Tendera sekretë për të fshehur shkeljet?! Ekspertët: Përdoren për të mbuluar aktet korruptive

0
153

Që nga marsi i vitit 2020 kur u dha alarmi për pandeminë e Covid-19 deri në verën e 2021, Shëndetësia ka shpenzuar 4,435,924,919 lekë pa TVSH nga tenderat. Sipas të dhënave të mbledhura nga “Sinjalizo”, teksa qytetarët ishin të përqëndruar tek shmangia e infektimit, sakaq institucionet nxitonin për tenderat. Kështu nga marsi i 2020 deri ne qershor 2021 janë prokuruar nga institucionet e shëndetësisë 214 tendera ku 193 janë finalizuar.

Ministria ‘kampione”

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale mban vendin e parë për shumë e tenderuar gjatë pandemisë, me një shifër prej 1,383,707,749 lekë pa TVSH. Në vend të dytë sipas databazës së tenderave gjatë periudhës së gjendjes të katastrofës natyrore Covid-19 “Kontrata publike në një gjendje të katastrofës natyrore Covid19- Forcimi i Mekanizmave të Pavarur të Monitorimit”, është Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, me një shifër prej 1,383,615,012 lekë pa TVSH. Ndërkohë spitali “Shefqet Ndroqi” i njohur ndryshe si Sanatoriumi, ka shpenzuar për tendera gjatë Covid-it, 624,620,800 lekë pa TVSH. Në tenderat e Covid-19, nuk ka munguar as Ministria e Mbrojtjes e cila ka shpenzuar plot 141,585,500 lekë pa TVSH.

20 milionë dollarë oksigjen

33 kontraktime janë kryer në total nga 15 institucionet shqiptare gjatë pandemisë vetëm për oksigjen. Dy institucionet që kanë bërë blerjet më të mëdha të oksigjenit, janë spitalet universitare. Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” ka tenderuar një vlerë prej 1,097,252,839 lekë pa TVSH. Nga ana tjetër, Spitali Universitar “Shefqet Ndroqi” mban vendin e dytë duke tenderuar oksigjen me një vlerë prej 454,605,500 lekë pa TVSH. Ndërkohë renditja ndiqet nga Spitali i Fierit, ai i Durrësit, Kukësit, Kavajës, Lushnjës e Librazhdit. Në total vetëm për oksigjen institucionet shqiptare shpenzuan 2,114,242,355 lekë pa TVSh ose e thënë ndryshe më shumë se 20.5 milionë dollarë. (20 518 656 USD).

Por ajo që bie në sy është fakti se kontraktorët kryesorë përfitues për oksigjenin gjatë Covid-19 janë vetëm dy. “GTS-GAZRA TEKNIKE SHQIPTARE” me 20 kontraktime dhe 1,951,569,887 vlerë të përfituar dhe “MESSER ALBAGAZ SHPK” me 9 kontraktime dhe 196,495,440 lekë të përfituara.

Barna pa kurë

E ndërsa një kurë e qartë për COVID-19, ishte diçka e vështirë për tu përcaktuar nga institucionet mjekësore, tenderat për barna të ndryshëm nuk u kursyen. Vetëm për barna, janë realizuar 75 kontraktime. Spitali Universitar “Shefqet Ndroqi” mban peshën më të madhe të kontraktimeve me plot 66 të tilla, ndërsa Ministria e Shëndetësisë ka realizuar vetëm 6. Për këto tenderime është e pamundur të realizohet një llogaritje totale e vlerës, që është shpenzuar dhe do të shpenzohet për shkak se shumica prej tyre janë marrëveshje kuadër dhe oferta e sjellë është në bazë të çmimit për njësi. Ndërkohë kompanitë që kanë përfituar më shumë në këto tenderime janë: Megapharma SHPK e cila ka marrë 15 kontraktime, Rejsi Farma me 10 kontraktime, Edna Farma me 8 kontraktime, Aldosch Farma me 8, Trimed SHPK me 8.

Gjithashtu, nuk kanë munguar as tenderimet për blerje pajisjesh, ku për respiratorët kishte kërkesë të lartë gjatë pandemisë. Më 17 Mars të 2020, Ministria e Shëndetësisë nëpërmjet prokurimit të drejtëpërdrejtë kërkoi të bënte blerjen e 54 respiratorëve me një fond limit prej 1.1 miliionë eurosh (129 milionë lekë).

Kriteri kryesor, sipas ftesës për ofertë nga Ministria e Shëndetësisë, ishte çmimi i ulët i pajisjeve. Çmimi për njësi ishte më shumë se 20 mijë euro, ndërkohë që çmimet e ventilatorëve në tregjet ndërkombëtare variojnë nga 6000 në 50,000 euro. Kontrata e klasifikuar sekret u fitua nga kompania TBS 96, e cila ka sjellë vetëm 5 respiratorë nga 54 gjatë vitit 2020, ndërsa detyrimi në kontratë ishte 20 respiratorë brenda 7 ditëve, ndërkohë kontrata me kompaninë është ende në fuqi”, thuhet në një raport të organizatës “Togather for Life”. Ndërkohë Open Data raporton se për këtë kontraktim nuk ka asnjë informacion zyrtar lidhur me shpenzimet por në pagesat e thesarit ekziston një transaksion në vlerën e 8 milionë lekëve.

