Deputeti i PD, Ervin Salianji, ka ngritur akuza të forta në lidhje me sulmet kibernetike që kanë pësuar portalet qeveritare, mes tyre edhe e-Albania.
Përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, Salianji shprehet se ka vend për të dyshuar nëse e-Albania është sulmuar vërtet nga armiq, apo nga vetë qeveria.
Sipas tij, kjo e fundit ka më shumë interes që portali të bllokohet, pasi marrin kohë për të fshirë të dhëna që lidhen me skandalet e fundit në vend.
“Shteti është zhveshur nga çdo autoritet! Autoritetin dhe ligjin në territor e bëjnë bandat dhe krimi i organizuar, në institucione ata dhe zyrtarët e korruptuar dhe sistemi i të dhënave personale dhe çdo e dhënë e shtetit ka rënë po ashtu!
Sulmi ndaj E-Albania nuk dihet nëse është bërë nga fuqi armike apo vetë qeveria ka interes të fshijë dhe pastrojë të dhëna që mund të jenë të domosdoshme gjatë hetimeve për skandalet e fundit, ku të vdekurit, të moshuar dhe të vobektë keqpërdoren për korrupsionin qeveritar”, ka shkruar Salianji.
Ndërsa edhe për këtë rast ai shprehet se diçka do të ishte zbuluar nëse SPAK do të kishte vepruar në kohë.