Anëtari i Komisionit të Rithemelimit, Genc Deromemaj, i cili është edhe kreu i degës së Partisë Demokratike Vlorë, thotë se procesi i rikonstruktimit të partisë ka njohur interes në rritje.
Ai bëri të ditur për MCN Tv, se nga pesë degë, në dy ka përfunduar procesi ndërsa në të tjerat pritet që të përfundojë gjatë javës në vijim, brenda afateve.
“Në lidhje me qarkun Vlorë, mbi 90% e anëtarësisë është përfshirë. Mund të them që jashtëzakonisht pak, një numër i vogël, por jo i konsiderueshëm, nuk kanë shfaqur interes. Nuk janë duke u bërë pjesë për arsyet e tyre personale, por ky numër është jashtëzakonisht i vogël. Këta njerëz që kanë qenë larg procesit, javën e fundit që do të jetë procesi në vijim, do i bashkohen PD, degëve në pjesëmarrjen në proces.”
Gjithashtu ai shtoi se procesi i rikonstruktimit të partisë nuk nxjerr kandidatura për kryetar, por se synon organizimin e partisë.
Deklaratën e Sali Berishës, për përjashtimin e çdo bashkëpunimi me Partinë Socialiste për emrin e Presidentit të ri ndonëse nuk është kryetar i PD, Deromemaj deklaroi se zoti Berisha ka atributin e të folurit në emër të Komisionti të Rithemelimit.
“Është diskutim i bërë në emër të anëtarëve të Komisionit, për të diskutuar për proceset e ardhshme parlamentare. Ky është vendim i marrë nga anëtarët e komisionit dhe si një vendim unanim i komisionit, i mandatuar për të drejtuar procesin e ristrukturimit të PD dhe jetës politike. E ka këtë atribut për të folur në emër të komisionit, por edhe si deputet i PD. Është shpejt për të folur me kontestime ose jo për Presidentit, por mund t’iu them nga historiku i qeverisjes së Partisë Socialiste, jemi dëshmitarë të paqëndrueshmërisë së Edi Ramës me çdo marrëveshje mes PS dhe PD. Si marrëveshja e 5 qershorit 2020, ku u besua dhe nën bekimin e SHBA, një marrëveshje e lidhur në territorin e saj fizik dhe faktet rrodhën ndryshe. Zoti Rama nuk respektoi asnjë nga pikat e asnjë marrëveshje. Zoti Rama ka treguar prej shumë kohësh se nuk iu qëndron marrëveshjeve me opozitën. Zoti Rama nuk është i besueshëm në çfarë propozon ai vetë apo organet e tjera pranë PS dhe qeverisë. Në vazhdim do të kemi zhvillime të mëtejshme me këto procese që pritet të ndodhin në parlament dhe do të gjendet një zgjidhe e pranueshme.”
Ndërsa lidhur me kundërshtimin e ndërhyrjeve që po bëhen në sheshin e Flamurit në Vlorë, deklaroi se po kryhen ndërhyrje në mënyrë të paligjshme.
Sipas tij, projekti po humb identitetin kombëtar, dhe lidhur me të PD ka bërë dhe kallëzim penal pranë SPAK, pasi tha se janë konstatuar shkelje të rënda proceduriale për këtë projekt, por edhe shpërdorim të theluar të fondeve.
Kallëzimet i kemi ndjekur por deri ditën e sotme, nuk kemi një përgjigje nga Prokuroria e Vlorës, apo SPAK. Do vazhdojmë ta ndjekim edhe strukturat e reja që do të zgjidhen do vazhdojnë ta ndjekin me seriozitet maksimal. Po ndërtohet një monstër betoni në mes të sheshit të Flamurit.