Tendera sekret dhe tendera me një ofertues

15 kontrata të cilat janë klasifikuar “sekret” janë zhvilluar nga dy institucionet shqiptare gjatë pandemisë. 14 prej tyre mbajnë vulën e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe vetëm një atë të Ministrisë së Drejtësisë. “Nga marsi 2020 deri në maj 2021, institucionet e shëndetësisë kontraktuan 60 kompani për furnizime materiale që kishin lidhje me COVID-19. 11 nga kompanitë ose 18% e totalit të kontratave ishin sekrete. Gjithashtu 11 kontrata të treta ose 18% e operatorëve fitues kishin vetëm vlerën e çmimit për njësi dhe jo shumën totale”, thuhet në raportin e publikuar sëfundmi nga “Together for Life”. Tenderat sekret nga përshkrimi i dhënë vijonin që prej blerjeve të barnave pajisjeve e deri te tendera me “Produkte letre dhe spostimin e sistemit të dializës nga pediatria e specialiteteve të QSUT-së te godina e spitalit infektiv në QSUT”.

Në listën e tenderave janë edhe tendera të cilët objekt të tyre kanë blerjen e materialeve të konsumit laboratorik për ISHP-në si dhe blerje të materialeve për mbrojtjen personale ndaj COVID-19. Ndërkohë që është e vështirë për të gjetur një arsye se pse këto tendera janë klasifikuar si sekret. Kjo lloj procedure u kritikua ndjeshëm nga shoqëria civile, media si dhe nga partitë opozitare. Open Data Albania doli me një deklaratë për shtyp ku e cilësoi këtë procedurë të qeverisë si antikushtetuese, jo ligjore, jo të përligjur dhe në cënim të parimeve bazë të mirëqeverisjes.

Deklarata e bërë në lidhje me dy VKM, atë nr. 203, datë 26.02.2020 dhe atë nr. 242 datë 22.03.2020, shprehte qartë se ishin shkelur jo vetëm nene të ligjit të prokurimit publik por edhe nene të Kushtetutës Shqiptare.

Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë në nenin 118 pika 2 të parashikon se: “Ligji duhet të autorizojë nxjerrjen e akteve nënligjore, të përcaktojë organin kompetent, çështjet që duhen rregulluar, si dhe parimet në bazë të të cilave nxirren këto akte”. Neni 6 i Ligjit të Prokurimit Publik (ku është mbështetur KM për nxjerrjen e kësaj VKM) nuk autorizon nxjerrjen e një Akti Normativ të Veçantë për kontratat sekrete, kontratat që kërkojnë masa të veçanta sigurie dhe kontratat që diktohen nga interesa thelbësorë të shtetit. VKM nr. 203 nuk ka përcaktuar përkufizimin e gjendjes, rrethanave, apo rasteve kur kemi të bëjmë me “interesa thelbësorë të shtetit” por këto rrethana i ka lënë rast pas rasti në vlerësim të autoriteteve kontraktore”, thuhej në deklaratë.

Marrëveshjet për vaksinat

Në momentet kur pandemia ishte në kulmin e saj, Shqipëria lidhi katër marrëveshje për furnizimin me vaksina anti-covid. Për asnjë prej këtyre kontratave, të klasifikuara si sekret, qytetarët nuk e njohën koston që patën për buxhetin e shtetit. Ndërkohë gjatë pandemisë tenderat të klasifikuar sekret patën një rritje. Kostoja e disa prej këtyre marrëveshjeve mund të kuptohet vetëm prej ndryshimeve buxhetore ose akteve ligjore me efekt ekonomik të disa institucioneve. Kontrata e lidhur me GAVI Alliance ka patur një efekt financiar prej 4 173 137 dollarë, e dhënë që del nga një njoftim i Ministrisë së Financave dhe ekonomisë “Rritet mbështetja buxhetore për blerjen e vaksinave Anti Covid 19“.

Një marrëveshje tjetër e realizuar për vaksina është edhe me Pfizer export bv e cila është raportuar në media me një vlerë prej 5,995,080 dollarë. 20,000,000 dollarë janë paguar edhe për kontratën e lidhur për vaksina me kompaninë KEYMEN ILAC SANAYI VE TICARET ANONIM SIRKETI (Sinovac ). Shifër e cila del prej dy pagesave sipas VKM 174 date 24.03.2021 dhe VKM-se Nr.357 date 16.06.2021. Ndërsa për marrëveshjen për PFIZER OVERSEAS LLC dhe Human Vaçine LLC (Sputnik V) nuk ka asnjë informacion.

