Ekonomia ilegale e kanabisit

0
219
Serra me kanabis në Shqipëri (Foto Artan Hoxha)
Me qëllim rritjen e punësimit dhe ekonomisë, Kryeministri Edi Rama shpalli së fundmi nismën për legalizimin e kanabisit mjekësor. Por nisma e qeverisë erdhi në një kohë kur kultivimi i kanabisit rekreativ është konsoliduar në Shqipëri. Investimet në procesin e kultivimit, që nga farat e deri te kultivarët, kanë rritur prodhimin në më pak sipërfaqe. Kultivimi është diversifikuar në shtëpi dhe serra, për të shmangur humbjet nga aksioni i policisë, kurse zinxhiri i përpunimit ka rritur investimet në laboratorë që prodhojnë nënproduktet vaj dhe çokollatë. Vlerësimet indirekte tregojnë se grupet e kanabisit po ruajnë të ardhurat mbi 1 miliard euro në vit, duke ulur sipërfaqen e prodhimit dhe duke rritur produktivitetin. Kanabisi ilegal kontribuon me rreth 10% të PBB-së dhe ofron punë për rreth 20 mijë persona në vit. Bizneset ligjore të kanabisit mjekësor ka të ngjarë të konkurrohen nga tregu i zi. Si po ndikon modeli ekonomik dhe kapitali njerëzor tek ekonomia e kanabisit

 

Blerina Hoxha

Me një seriozitet të pazakontë në veshje, me smoking të zi dhe kollare të kuqe, Kryeministri i vendit, Edi Rama, shpalli para gazetarëve në sallën kryeministrore më 7 prill 2022 legalizimin e kanabisit për qëllime mjekësore.

Vendimi erdhi pas një ankete Këshillimi Kombëtar, ku 61% e qytetarëve që u përgjigjën ishin dakord për kultivimin e kanabisit, me qëllim hapjen e një fronti të ri pune dhe rritje ekonomike në Shqipëri.

Në të njëjtën kohë, në kodrat dhe malet e vendit janë ngritur ndoshta serrat më moderne në Europë për kultivimin e kanabisit rekreativ, i cili është shndërruar në degën më të zhvilluar të bujqësisë reale dhe kontribuon me të ardhura vjetore gati sa 10% e PBB-së kombëtare dhe angazhon me punë rreth 20 mijë persona në vit.

Është fakt se në të gjithë botën, interesi i kompanive farmaceutike për të përfshirë kanabisin për trajtime mjekësore është rritur. Sipas parashikimeve të “Market data Forecast”, vlera globale e kanabisit për qëllime mjekësore pritet të arrijë në 16,4 miliardë këtë vit, ndërsa deri në vitin 2027 do të trefishohet, mbi 46 miliardë dollarë.

Vendet kudo në botë kanë shtuar përpjekjet për legalizimin e kultivimit dhe përdorimit për qëllime mjekësore, por bizneset në këtë fushë po ndeshen me vështirësi.

Ophelia Chong, konsulente e bizneseve që kultivojnë kanabisin e ligjshëm në Kaliforni, tha për gazetën britanike “The Guardian” se, “tani për tani, e vetmja mënyrë që bizneset legale, të licencuara nga shteti të jenë fitimprurëse, është të mbajnë një këmbë në tregun ilegal, të palicencuar”.

Artan Hoxha, gazetar me përvojë në sektorin e kronikës dhe njohës i mirë i procesit të kultivimit të bimëve narkotike, tha për “Monitor” se, sa herë qeveria jonë flet për legalizimin e kanabisit për qëllime mjekësore, kjo përkthehet në “leje” për zgjerimin e sipërfaqeve të mbjella me kanabis rekreativ në tregun e zi, edhe pse nuk ka asnjë lidhje me kultivarët për qëllime mjekësore dhe atyre që rriten në Shqipëri.

Bizneset do të kenë leverdi nëse legalizohet kanabisi për qëllime rekreative, pasi Shqipëria ka përvojë 30-vjeçare dhe ka krijuar një fuqi punëtore me njohuri të zgjeruara në këtë fushë.

Nga viti në vit, produktiviteti i biznesit të kanabisit po rritet, tha Hoxha, për shkak të sofistikimit të investimeve në serra, përdorimit të teknologjisë së lartë dhe përzgjedhjes së farave e kultivarëve me vlerë të lartë tregu.

Prurjet valutore nga eksporti i kanabisit të paligjshëm kanë kontribuar në plotësimin e hendekut valutor që krijohet nga deficiti tregtar, duke u shndërruar në kontribuuesin kryesor të balancës korrente dhe në stabilitetin e kursit të këmbimit. Nga ana tjetër, këto të ardhura kanë deformuar modelin e zhvillimit të qëndrueshëm në vend, pasi janë të përqendruara kryesisht në sektorin e ndërtimit, duke e penguar ekonominë të zgjerohet në sektorët inovatorë.

Ish-ministri i Bujqësisë, Rexhep Uka, e cilësoi të dyshimtë nismën e kultivimit të kanabisit për qëllime mjekësore, si një politikë zhvillimi ekonomik, në një kohë që bujqësia tradicionale ka ende hapësira të mëdha të pashfrytëzuara. “Me të vërtetë e arritëm kulmin në bujqësinë tradicionale dhe tani na mbeti kanabisi?!

