Shteti me qira: Si u ngarkua buxheti me kostot e ‘PPP’-së për doganën e Tiranës

0
129

Në fillim të shkurtit, kryeministri Edi Rama postoi në faqen e tij në ‘Facebook’ disa foto të ndërtesës së rikonstruktuar të Drejtorisë Rajonale të Transportit Rrugor në Berat.

“Nga një mjedis deri dje me qera në pronën e mikut të asaj partisë që e dini vetë ju, në një mjedis të ri shtetëror, që flet vetë për ndryshimin rrënjësor,” shkroi Rama.

Duke aluduar, por pa e përmendur Lëvizjen Socialist për Integrim – dikur partneri qeverisës i PS-së, kryeministri vuri gishtin mbi një nga zërat më pak të monitoruar të buxhetit të shtetit – qiramarrja e mjediseve private nga institucionet shtetërore.

Megjithatë, ndryshe nga prirja që propagandoi kreu i ekzekutivit me ndërtesën e DRTRRSH-së në Berat, erërat fryjnë në kah të kundërt, pasi qiramarrja e mjediseve private nga institucionet publike buxhetore dhe kompanitë shtetërore është rritur gjatë viteve të fundit.

Të dhënat e buxhetit të shtetit të analizuara nga BIRN tregojnë një pjesë e rëndësishme e kësaj rritjeje i faturohet një kontrate të lidhur midis Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave dhe kompanisë ‘Continental Group Sha’ – pjesë e konglomeratit “Kastrati”.

E lidhur fillimisht në vitin 2013, kjo kontratë qiramarrje në formën e një partneriteti publik privat nuk parashikonte kosto direkte për buxhetin e shtetit.

Por në vitin 2017, me propozim të ministrit në atë kohë të Financave dhe sot zv/kryeministër, Arben Ahmetaj, kontrata u rinegociua duke i sjellë miliona euro kosto shtesë taksapaguesve gjatë 5 viteve të fundit.

Për ekspertin e ekonomisë, Pano Soko, rinegocimi i kontratave në Shqipëri bëhet për arsyet e gabuara dhe rasti i Doganës është flagrant.

“Rregullohet kuadri ligjor me qëllimin jo që t’i ulet kostoja qytetarit, por t’i rritet, por pa rritur koston e shërbimit,” tha ai.

Përveç koncesionit të Terminalit Doganor, shpenzime të larta qiramarrjeje gjatë viteve të fundit kanë regjistruar edhe kompanitë me aksioner shtetin, në mënyrë te veçantë Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, OSHEE – i cili refuzoi një urdhër të Komisionerit për të Drejtën e Informimit për t’i bërë publike kostot.

Në një përgjigje me shkrim, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave i tha BIRN se marrëveshja ishte amenduar, pasi ajo biente ndesh me ndryshimet e Kodit Doganor të miratuara në vitin 2014.

“Në nenin 8, kontrata vendos një marrëdhënie ekskluzive me palën private duke kërkuar që 100% e mjeteve me përkatësi territoriale Tiranë të zhdoganohen pranë terminalit të ndërtuar nga shoqëria,” tha Drejtoria e Përgjithshme e Doganave.

“Ndaj është shfaqur i domosdoshëm eleminimi i neneve të ekskluzivitetit cituar më sipër dhe i të gjitha pikave të kontratës që lidhen me to dhe me detyrimin për të zhdoganuar 100% të mjeteve në terminalin Tiranë,” shtoi ajo.

Kompania Kastrati nuk i përgjigj një kërkese për koment të dërguar me email deri në publikimin e këtij shkrimi.

Dyfishim i shpenzimeve për qira  

Në shoqërinë komuniste nuk kishte pronë private. Pas rënies së regjimit totalitar në vitin 1991, Shqipëria filloi një proces privatizimi masiv të pronës shtetërore dhe kthimin tek ish-pronarët të pronave të shpronësuara.

Për dy dekadat në vazhdim, shumë prona shtetërore – duke filluar nga banesat, hotelet, ndërmarrjet dhe fabrikat, u privatizuan ose u dhanë me qira me kontrata enfiteoze.

Por vitet e fundit, prirja për të dhënë mjedise publike me qira po ngushtohet, ndërkohë që nevojat e administratës dhe kompanive publike për të shtuar shërbimet, kanë sjellë kërkesë në rritje nga shteti për të marrë me qira mjediset e privatit.

Të dhënat e databazës së Thesarit të publikuara nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë tregojnë se qeveria e qendrës së majtë e kryeministrit Edi Rama, shpenzoi nga viti 2017 deri në dhjetor të vitit 2021, rreth 2.8 miliardë lekë [23.4 milionë euro] në kontrata qiramarrje.

