Gazeta e njohur austriake, Der Standard, ka publikuar së fundmi një reportazh nga Tirana, që këtë vit do jetë Kryeqyteti Evropian i Rinisë.
Por që në titull, gazeta pikas paradoksin. “Tiranës, kryeqytetit të rinisë, po i ikën rinia,” shkruan gazetarja Antonia Ruth. Sipas saj, gjenerata e re e do integrimin evropian, por udhëheqja politike e vendit nuk e çon vendin para.
Shkrimi nis me një përshkrim të Piramidës, e cila pritet të kthehet në qendër rinore.
“Të thuash se ‘Piramida’ në bulevardin e madh të Tiranës, “Dëshmorët e Kombit”, ngrihet me krenari aty, do të jepte përshtypjen e gabuar. Më shumë duket sikur godina e çuditshme prej betoni, e cila fillimisht kishte për qëllim të shërbente për homazhe për diktatorin e vdekur, Enver Hoxha, po përpiqet që të fshihet mes godinave qeveritare në rrugën kryesore të metropolit shqiptar”.
Gazetarja thekson më tej se edhe punimet për rikonstruksionin e Piramidës nuk duket se po ecin me ritëm.
Më tej ajo ndalet te emigracioni, duke theksuar se kjo është sfida më e madhe e vendit.
“Emigrimi në Shqipëri është një nga sfidat më të mëdha për vendin: vetëm nga viti 2008 deri në vitin 2018, mbi 1 milion shqiptarë emigruan në BE- 2.8 milionë njerëz jetojnë ende në këtë vend”.
Të rinjtë po largohen dhe nuk po kthehen pasi mungon perspektiva.
“Në vend ka mungesë perspektive: Shqipëria është një nga vendet më të varfra në Evropë, të ardhurat mesatare mujore në vitin 2020 ishin rreth 430 euro. Një pagë minimale me ligj ka ekzistuar vetëm për një vit- ajo është e barabartë me 245 euro”.
“Përveç kësaj, procesi i anëtarësimit në BE ka ngecur kohët e fundit. Shqipëria aplikoi për anëtarësim në BE në vitin 2009 dhe është vend kandidat që nga viti 201. Në mars të vitit të shkuar, krerët e shteteve dhe qeverive të BE-së thanë dritën jeshile për fillimin e negociatave të pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Megjithatë mbetet e paqartë se kur do të fillojnë realisht negociatat”, thekson gazeta.