E para, d.m.th. bujqësia tradicionale, edhe pse me shumë pak të ardhura, është shumë më e shëndetshme, sepse brenda ka punën! Aspekti social i saj i ka rrënjët këtu e 10000 vjet më parë, kurse kjo e kanabisit është si ‘të mbahesh për shkume’, një ‘biçim piramide’, ku familja tradicionale rurale, e as ajo moderne, nuk kanë vend. Ky prodhim është specie botanike, që ka teknologjinë e saj, të cilën e trajton fitoteknika”, tha zoti Uka.

Kultivimi masiv i kanabisit në të gjithë vendin, në vitet e fundit ka dëmtuar rëndë kapitalin njerëzor. Genci Muçollari drejton “Aksion Plus”, një qendër që ofron ndihmë për përdoruesit e drogës. Ai tha se në vitin 1995, numri i personave 15–65 vjeç, që kanë provuar të paktën një herë një lloj droge rezultonte rreth 5,000, ndërsa në vitin 2022, në Shqipëri, numërohen rreth 60 mijë persona përdorues të drogave, ku rreth 7-8 mijë konsiderohen konsumues problematikë të drogave të rënda dhe të rrezikshme.

Të dhënat e “Aksion Plus” tregojnë se nga viti 2017 deri në vitin 2022, numri i përdoruesve kryesisht të kanabisit është rritur me 50%, duke arritur në 60 mijë persona nga 40 mijë pesë vite më parë. Aktivitetet e paligjshme të kanabisit përbëjnë gati një të tretën e të burgosurve në vend, ndërsa zunë rreth 10% të çështjeve penale, sipas të dhënave zyrtare.

 

Po kriminalizohet popullata e re në moshë

Të joshur nga fitimet e larta, meshkujt e rinj në moshë priren për t’u përfshirë në kultivimin dhe tregtinë e kanabisit, për shkak të pagave mjaft konkurruese me sektorët e tjerë. Fitimet e larta në tregun e zi të tregtisë shoqërohen edhe nga rreziku i lartë. Shumë të rinj që merren me kultivimin e kanabisit dhe transportin e tij bien pre e aksioneve të policisë, për shkak të kryerjes së aktivitetit të paligjshëm.

Statistikat e INSTAT tregojnë se 10% e procedimeve penale nga viti 2015 deri më 2020 kishin lidhje me drogën, kryesisht aktivitetin e kanabisit. Ka plot raste kur policia ka arrestuar gra në moshë, pasi ato e kanë parë punën në parcelat e kanabisit si mjetin e vetëm për jetesë. Të dhëna nga burgjet tregojnë se një në tre të dënuar ka lidhje e kanabisin. Kultivimi i kësaj bime shtron rrugën për strukturimin e krimit dhe eksportin e tij jashtë vendit.

Vitet e fundit, grupet shqiptare në Britaninë e Madhe kanë nisur të rekrutojnë të rinjtë nga Shqipëria. Mediat britanike raportojnë se, ata marrin përsipër shpenzimet e kalimit ilegal në Britani që tani kushton rreth 25 mijë paund një person. Rekrutët do ta shlyejnë koston e kalimit, duke punuar një vit falas në shtëpitë ku kultivohet kanabis ose do të përdoret duke shitur drogë në tregjet e pakicës.

Për shkak të fitimeve më të larta se sa nga puna e krahut, mijëra të rinj po zgjedhin të largohen në Britani kundrejt kostove të larta dhe rrezikut të madh për jetën. INSTAT raportoi se vitin e kaluar, mbi 43 mijë persona u larguan nga vendi, ku 50% e tyre ishin të rinj nën moshën 24 vjeç.

 

Kanabis Gorrilla (Foto Artan Hoxha)

 

Po deformohet modeli ekonomik

Prurjet cash nga trafiqet, kryesisht kanabisi, kanë ndikuar negativisht në ndërtimin e një modeli parazitar ekonomik. Shumica e parave që gjenerohen nga krimi, korrupsioni dhe tregtia e kanabisit pastrohen në sektorin e pasurive të paluajtshme brenda vendit, por edhe jashtë vendit. Raporte nga organizata të specializuara tregojnë se paratë e tregtisë së drogës pastrohen kryesisht në sektorin e ndërtimit në Shqipëri.

Flukset financiare të paligjshme në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, një publikim i “Nismës Globale kundër Krimit të Organizuar Ndërkufitar” (Global Initiative Against Transnational Organized Crime) në vitin 2020, gjeti se rreth 60% e firmave të ndërtimit, që kanë marrë leje në periudhën 2017-2019 në kryeqytet, nuk i justifikojnë burimet financiare, ndërsa vlerësohet se për këtë periudhë 3-vjeçare janë pastruar në ndërtim rreth 1.6 miliardë euro.