Nga viti 2017 deri në vitin 2020, kostoja e qiramarrjes për buxhetin e shtetit gati u dyfishua, nga 425 milionë lekë [3.71 milionë euro] në 837 milionë lekë [7.31 milionë euro]. Këto shpenzime përfshijnë disa lloj kategorish qiramarrje, përfshirë ambiente dhe prona rezidenciale, mjete transporti dhe pajisje teknologjike.

Institucioni buxhetor që ka shpenzuar më shumë për kontrata qiramarrje gjatë vitit 2020 ka qenë Bashkia e Tiranës, e ndjekur nga Dogana e Tiranës, Drejtoria e Përqasjes Juridike Ndërkombëtare, Drejtoria e Përgjithme e Tatimeve, Drejtoria e Përgjithshme e Objekteve Publike dhe Agjencia e Zhvillimit të Territorit.

Megjithatë, pagesat e Thesarit janë vetëm një pjesë e parave publike që paguhen për qiramarrje, pasi një pjesë e rëndësishme e kontratave lidhen nga kompanitë shtetërore.

Të dhënat e mbledhura nga BIRN nëpërmjet ligjit ‘Për të drejtën e informimit’ tregojnë se vetëm Posta Shqiptare shpenzoi 80 milionë lekë [699 mijë euro] për qiramarrje në vitin 2021, një shifër dy herë më e lartë se në vitin 2017, kur e njëjta shoqëri aksionere shpenzoi 37 milionë lekë.

BIRN kërkoi të dhëna mbi kostot e qiramarrjes nga 24 ndërmarrjet aksionere të ujësjellës-kanalizimeve, nga të cilat vetëm nëntë deklaruan se kishin shpenzime për qiramarrje. Këto sipërmarrje publike deklaruan se gjatë viteve 2017-2021 kishin shpenzuar 16.8 milionë lekë për qiramarrje.

Shpenzuesi më i madh në listë ishte ‘UK Gjirokastër sh.a’, e cila pagoi 5.2 milionë lekë për 3 pika shërbimi dhe godinën e administratës gjatë kësaj periudhe.

Ndërkohë, shoqëria e Ujësjellës – Kanalizimeve Tiranë, më e madhja e ndërmarrjeve në vend, refuzoi të bënte transparencë edhe pas ankesës pranë Komisonerit për të Drejtën e Informimit.

Ngjashëm, Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, OSHEE – gjithashtu një shoqëri aksionare me kapital 100% shtetëror, refuzoi të përgjigjet për shpenzimet për qiramarrje, edhe pse Komisioneri për të Drejtën e Informimit vlerësoi se këto dokumente përbëjnë informacion publik dhe e urdhëroi këtë autoritet që t’i vinte në dispozicion.

Megjithë refuzimin e OSHEE-së, BIRN arriti të sigurojë të dhënat e qirasë për vitet 2016 – 2021, të cilat kapin në total vlerën e 2,6 miliardë lekëve [22.7 milionë euro] – gati sa të gjitha institucionet buxhetore të marra së bashku.

Vetëm për vitin 2018, OSHEE shpenzoi 489 milionë lekë [4.27 milionë euro] për qiramarrje.

Erdion Maçolli, jurist pranë Komitetit Shqiptar të Helsinkit, thotë se për çdo veprimtari ekonomike të institucioneve, në të cilën shteti ka më shumë se gjysmën e aksioneve, publikimi i të ardhurave dhe shpenzimeve është një detyrim.

“Në rastin konkret, OSHEE dhe ujësjellësat, janë persona juridikë të organizuara sipas Ligjit “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare” me kapital dhe pronësi 100% shtetërore,” shpjegoi ai.

Mungesa e transparencës mbi kostot e qiramarrjes, sipas ekspertit Pano Soko, të shtyn të dyshosh se marrëveshjet lidhen në një kontekst korruptiv apo se vlera e tyre mund të jetë abuzive.

“Një pjesë e marrëveshjeve të qirave janë abuzive, pasi vlera e tyre nuk ka fare lidhje me realitetin në treg,” shprehet Soko.

“Një kontratë qiraje lidhet jo për shkak të mirëfunksionimit të procesit ekonomik të institucionit apo të studimit të tregut, por pikënisja është nga përfituesi fundor,” shtoi ai.

Soko shkon edhe më tej, teksa thotë se kontratat e qirasë shërbejnë për të ushqyer linja korrupsioni të pakapshme, duke shfrytëzuar vakumet në legjislacion.

“Lidhja e kontratave në zona të caktuara mund të ketë vështirësi, hapja e tenderi publik mund të lërë pa shërbim institucionet, pasi askush nuk do të ofertojë,” tha ai.

