Propozimi francez për ‘Bashkësi Politike Evropiane’ mbledh në Pragë, 44 liderë shtetesh

0
120

Bashkësia Politike Evropiane është një platformë e re për liderët evropianë. A do të kthehet ky forum në alternativë për zgjerimin e BE-së? Presidenti Macron dhe kancelari, Scholz thonë jo.

Liderët e të gjitha shteteve evropiane përveç Bjellorusisë dhe Rusisë mblidhen më 6 dhe 7 tetor në Pragë të Çekisë për të diskutuar për luftën në Ukrainë dhe për implikimet e saj në fusha të ndryshme të politikave. “Paqja dhe siguria, energjia, ndryshimet klimatike, situata ekonomike, si dhe migracioni dhe mobiliteti”, janë temat që do të diskutohen në takim.

Zyrtarë të BE-së thonë se ftesat u janë dërguar liderëve të 44 shteteve evropiane, dhe pothuajse nga të gjithë ka pasur përgjigje pozitive, njofton Deutche Welle. Ky takim do të shfrytëzohet edhe për të prezantuar ‘Bashkësinë Politike Evropiane’, një ide kjo e promovuar nga presidenti francez Emmanuel Macron.

Bashkësia Politike Evropiane është një platformë e re për liderët evropianë që të takohen një apo dy herë brenda vitit për të diskutuar për çështjet kryesore.

Nuk pritet deklaratë përfundimtare

Në këtë takim është ftuar edhe presidentja e Kosovës Vjosa Osmani dhe presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq, ndonëse ky i fundit siç shkruajnë mediet në Serbi, akoma nuk e ka konfirmuar pjesëmarrjen.

Nga takimi i Pragës nuk do të ketë deklaratë përfundimtare dhe as ndonjë deklaratë të shkruar në fund të takimit. Sipas burimeve nga Brukseli, për të shmangur mospajtimet e mundshme lidhur me formulimet  për tekstin përfundimtar.

Rezultat i takimit megjithatë sipas diplomatëve në Bruksel është të ulen në një tryezë “të gjithë liderët evropianë në pozitë të barabartë në frymën e unitetit për të nxitur dialogun politik për çështjet e interesit të përbashkët”.

Forumi i Pragës shihet me rëndësi nga presidenti fracez, Emmanuel Macron, ideator i Bashkësisë Politike Evropian. Para zhvillimit të tij, Macron është shprehur, se “shpreson që forumi i Pragës të ndihmojë në përmirësimin e bashkëpunimit me partnerët e BE-së në Evropën” duke iu referuar Ukrainës, e cila më herët gjatë këtij viti mori statusin e vendit kandidat. Macron por edhe kancelari gjerman, Olaf Scholz, i cili ka mbështetur ‘Bashkësinë Politike Evropiane’, kanë thënë se “ky forum nuk duhet të jetë alternativë e zgjerimit të BE-së”.

Praga do të jetë edhe mikriptëse e një samiti joformal të Bashkimit Evropian që mbahet me datën 07 tetor, ku liderët nga 27 shtetet anëtare do të bisedojnë për sanksionet e Rusisë dhe për krizën energjetike, me të cilën në këtë dimër pritet të përballet Evropa.

Në takimin e Pragës, asnjë lider evropian nuk përfaqësohet me ministrat e vet, me përjashtim të presidentit të Ukrainës Volodymyr Zelensky, i cili do t’u adresohet të pranishmëve përmes video-lidhjes për shkak të situatës së sigurisë në shtetin e tij. Në vend të tij, në Pragë do të jetë kryeministri ukrainas, Denys Shmyhal.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here