Valvula mitrale mundëson kalimin e gjakut nga atriumi i majtë në barkushen e majtë pa lejuar kthimin e tij përsëri prapa. Stenoza e valvulës mitrale është gjëndja kur kjo valvul është ngushtuar dhe nuk lejon rrjedhjen e lirshme të gjakut (Fig. 1).Per shkak te saj i sëmuri ndjen lodhje të përgjithshme dhe vështirësi në frymëmarrje, sidomos gjatë aktivitetit fizik.
Shkaqet e stenozës mitrale.
Stenoza mitrale mund të shkaktohet për arsye të ndryshme.
1.Ethja reumatike është një komplikacion i infeksionit të streptokokut në gjëndrat e bajameve. Ky është shkaku më i zakonshëm i stenozës së valvulës mitrale. Ethja reumatike mund t’a dëmtojë këtë valvul në dy mënyra:
A)duke trashur dhe ngurtësuar fletët e saj ose
B) duke i bërë ato të ngjiten me njëra-tjetrën. Në të dy rastet rezultati përfundimtar është mos-hapja e plotë e valvulës dhe pengesa e rrjedhjes së gjakut nëpërmjet saj.
2. Difektet e lindura (kongjenitale). Në raste të rralla foshnjet lindin me valvul mitrale të ngushtuar ose me difekte të cilat çojnë në stenozë të kësaj valvule me kalimin e viteve.
3.Shkaqe të tjera. Me kalimin e moshës mund të ndodhë kalçifikimi i valvules mitrale me pasojë stenozën. Ngushtimi funksional i saj mund të vijë si rezultat i miksomave, i trombozave ose i masave të ndryshme të cilat bllokojnë rrjedhën e gjakut përmjet valvulës edhe pse ajo nuk ka problem në vetvete. Rrezatimi në gjoks apo disa medikamente (ergotaminat për migrenën) mund të ndikojnë nganjëherë në krijimin stenozës mitrale.
Simptomat e stenozës mitrale.
Ecuria e stenozës është e ngadalshme dhe mjekësia nuk ka ende ndonjë mënyrë për parandalimin e saj. Për një periudhë të gjatë sa kohë stenoza është e lehtë, i sëmuri nuk ndjen shqetësime. Por kur ajo bëhet serioze simptomat shtohen: Dobësia e përgjithshme. Kjo ndodh për faktin se zemra nuk furnizon mjafueshëm me gjak organizmin, pasi rrjedhja e tij pengohet nga ngushtimi i valvulës mitrale. Vështirësia në frymëmarrje është një tjetër simptomë që krijohet për shkak të grumbullimit të gjakut në mushkri meqë valvula pengon rrjedhjen e tij. Diagnoza e stenozës mitrale mund të vërtetohet me ekokardiogram, por për informacion më të plotë rreth gjëndjes së përgjithshme të zemrës e të mushkrive mund jenë të nevojshme edhe analiza të tjera si: elektrokardiograma, grafia e gjoksit, holteri i ritmit dhe kateterizimi i zemrës.