Sipas raportit, nga 141 kompani që kanë marrë leje ndërtimi për ndërtesa më të larta sesa 6 kate, midis 2017 dhe 2019, 59% e tyre nuk kishin kapacitetet financiare për t’i përfunduar ato. Sipas bilanceve të tyre, kompanitë kishin të ardhura minimale dhe nuk kishin as asete dhe hua dhe as kompani të lidhura, që do t’u mundësonin të bënin një investim të tillë.

Raporti bën një vlerësim të parasë ilegale që ka hyrë në ndërtim këto tre vjet, duke u nisur nga tregues indirektë si kapaciteti financiar i firmave, kredia për ndërtim dhe huaja hipotekore. Një ekspert i pastrimit të parave në Shqipëri vlerësoi se afro 500 milionë euro u pastruan nëpërmjet sektorit të pasurive të patundshme në vitin 2019 në këtë mënyrë.

Duke përdorur të njëjtën llogaritje për vitin 2017 dhe 2018, rezulton përkatësisht se u pastruan 320 milionë dhe 570 milionë euro. Kjo e çon vlerësimin total të pastrimit të parave në 2017-2019 në 1.6 miliardë euro”, thuhet në raport. Çmimi i një metri katror banesë në Shqipëri shpesh është tre herë më shumë se paga mesatare në Shqipëri.

2017-2022, numri i përdoruesve rritet me 50%

Në vitin 1995, numri i personave (15–65 vjeç), që të paktën një herë kanë provuar një lloj droge rezultonte rreth 5,000, ndërkohë që në vitin 2022 në Shqipëri numërohen rreth 60 mijë persona përdorues të drogave, ku rreth 7-8 mijë konsiderohen konsumues problematikë të drogave të rënda dhe të rrezikshme, shpjegon Genci Muçollari, i cili drejton “Aksion Plus”. Në vitin 2017, numëroheshin 40 mijë përdorues.

Sipas të dhënave të “Aksion Plus”, afërsisht 6.6% e nxënësve e kanë provuar kanabis të paktën një herë në jetë, krahasuar me 4.4% në vitin 2014. Nga anketimet apo studimet rezulton se, numri i përdoruesve të drogave është rritur ndjeshëm.

“Në qendrat tona të metadonit, që janë hapur në Tiranë, Durrës, Elbasan, Korçë, Vlorë, Fier, Shkodër, Berat dhe Sarandë, marrin terapi rreth 950 persona, përditë, nga 750 klientë që trajtoheshin në vitin 2018, dhe ky numër është në rritje. Për më tepër, ‘Aksion Plus’ e shtrin shërbimin edhe në IEVP, si dhe në Komisariatet e Policisë, duke trajtuar dhe rreth 135 persona të tjerë”, tha zoti Muçollari.

Anketa e parë e përgjithshme e popullsisë mbi përdorimin e substancave në Shqipëri u krye në vitin 2014, me një mostër prej 3 975 personash të moshës 15 deri në 64 vjeç. Rezultatet tregojnë se kanabisi është substanca kryesore e paligjshme e konsumuar; rreth 1 nga 10 të rritur të moshës nga 15 deri në 64 vjeç në Shqipëri kanë përdorur kanabis të paktën një herë gjatë jetës, ndërsa rreth gjysma e atyre e kanë përdorur atë në vitin e fundit.

Kokaina është droga e dytë që përdoret më zakonisht në mesin e popullatës së përgjithshme të rritur, ndjekur nga 3,4-methylenedioxy-N-methylamphetamine (MDMA/ekstazi) (4,7% dhe 1% përkatësisht). Përdorimi i drogave të paligjshme është më i zakonshëm tek të rriturit e rinj.

Kështu 7.9% e 15 deri 34-vjeçarëve raportuan përdorimin e kanabisit dhe 3.6% raportuan përdorimin e kokainës në vitin e fundit. Rreth 4.1% e të anketuarve në këtë grupmoshë kishin përdorur kanabis dhe 1.4% kishin përdorur kokainë në muajin e fundit. Meshkujt raportuan përdorimin e të gjitha substancave të paligjshme më shpesh se femrat.

Për shumicën e substancave, prevalenca e raportuar ishte pothuajse 10 herë më e lartë te meshkujt krahasuar me femrat, me përjashtim të MDMA, për të cilën prevalenca gjatë gjithë jetës ishte vetëm rreth katër herë më e lartë te meshkujt sesa femrat.

Qendra “Aksion Plus” evidentoi se drogat më të përdorura në Shqipëri janë kanabis (marijuana), heroina dhe kokaina. Të dhënat e fundit tregojnë se, Shqipëria është e dyta në Europë për përdorimin e kokainës me 2.5%. Numri i mbidozave vjetore me droga rezulton rreth 250 dhe ai i vdekjeve vjetore nga këto mbidoza, rreth 10 të tilla.

Zoti Muçollari, me përvojë të gjatë në administrimin e personave të varur nga droga tha se, përdoruesit përballen me pasoja sociale, psikologjike, fiziologjike. Përdorimi ka rrezikshmëri të lartë në aktivitetet që kërkojnë përqendrim të vëmendjes – punë me makineri, ngjarje makine. Përdoruesit dështojnë në rolin familjar (neglizhencë në rolin si prind, bashkëshort), shoqëri.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here