Gati 65% e ujit humb në rrjet

0
122

Furnizimi me ujë të pijshëm vijon të mbetet problematike në shumë bashki të vendit përfshirë edhe Tiranën.
Në rang kombëtar qytetarët furnizohen me ujë 13.79 orë në ditë, shifër kjo e pandryshuar nga viti 2020.
Premtimin për furnizim 24 orë nuk e ka përmbushur as kryeqyteti. Sipas raportit vjetor të Entit Rregullator të Ujit, 64.7 për qind e ujit të hedhur në rrjet humbet, ndërsa vetëm 35.3 për qind krijon të ardhura.

Tirane-  Humbjet e ujit në rrjet vijojnë të mbeten në nivele të larta edhe gjatë vitit 2021. Sipas raportit vjetor të Entit Rregullator të Ujit 64.7 për qind e ujit të hedhur në rrjet humbet, ndërsa vetëm 35.3 për qind krijon të ardhura.
Raporti nënvizon se përmirësimi i lehtë i këtij treguesi ka ardhur si rezultat i rritjes së nivelit të faturimit përkundrejt volumit të prodhuar.

Nga ana tjetër, gjatë vitit 2021 kohëzgjatja mesatare e furnizimit me ujë nuk pati asnjë ndryshim, duke mbetur në 13.79 orë/ditë, ndërkohë që objektivi i qeverisë qendrore është furnizimi me ujë 24 orë deri në vitin 2023 për 58 nga 66 qendra urbane. Ky objektiv nuk është arritur as nga Bashkia e Tiranës, e cila sipas raportit, është në nivelin mesatar të furnizimit me 17 orë në ditë.Aktualisht në rang vendi furnizimi i pandërprerë me ujë përfshin vetëm 29 qendra të banuara.

Raporti nënvizon se për vitin që lamë pas, mbulimi me ujë u bë për 77 për qind të territorit nga 76.1 për qind që ishte shkalla e mbulimit në vitin 2020.

Enti Rregullator i Ujit vlerëson gjithashtu se edhe pse indikatori i numrit të të punësuarve ka një përmirësim, sërish mbetet artificialisht i lartë. Nisur nga ky tregues kërkohet një angazhim më i madh nga shoqëritë dhe bashkitë përkatëse për të eliminuar punësimet nepotike apo të karakterit politik.

Në total, treguesit kryesorë të performancës për vitin 2021 paraqiten me një përmirësim të lehtë me përjashtim të mbulimit të kostove të operimit dhe mirëmbajtjes me 0.2 përqind. Nga 57 shoqëri vetëm 12 prej tyre arrijnë të mbulojnë mbi 100 për qind të kostove. Ndërkohë janë 24 ndërmarrje, të cilat performojnë dobët dhe me vështirësi mbulojnë pagat e personelit.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here