Lubonja: Putin këtë punë e ka parapërgatitur prej kohësh. Ekstremi i pa besueshëm është një luftë botërore dhe kulmi hedhja e një bombe atomike

0
164

Rusia ka nisur një pushtim të Ukrainës mëngjesin e kësaj të enjte, duke bërë që bota të alarmohet për situatën atje. Për të folur rreth kësaj tematike, i ftuar në rubrikën “Opinion”, në “News 24”, ishte analisti Fatos Lubonja. Ai tha se Ukraina ndodhet në një situatë tepër të vështirë, Me vendet botërore që janë të gatshme të ndihmojnë, por jo ushtarakisht.

“Si e vlerësoj unë situatën, nuk është se jam specialist në terren. Unë gjykoj se projekti i Putinit është një pushtim i Ukrainës, duke justifikuar me mbrojtjen e dy republikave që po pësojnë gjenocid. Pushtimi i Kievit dhe rrëzimi i kësaj qeverie pro perëndimore dhe vendosja e një qeverie kukull me pretendimin sepse kjo qeveri është armiqësore që mund të kërcënojë Rusinë. Përballë kësaj strategjie perëndimi është në pozicion të vështirë sepse këtu peshohen se sa mjete ka. Ata nuk mund të hyjnë ushtarakisht, edhe për arsye se nuk janë vend i NATO-s. Thuhet se Putin mund ta fitojë këtë betejë, por do e ketë të vështirë të fitojë luftën, në kuptimin e luftës afatgjatë. Këtu vijnë edhe përgjegjësitë e Perëndimit, përpos të Putinit që janë të pa diskutueshme. Projekti është që ukrainasit të luftojnë ne i ndihmojmë, por pa futur ushtarë. Njëkohësisht sanksionet ekonomike, dobësimi i Rusisë që nuk e dimë se ku do të na çojë edhe kjo. Frika është që gjithnjë e më shumë të dy palët janë vendosur përballë një alternative: Ose fitoj unë, ose ti. Kjo është edhe më e rrezikshme për botën. Kjo situatë ndoshta reflektohet edhe në rajonin tonë”, tha Lubonja.

Analisti shtroi më tej hipotezat që mund të ndodhin gjatë kësaj periudhe.

 

“Pikëpyetjet që ngrenë analistët janë a mundet dot Rusia me sanksione ekonomike dhe këto sanksione çfarë efekti mund të ketë për Evropën. Analistët që kam dëgjuar unë kanë thënë që Rusia është tashmë prej kohësh një vend që pjesa më e madhe jeton në varfëri. Pra, nuk është se e ndjejnë kaq shumë sa evropianët rritjen e gazit, naftës etj. Putin këtë punë e ka parapërgatitur prej kohësh. Flitet për shumë miliona dollarë për të përballuar këtë. Kina i ka dalë në krah, për të zbutur efektet. Kina është duke u përgatitur me një konflikt me SHBA për Tajvanin. Këto janë komente që bëhen. Të gjithë kanë qëndrime, sepse lufta të bashkon. Ne kemi pritur një botë pa luftëra e ku superfuqitë do të gjenin gjuhën e përbashkët. Nuk janë ndjekur këto politika sepse Rusia ka qenë shumë e dobët. Deri në 2008 thonë se Rusia nuk ka qenë aq agresive. Në Samitin e Bukureshtit u tha qartë që mirëpresim anëtarësimin e NATO-s dhe Gjeorgjisë. Unë gjykoj që duhet të punohej kështu edhe për demokratizim të Rusisë. Ka një lloj agresiviteti që u bë edhe në 2014. Problemi është që ne nuk besonim që do të pushtohej Ukraina”, u shpreh Lubonja.

 

Ai tha se ekstremi më i madh i kësaj situatë do të ishte një fillim i luftës botërore dhe kulmi, rënia e një bombe atomike.

“Ekstremi i pa besueshëm është luftë botërore dhe kulmi hedhja e një bombe atomike. Uroj që kjo të mos ndodhë. Kur ke një lider autoritar, mund të ndodhë edhe vetëvrasje bashkë me botën. Këto janë më ekstremen. Specialistët thonë që Putin nuk është një strategjist i mirë. A bën akte të tilla? Edhe kaq është shumë për mua. Të pushtosh Ukrainën… Perëndimi nuk mundet t’i nënshtrohet. Kjo mund të na çojë në rastin më të keq, në luftë botërore. Shpresohet që diplomacia të vazhdojë dialogët nëntokësore dhe në këtë rast, përsëri besoj se do e vuaj populli ukrainas. Mund të arrihet një kompromis në favor të Ukrainës. Të mbeten të pavarura ato dy rajone dhe pjesa perëndimore e Ukrainës bëhet me perëndimin dhe mbyllet këtu. Por ose pastaj një dorëzim i Rusisë në terma afatgjata, që mund të ndodhë edhe me vite, një lodhje. Çdo të thotë të vazhdojë lufta në Ukrainë, është e pa besueshme, të vriten njerëz në Evropë sot”, u shpreh analisti.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here