Problemet e konstatura në tregun e gazit të cilat ditët e fundit shkaktuan viktima dhe dhjetëra të plagosur kanë detyruar Ministrinë e Energjisë që të hartojë një ligj të ri ku parashikohet shtim i disa elementëve të sigurisë. Në bazë të ndryshimeve parashikohet që qytetarit i ndalohet mbushja e bombolës me gaz, pasi me këtë ligj ai duhet ta marrë atë të gatshme të mbushur në pikat e tregtimit që detyrohen të bëjne kolaudimin e tyre. Ligji merr në konsideratë edhe vendosjen e disa bllokuesve në bombola në rast të rrjedhjes së gazit si dhe paisjen e tyre me detektor.
Bombolat e gazit që do të përdoren nga qytetarët do të kolaudohen dhe nëse konstatohet se kanë probleme do të nxirren jashtë përdorimit nga pikat e tregtimit të gazit.
Ministria e Energjisë ka përfunduar ligjin e ri për tregtimin e gazit, i cili parashikon shtim të elementëve të sigurisë.
Drejtori i Hidrokarbureve në Ministrinë e Energjisë deklaron se tashmë gazi do të tregtohet vetëm me bombola të mbushura dhe pikat e liçensuara do të bëjnë regjistrimin dhe gjurmimin e tyre.
Dritan Spahiu: Gjithë qytetarët duhet të shkojnë të marrin bombola të mbushura dhe ti mbushin nëpër njësitë e autorizuara. Bombolat të cilat duhet të jenë të kontrolluara teknikisht dhe duhet të kenë të gjithë elementët dallues siç janë, ngjyra, logoja e shoqërisë, manuali i përdorimit, duhet të shënohen pesha neto, pesha bruto. Bombolat aktuale të cilat duhet të kalojnë pra në çertefikimin teknik. Në rast se ato nuk e kalojnë, nuk mund të përdoren.
Ndërkohë disa elementë të tjerë të sigurisë lidhen me vendosjen e bllokueseve të cilët realizojnë mbylljen automatike të bombolës në rast të rrjedhjes së gazit, si dhe paisja me detektor për gazin.
Dritan Spahiu: Kushtet kryesore në vendim që kanë të bëjnë me detektimin në rast rrjedhje të gazit, pra bizneset por edhe familjet duhet të pajisen me detektues gazi.
Drejtori i Hidrokarbureve shpjegon se me rëndësi në këtë ligj është edhe liçensimi i ekspertëve për tregun e gazit, të cilët do të bëjnë instalimin e bombolave nëpër banesa.
Dritan Spahiu: Një aspekt i rëndësishëm që është instalimi në biznese dhe familje do të bëhet vetëm nga persona të çertifikuar dhe të liçensuar, pra jo kushdo mund të instalojë bombolën.
Ngjarjet e rënda të shpërthimit të bombolave të gazit kanë bërë të domosdoshëm forcimin e rregullave të tregtimit të gazit, i cili vlerësohet mjaft problematik që prej 20 vitesh.