“Ligji lë hapësirë që subjektet të vetëzgjedhin llojin e kontratës që do të kryhet,” shtoi Soko, ndërsa theksoi se “kjo keqpërdoret.”

Në 14 maj 2013, ish-kryeministri Sali Berisha, i shoqëruar nga përfaqësues të botës së biznesit, inaguroi mjediset e terminalit të doganës së qarkut Tiranë në Vorë, të ndërtuara nga grupi Kastrati.

Gjatë fjalës së tij përshëndetëse, Berisha deklaroi se terminali përbënte një investim të rëndësishëm për sektorin doganor.

“Së pari, dua të përshëndes përzemërsisht kompaninë Kastrati, e cila në një kohë rekord bëri të mundur këtë kompleks dinjitoz, të domosdoshëm, shumë të rëndësishëm, paraqitës për vendin, siç është kompleksi i terminalit të ri të doganës së Tiranës,” tha ai.

“Kjo është një nga veprat e para të partneritetit publik privat dhe nga njëra anë dëshmon se çfarë potenciali i madh ekziston në këtë bashkëpunim, por nga ana tjetër dëshmon se qeveria është e vonuar në aplikimin e këtij partneriteti, në të gjitha fushat,” shtoi Berisha.

Një muaj më vonë, Partia Demokratike e udhëhequr nga Berisha humbi zgjedhjet parlamentare. Megjithatë, pak ditë përpara ardhjes në pushtet të qeverisë së re më 28 gusht 2013, Këshilli Ministrave shpalli zonën ‘e përhershme’ doganore Tiranë në terminalin e ndërtuar nga grupi Kastrati në Vorë me një sipërfaqje prej 71 mijë metra katrorë.

Kontrata afatgjatë e qiramarrjes midis Drejtorisë së Doganave dhe kompanisë ‘Continental Group Sha’ – pjesë e grupit Kastrati, i jepte një mjedis ‘pa shpërblim’ doganës së Tiranës në terminal, i cili mblidhte të ardhura nga qiradhënia e zyrave për agjencitë doganore dhe shërbimet e tjera të ofruara ndaj bizneseve.

Një muaj pas shpalljes së zonës doganore në terminalin e kompanisë ‘Continental’ në Vorë, qeveria e e sapoardhur në pushtet e kryeministrit Edi Rama e anuloi vendimin.

Por pavarësisht se Rama e shfuqizoi zonën doganore të Vorës, terminali dhe doganat vazhduan të funksionin. Në një deklaratë për revistën ‘Monitor’ në atë kohë, drejtori i grupi Kastrati, Luigj Aliaj e cilësoi shfuqizimin ‘si një çështje ligjore’.

“Puna në doganë vazhdon, por me këtë shfuqizim, qeveria hap problem për doganierët e saj që e ushtrojnë aktivitetin në këtë zonë, të cilët e kryejnë funksionin në një zonë ende të pamiratuar nga qeveria,” tha Aliaj.

Tre vjetë më vonë, Këshilli i Ministrave i udhëhequr nga kryeministri Edi Rama e miratoi sërish zonën doganore që kishte shfuqizuar pas ardhjes në pushtet.

Nëpërmjet një vendimi të Këshillit të Ministrave më 12 tetor 2016, qeveria rishpalli terminalin e Kastratit si zonë të ‘përhershme doganore’, ndërkohë që autorizoi Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave që të rinegociojë kontratën e qirasë lidhur me shoqërinë “Continental Group” sh.a.

Një vit më vonë, me propozim të ish-ministrit të Financave, Arben Ahmetaj, qeveria autorizoi Drejtorinë e Doganave të amendonte kontratën e qiramarrjes me shoqërinë “Continental Group” sh.a..

Sipas kontratës së ndryshuar, qiradhënësi hiqte dorë nga detyrimi që kontrata e mëparshme vendoste mbi të gjithë operatorët e regjistruar në qarkun Tiranë që t’i kryenin zhdoganimet në terminalin e Vorës, si dhe nga pretendimet për shkaktim dëmi dhe kamatëvonesa ndaj qeverisë.

Ndërkohë, Drejtoria e Doganave si qiramarrës pranonte të paguante një qira direkte me vlerë 5.3 milionë lekë në muaj pa TVSH, për zyrat e adminstratës, magazinën dhe hapësirën e parkimit të automjeteve.

Për shkak se marrëveshja midis “Continental Group” sh.a. ka një kohështrirje 25-vjeçare, pritet që kostoja e qiramarrjes që i ngarkohet buxhetit të shteti të kapë një vlerë më të madhe se 13 milionë euro.

