Humbja e Bashës që mërziti regjimin

0
129

Armand Shkullaku

Rezultati i zgjedhjeve të pjesshme të 6 marsit dëshmoi nevojën jetike që ka vendi për një opozitë të vërtetë. Katandisja e fraksionit të vulës në shifra pabesueshmërisht të ulta, nuk ishte gjë tjetër veçse ndëshkimi i tentativës për ta zyrtarizuar opozitën si fasadë të regjimit të Edi Ramës. Në një kohë të errët, pas zgjedhjve të 25 prillit, kur mendohej se nervi opozitar në Shqipëri ishte paralizuar, qytetarët kanë reaguar për të parandaluar kapitullimin e plotë ndaj një pushteti, që ka marrë nën kontroll gjithçka, përfshi edhe opozitën zyrtare.

Në një strategji të menduar mirë, Edi Rama dhe zarat e tij mediatikë (disa me pagesë e disa me shpresën që do kapin ndonjë gjë më shumë) stisën fabulën e një përplasje individuale Berisha- Basha, “mes llozit dhe varesë” e më tej akoma, mes pro dhe anti amerikanëve në PD. E gjithë kjo propagandë 6 mujore kishte një qëllim të vetëm: Të ekzekutonte çdo përpjekje për të ringritur një opozitë të vërtetë dhe të mbyste çdo debat serioz mbi të ardhmen jo thjesht të opozitarizmit por edhe të vetë shoqërisë shqiptare karshi një pushteti gjithnjë e më abuziv.

E kamufluar pas amerikanizmit “të zjarrtë”, që shpërtheu si me telekomandë, kjo strategji synonte të mbante fort opozitën e kontrolluar, e cila në asnjë rast nuk përbënte rrezik për Ramën apo, më keq akoma, votonte në Kuvend çdo gjë që i kërkonte Rama. Në mediat e qeverisë lulëzoi një Lulzim me përmasat e një heroi modern që po ndeshej me bajlozin i zi në emër të Shqipërisë, Amerikës, Natos dhe BE. Ky lider, që i garantonte mbretërimin e qetë Edi Ramës, nuk ishte më ai që përdorte paratë e Rusisë kundër orientimit perëndimor të Shqipërisë. Nuk ishte më as tradhëtari që shiti luftarët e UÇK-së në gjykatën ndërkombëtare. Sulmet për të, që shkonin nga 21 janari, rruga e kombit e deri tek familjarët me një gjuhë denigruese, u zëvendësuan nga gjenialiteti i tij për të drejtuar si duhet opozitën në mandatin e tretë të Edi Ramës.

Në fakt gjenialiteti i Bashës zgjati shumë pak. Si gjithnjë mjaftuan vetëm një palë zgjedhje, të pjesëshme madje. Ndoshta kjo është dhe arsyeja e nervozizmit të atyre që vunë bast për të (ndonëse askush nuk iu ka faj pasi Basha ishte “kalë” me provë). Basha nuk mbajti më shumë se 6 muaj dhe bashkë me të nuk mbajti as strategjia për të patur në Shqipëri një opozitë të emëruar dhe jo të votuar. Duke i nxjerrë jo vetëm bllof, por duke i shndërruar edhe në gazin e botës të gjithë ata që i thurrnin lavde qëndresës së tij heroike.

Ata që ndëshkuan Bashën me votë në 6 mars nuk janë populli antiamerikan e as ndjekësit e verbër të Sali Berishës. Ata nuk dolën nga shtëpitë në një ditë të ftohtë për të zgjedhur mes llozit dhe varesë. Shumica e tyre dolën në një përpjekje të respektueshme për të shpëtuar vendin nga asgjesimi i opozitës. Inserimi perfid në debatin opozitar i pro apo anti amerikan, u rrëzua edhe nga ajo që ndodhi në mbledhjen e grupit parlamentar në selinë e PD. Kërkesa për largimin e Bashës dhe ringritjen e PD u bë nga të gjithë ata që deri dje klasifikoheshin te “pro amerikanët”. Po tani, ç’ndodhi me ta? Si po ngrihen ata kundër “të përzgjedhurit” të SHBA?

Historia e sajimit të një lideri nga njerëzit e pushtetit, jo vetëm nuk është e mundur por ka krijuar dhe një situatë absurde në kufijtë e qesharakes. Për shembull, dikur, opozitarë si Gaz Bardhi, Grida Duma, Ervin Salianji, Enkeled Alibeaj, Jorida Tabaku, etj, jo thjesht sulmoheshin, por denigroheshin deri në kockë nga mediat e Ramës. Kur të këtij të fundit i duheshin këta si mbështetës të Bashës, e për rrjedhojë të ngjizjes së opozitës së emëruar, këto figura u bënë të dashura, fjalimet e shkrimet e tyre transmetoheshin të plota, madje dhe fotot zgjidheshin që të dukeshin të bukur. Tani që një pjesë e tyre u rebeluan ndaj Bashës, që do të thotë se po e hedhin në erë projektin e opozitës së kontrolluar, prisni kur të rinisin sulmet, cesnsurimi dhe hapja e dosjeve të vjetra.

Nxitimi i regjimit për të marrë në mbrojtje dhe për t’i dhënë legjitimitet një opozite fallco, nga një anë shërbeu si katalizator për të reaguar më 6 mars, nga ana tjetër nxorri zbuluar dhe zhvlerësoi të gjithë ata që u përpoqën ta paraqesin këtë ngjarje si një zgjedhje mes “të shkuarës dhe së ardhmes”. Qëllimi për të mbajtur një opozitë të kontrolluar, strategjia për të legjitimuar një model opozitar ku lideri nuk merr përgjegjësi, ku vota nuk ka vlerë, ku zgjedhjet manipulohen e për rrjedhojë që justifikon modelin autoritar të Edi Ramës, u pikasën nga zgjedhësit në 6 mars. Nevoja për një opozitë të vërtetë rrëzoi imponimin e një opozite të emëruar duke vënë në pikëpyetje projektin e Ramës dhe sekserëve të tij për një qeverisje pa andralla drejt mandatit të katërt. /Lapsi.al/

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here