Por në Ministrinë e Shëndetësisë, problemi nuk qëndron vetëm në tenderat sekretë. Sipas vlerësimit të OpenProcurement Albania, 55% e tenderave në Sektorin e Shëndetësisë janë me vetëm një operator në garë. Shpesh herë autoritetet shfajësohen se disa furnitorë kanë eksluzivitetin e një medikamenti por çuditërisht këtij ekskluziviteti, prej kohësh nuk i shfaqet asnjë konkurrent i huaj edhe kur tenderi është i hapur ndërkombëtarisht.

Nga ana tjetër, 50% e tenderave të realizuar në platformën e Open Data Albania, cilësohen si tendera me flamur të kuq. Ndërkohë 15% e procedurave në shëndetësi, anulohen të paktën një herë, duke treguar defekt të garës.

Një ekspert i cili kërkoi ti ruhej anonimati, i tha “Sinjalizo” se edhe kur tenderi shënon konkurrencë, nuk kanë munguar rastet kur janë skualifikuar ofertat më të ulëta duke favorizuar ofertën më të lartë. “Mënyrat e skualifikimit janë nga më të ndryshmet, ku ndër më të përdorurat është ajo e mungesës së dokumentacionitmospërmbushje të specifikimeve teknike e deri te mos sjellja e ofertës”.

Çfarë thonë ekspertët për tenderat sekretë?

“Mungesë efiçense”, është fjala e parë që drejtuesja e Open Data Albania, Aranita Brahaj thotë kur pyetet për tenderat sekret. “Mungesë efiçense në tenderim, si për vlerën monetare dhe për mundësinë e gjetjes në kohë të një malli të limituar dhe me shumë problematika të mungesës”, shton ajo. Aranita shton se në kohë krize, mundësitë për furnizime janë të limituara dhe të karakterizuara nga ndryshime dinamike. “Shumë po aplikojnë forma inovative për të bërë gjurmim dhe evidentim në kohë sa më të shpejtë të furnitorëve lider, të cilët garantojnë mallra në situatën e krijuar. Këta furnitorë qeveritë nuk mund ti gjurmojnë duke komunikuar me një klient të vetëm pa lënë asnjë mundësi prezantimi dhe pjesmarrjeje”, thotë ajo, duke vënë në pah se kjo lloj përqasje cënon çdo parim të pjesëmarrjes dhe konkurrencës, si dhe cënon besimin e publikut dhe llogaridhënien.

E ndërsa prej marsit, procedurat sekrete në sektorin e shëndetësisë ka ndalur, kjo procedurë është përqafuar nga sektorë të tjerë shtetëror si tenderat e Teknologjisë së Informacionit të cilët po zhvillohen me procedurë të kufizuar dhe pa njoftim, por edhe tenderat e ministrisë dhe sektorit të mbrojtjes. Kjo sjell mungesë të kontrollit publik.

Mekanizmi i garës nuk funksionon tek këto procedura, pasi duke mos bërë njoftim paraprak, autoriteti ka shmangur garën dhe eficensën që vjen nga konkurrenca. Kontrolli publik mungon, mekanizmi i apelimit është ineksiztent dhe më tej edhe vlerësimi dhe ndëshkimi i rastit të mundshëm të korrupsionit këtu është opsion i munguar”, thotë zonja Brahaj.

Zef Preçi, drejtues i Qendrës Shqiptare për Kërkimin Ekonomik, thotë se këto lloj tenderash kanë si qëllim mostransparencën.

Përdorimi i tenderave sekret është një mënyrë për të shmangur transparencën ndaj publikut dhe për të krijuar favore korruptive në emër të personave të drejtpërdrejt, familjarëve të tyre etj”, shprehet ai, duke shtuar se :“ka një largim nga koncepti ligjor dhe kushtetues i sekretit dhe i futen disa kategrori që nuk janë ligjërisht të qëndrueshme, sepse p.sh është sekret blerja e një armatimi të sofistikuar, ky është sekret shtetëror dhe është e kuptueshme, e kemi të parashikuar në legjislacion, por nuk është sekret publikimi i vendimeve të qeverisë kur bëhet fjalë për prokurime të drejtpërdrejta. Nuk është sekret një marrëveshje koncesionare”.

Preçi shton se studimet tregojnë se gjatë 10 viteve të fundit ka një tendencë të dukshme të largimit nga konkurenca. “Gjatë dekadës së fundit dhe sidomos gjatë 5 viteve të fundit ka një tendencë të dukshme të largimit nga konkurrenca edhe kur proceset janë konkurruese përsëri ka deformime që çojnë në fitues të operatorëve që kanë koston më të lartë, më pranë fondit limit”, përfundon ai.

Marre nga https://www.acqj.al/

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here