Rinegocimi i kontratës i ka dyfishuar të ardhurat nga qiraja për Continental Group, nga 51 milionë lekë [450 mijë euro] në vitin 2017, në 111 milionë lekë [970 mijë euro] në vitin 2018.

Sipas Pano Sokos, rinegocimi i kontratës përmes ndryshimeve ligjore është bërë në dëm të qytetarit dhe të buxhetit të shtetit.

“Një shërbim që qytetari e merrte pa lekë, qeveria që supozohet të ishte gardiani i tyre, e zhbën si vendim dhe e bën me detyrim që 5.3 milionë lekë në muaj qira. Pra përshtat ligjin në të kundërt,” tha Soko.

Në një situatë normale, qeveria edhe aty ku qytetari paguan, mundohet që të ulë kostot e përdorimit të parave publike përmes mekanizmave që ka,” shtoi ai.

Drejtoria e Përgjithshme e Doganave pretendon se kontrata fillestare ka qenë e konceptuar gabim dhe thekson se u shtonte kostot qytetarëve, pasi i detyronte ata që çdo zhdoganim ta kryhenin pranë terminalit të ndërtuar nga shoqëria private. Dogana thekson se ankesa ka pasur edhe pala private për dëm të shkaktuar në vlerën e 2.8 milionë eurove, ndër të cilat edhe për mosshfrytëzimin e plotë të ambienteve.

“Pas rinegocimit të qirasë me pagesë direkte për mjediset, shoqëria “Continental Group” sh.a hoqi dorë nga ekskluziviteti si dhe nga pretendimet për shkaktim dëmi,” theksoi Drejtoria e Doganave në një përgjigje me shkrim.

Monitorimi i kontratave të qirasë

Teksa miliona lekë nga buxheti i shtetit shkojnë çdo vit për pagesat e mjediseve që merren me qira, lidhja e kontratave kryhet thuajse në mungesë të plotë të transparencës. Asnjë tenderim nuk publikohet në faqen online të Agjencisë së Prokurimit Publik, madje shpesh edhe njoftimi i vetë institucioneve zë një cep të padukshëm në wëtet e tyre.

Sipas ekspertit të ekonomisë, Zef Preçi, mundësia për abuzim në lidhjen e kontratave të qiramarrjes rritet më shumë në mungesë të një metodologjie të qartë.

“Mospërfshirja e Avokatit te Shtetit në formulimet juridike të kontratave të qerasë, mungesa e raportimeve periodike mbi pagesat për këto objekte, si dhe mungesa e një regjistri kombëtar të kontratave të tilla, krijon mundësine që të sigurohen fitime të lehta dhe me risk zero,” tha ai.

Praktika e lidhjes së kontratave në mënyrë të drejtpërdrejtë mes instucioneve shtetërore dhe subjekteve private, shpesh pa një referencë të çmimeve në treg, ndikon sipas ekspertëve edhe në prishjen e balancave të tregut dhe të garës.

‘Century 21’, një nga agjencitë më të mëdha të pronave të paluajshme në Shqipëri, nuk ka regjistruar asnjë kërkesë nga institucionet shtetërore për listime qiraje apo kërkesa qiraje. Dritan Leka, drejtuesi i ‘Century 21 CPM’, tha për BIRN se ky lloj bashkëpunimi nuk ka funksionuar asnjëherë në 13 vitet e operimit të tyre në treg.

“Aktualisht agjencitë imobiliare përbëjnë 10% të tregut të pasurive të paluajtshme, 90% e tregut zhvillohet pa një agjenci dhe kjo ndikon në të gjitha nivelet qofshin ato individë privatë, shoqëri tregtare, apo edhe institucione shtetërore,” tha ai.

Leka thekson se në shumë vende europiane, qiramarrja apo blerja e një prone nuk është e mundur të kryhet pa një ndërmjetës.

“Në Francë madje është detyrim ligjor që në momentin që do të bësh një transaksion imobiliar duhet të shkosh tek një agjenci, sepse agjencia më pas ka edhe detyrimin për të raportuar tek institucionet e tjera që kanë interesa për informacionin,” shprehet Leka.

Për kontekstin shqiptar, Soko sugjeron se një zgjidhje mund te ishte vendosja e një çmimi tavan, që duhet të përcaktohet për çdo institucion në bazë të planit të të ardhurave.

“Nuk mund të marrësh një mjedis me qira me të lartë sesa ta lejon plani i të ardhurave që do të realizosh,” shpjegoi ai.

“Nëse lidh një kontratë qiraje dhe nuk të dalin ato të ardhura që ke garantuar në dokumentacion, atëherë do të shkosh të përgjigjesh përpara ligjit,” përfundoi ai./ BIRN

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here