim edhe pse premtoi që, do e sjellë. Kalojmë në vitin 2017. Kujt i interesoi bërja e çadrës dhe përqafimi i 17 Majit? Ilir Meta bëri çdo përpjekje. Pse nuk mund të shkoja unë, në zgjedhje pa PD-në dhe t’i ndaja mandatet me Edi Ramën? Por do bëheshim si këto vendet diktatoriale. Si mund të rrinte 40% e Shqipërisë në rrugë? Unë këtë gjë nuk e pranoja dot.
Ilir Meta, iu lut PPE-së edhe pse ishte kryetar i Parlamentit dhe koalicion me Edi Ramën, i thashë dërgo njëri këtu që të zgjidhim këtë situatë, që këtë partinë tuaj ta fusim në zgjedhje.
I kam dhënë garanci këtij, që unë nuk hyj në koalicion me Edi Ramën për zgjedhjet, sepse dihej që po të hynim në koalicion, ai (Lulzim Basha) as nuk bëhej fjalë që të merrte pjesë në zgjedhje. Dhe vetëm pas zgjedhjeve i kam thënë ulemi dhe gjykojmë, për çështjet si për kanabisin, etj. Ai (Lulzim Basha) thoshte hajde bëj votat të shkarkojmë Edi Ramën. Po si ta shkarkojmë kur ti, treçerekun e grupit tënd parlamentar nuk i kontrollon dot?
Pra, për të mbajtur një atmosferë demokratike, i dhashë edhe formulën që Presidentin ta merrte PD-ja, se formula e McKallister është formula që, kam bërë unë, se ai nuk erdhi me formulë.
Ai erdhi me vullnet të mirë dhe të gjitha ja dhamë, duke bërë dhe debat të madh me zotin Rama dhe disa të tjerë, ku ishin edhe ambasadorë prezent. I vetmi që përkrahte ishte zoti Ruçi, sepse ai e kuptonte që duhej një zgjidhje. Dhe në fund farë, çfarë bëri ai (Lulzim Basha)? Në fund u bë me atë (Edi Ramën), dhe armiku ishte LSI-ja, PDIU-ja etj. E gjitha kjo një histori pa kuptim. Bojkoti i Reformës në Drejtësi, kujt i vlejti?
Pyetje: Është reforma që, kemi sot.
Presidenti Meta: Po, por kjo Reformë solli kapjen, sepse ky (Lulzim Basha) ia la të gjitha vetë se ashtu ishte pakti. Kalojmë të djegia e mandateve, sa herë u kam thënë të gjithëve, në asnjë mënyrë mos i digjni, kjo është çmenduri. Ruajtën momentin që, unë isha jashtë Shqipërisë në Itali dhe Mynih dhe e bën fakt të kryer. Na tha populli, thanë. Dhe çfarë i bën këta popullit, e lanë pa asnjë mbrojtje, edhe Presidentin e le pa asnjë mbrojtje, nuk lanë Ilir Metën, por Presidentin e Republikës. Pra, ti çdo gjë e braktise, sa koncensione janë bërë që, nga momenti që ata kanë ikur nga Parlamenti dhe deri në fund, që duhet të paguhen nga populli i Shqipërisë.
Ilir Meta të telefonon dhe të thotë, që këta do prishin Teatrin, hajde të bisedojmë, se është çështje e madhe, kemi artistët, kemi qytetarët, se po u prish nuk kthehet dot më, siç ka qenë. Dhe ky (Lulzim Basha) ça bën, mbyll celularin dhe thotë nuk e pashë këtë, se isha në Lushnje. Çfarë të them më unë, për këtë histori dhe këto ngjarje. Dhe nuk e kuptoj ku është faji i Ilir Metës këtu!
Por, ai është mësuar që më sulmon mua dhe Doktorin, se ai është mësuar që gjithmonë të tjerët të punojnë për të. Dhe kur të tjerët nuk punojnë për të, ai mendon që të tjerët po i bëjnë një padrejtësi, se ai nuk është mësuar kurrë, të punojë për veten e vetë
Pyetje: Pra, ka shenja autokracie?
Presidenti Meta: Ka shenja llastimi
*Pjese nga intervista Presidentit Meta për emisionin “Pushteti” në Televizionin “Fax News”