Ideja e Macronit që mund të lërë Ballkanin Perëndimor jashtë BE-së

0
160

Njohësit e politikave të Bashkimit Evropian thonë se propozimi i presidentit të Francës, Emmanuel Macron, për krijimin e një organizate të re politike me qëllim të bashkimit të vendeve që ndajnë vlerat e BE-së, por që nuk janë pjesë e bllokut, është një përpjekje e tij për ndaluar zgjerimin e BE-së.

Toby Vogel, analist dhe ekspert për BE-në dhe Ballkanin Perëndimor me bazë në Bruksel, vlerëson se ideja e presidentit Macron nuk do të përkrahet nga shtetet e bllokut.

Përveç që e cilëson propozim të zbehtë dhe me shumë paqartësi, Vogel thotë se Macron përmes kësaj ideje shpërfaq kundërshtimet që ka në raport me anëtarësimin e shteteve të reja në BE.

“Është e qartë se zgjerimi [i BE-së] nuk po shkon askund, sigurisht jo për Ballkanin Perëndimor dhe një nga arsyet për këtë është presidenti [Emmanuel] Macron. Ka qenë ai i cili ka bllokuar, për shembull, hapjen e negociatave të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë”, thotë Vogel në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.

Franca kundërshtoi hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në vitin 2019. Macron tha atëbotë se këto shtete duhej të bënin ende progres.

E, duke folur në Strasburg më 9 Maj në Ditën e Evropës, Macron, kur iu referua kërkesës së Ukrainës për anëtarësim të shpejtë në BE, tha se mund të duhen dekada për të ndodhur diçka e tillë.

Komentet i bëri pasi paraprakisht presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se në qershor planifikon të japë mendim lidhur me kërkesën e Ukrainës për anëtarësim.

Macron është shprehur kundër përshpejtimit të procedurës për Ukrainën, por edhe për shtetet e tjera, me arsyetimin se duhet respektuar standardet.

Në vend të përshpejtimit ai propozoi atë që e quajti “komunitet politik evropian”, që mund të jetë i hapur për shtetet që nuk i janë bashkuar BE-së, sikurse Mbretëria e Bashkuar, e cila është larguar nga blloku.

Vogel mendon se qëllimi i vërtetë i propozimit të presidentit Macron është që ai të paraqitet si mik i Ukrainës, Gjeorgjisë, Moldavisë si dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor, shtetet të cilat mëtojnë integrimin në BE, ndërsa në të njëjtën kohë nuk e mbështetë anëtarësimin tyre.

“Tani, ajo që vërtet dyshoj se qëndron pas idesë së Macronit është si të thuash: ne do t’ju japim statusin e kandidatit, por më pas do t’ju lëmë në harresë ku ju në të vërtetë nuk jeni anëtar, por gjithashtu nuk jeni krejtësisht jashtë BE-së… Kjo do të ishte një mënyrë për të mbajtur jashtë [BE-së] Ballkanin Perëndimor dhe Ukrainën dhe të gjithë të tjerët, gjë që unë dyshoj se në fund është ajo që ai [Macron] dëshiron në të vërtetë”, thekson Vogel.

Presidenti francez, Macron, si dhe zyrtarët francezë në përgjithësi kanë mbajtur qëndrime kundërshtuese në raport me anëtarësimin e shteteve të tjera në bllokun evropian.

Franca prej vitesh e kundërshton edhe procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën, ndonëse janë plotësuar të gjitha kriteret që BE-ja i kishte vënë në udhërrëfyes.

Bodo Weber, ekspert për Ballkanin dhe bashkëpunëtor i lartë i Këshillit për Politikat e Demokratizimit në Berlin, e sheh idenë e prezantuar nga presidenti francez më shumë si një tendencë për të shuar procesin e zgjerimit.

“Mendoj se ajo çfarë ai [Emmanuel Macron] po propozon këtu parimisht,[është] një alternativë e procesit të zgjerimit të BE-së edhe pse ai e ka shmangur që ta thotë këtë. Ai është i gatshëm për të gjetur një format që do ta zhdukte çështjen e zgjerimit të BE-së”, thotë Weber.

Weber thotë se është e qartë që brenda shteteve të BE-së ka mospajtime të mëdha sa i takon zgjerimit të mëtejmë të bllokut.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here