Policia e Shtetit do të ofrojë shërbime me pagesë edhe për sektorin privat dhe do të ruaj për 3 muaj kundrejt pagesës persona juridikë që janë në rrezik. Ky është vendimi që mori sot Këshilli i Ministrave për ndryshimet në Policinë e Shtetit.
Ky vendim do të hyjë në fuqi, menjëherë pas botimit në “Fletoren Zyrtare”.
Vendimi i plotë:
MIRATIMIN E LLOJEVE TË SHËRBIMEVE SHTESË QË OFRON POLICIA E SHTETIT DHE TARIFAVE TË PAGESËS PËR PERSONAT JURIDIKË E FIZIKË, PUBLIKË OSE PRIVATË V E N D O S I:
1. Policia e Shtetit ofron shërbime shtesë kundrejt pagesës për persona juridikë e fizikë, publikë ose privatë, në bazë të kërkesës së tyre, për:
a) mbështetje në zhvillimin e aktiviteteve kulturore, kombëtare dhe ndërkombëtare, si: panaire, ekspozita, teatro, koncerte, shfaqje, festivale të ndryshme, në mjedise të hapura dhe të mbyllura publike, si dhe gjatë zhvillimit të aktiviteteve sportive kombëtare dhe ndërkombëtare, në rastet kur organizatorët e këtyre aktiviteteve nuk janë pajisur me vërtetim sigurie nga Policia e Shtetit, sipas përcaktimeve të ligjit nr.19/2016, “Për masat shtesë të sigurisë publike”, me sigurimin fizik privat, për të ruajtur sigurinë brenda perimetrit të zhvillimit të aktivitetit;
b) vënien në përdorim të uniformës së Policisë së Shtetit, armëve me fishekë manovre, pajisjeve të tjera, mjeteve të loguara policore dhe ambienteve, në fushën e kinematografisë, gjatë zhvillimit të xhirimeve filmike;
c) shoqërimin e automjeteve që transportojnë mallra të rrezikshme, në rastin e kushteve shtesë të sigurisë, sipas ligjit nr.118/2012, “Për transportin e mallrave të rrezikshme”, e të mjeteve jashtë norme dhe transporteve në kushtet jonormale, sipas përcaktimeve të neneve 10, 61 dhe 62, të Kodit Rrugor të Republikës së Shqipërisë;
ç) ruajtjen dhe sigurimin e përkohshëm për një periudhë deri në 3 (tre) muaj ndaj personave juridikë publikë me rëndësi strategjike, aktiviteti i të cilëve vlerësohet në rrezik, si dhe ndaj personave juridikë privatë që kanë përfituar statusin “Investim/investitor strategjik, procedurë e veçantë”, sipas ligjit nr.55/2015, “Për investimet strategjike në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.
Sipas VKM-se Policia e Shtetit do të ofrojë shërbime shtesë kundrejt pagesës për persona juridikë e fizikë, publikë ose privatë, në bazë të kërkesës së tyre.