Dr. Ndriçim Mehmeti
Në programin qeveritar të dalë menjëherë pas zgjedhjeve të qershorit 2013, qeveria e kishte shkruar e zeza në të bardhë, se matura do të ishte dalëse. Shumë më herët se shpallja e këtij program, eksponentë të njohur të opozitës, apo siç vetëquheshin ministrat në hije dhe këshilltarët pa dije, e kishin sulmuar maturën “si e keqja më e madhe”, “procesi më i korruptuar”, “proces që prodhojnë shitje tezash”, etj. Mirëpo në gati tre vjet të qeverisjes, nuk shtuan, nuk hoqën, nuk ndryshuan qoftë edhe nenet e udhëzimeve dhe të Maturës Shtetërore, të procesit që aq shumë e kritikuan.
Përse nuk u ndryshua Matura, ndërsa tani kërkon të zhvlerësohet?
Shumëkush mund të thotë në emër të zbatimit të ligjit, të tjerë në emër të zbatimit të programit qeveritar, ndërsa janë jo të paktë, ata që e shikojnë si një heqje barre nga MAS, barrë të cilën nuk e mbante dot. Është e vërtetë që ligji i ri i arsimit të lartë parashikon një tjetër procedurë përzgjedhje të studentëve. Në piramidën e procesit qëndron Qeveria e cila, vendos notën mesatare që maturantë të aplikojnë për një program studimi. Pastaj është universiteti që shpall kriteret, ja dërgon këto Qendrës së Shërbimeve Arsimore (QShA) dhe kjo e fundit rendit studentët sipas programeve të studimit, si për Institucionet e Arsimit të Lartë Publik, ashtu edhe atij privat. Në këtë moment, ndërsa flitet me zë të ulët, nga frika e mungesës së argumentit, për ndryshimet në Maturën Shtetërore, nuk është ngritur ende QShA, askush nuk di funksionet e saj dhe cili do të jetë fati i Agjencisë Kombëtare të Provimeve, e cila, ka së paku 12 vjet që funksionon. Përse u ndryshua Matura? Për më shumë transparencë? Jo transparenca do të jetë sërish e munguar. Kush do të përligj dhe me cilin argument, se qeveria, vendos një mesatare note në mënyrë transparente? Në cilin vend të Evropës, e ndoshta edhe më gjerë, ekziston ky model? Ku ndodh që një kabinet me 1/4 pa arsim përkatës, vendosin kriteret për të rinjtë sesi duhet të studiojnë? Mos vallë bëhet Natyra për më shumë cilësi? Absolutisht jo. Me dru, kërcënim, lidhje fare fisnore, miqësi, ndërhyrje, para, shantazh, korrupsion moral dhe monetar do të arrihet patjetër mesatarja, për të shkuar në shkollë të lartë se s’bën. Cilësia në mësimdhënie, do të vdes, për të mos u ringjallur për shumë vite. Nota më e ulët e vlerësimit në arsimin e mesëm të lartë, do të jetë ajo që do të vendosi kryeministri. Katra dhe pesa, nuk do të shkruhen nga defterët e shkollës. Nxënësit do të shkojnë të lumtur se nuk do të ngelen, por do të jenë “në një konkurrencë”, të ashpër se kush do të kaloj njëri tjetrin me sa më shumë nota të mira. Mësuesit do të jenë pre e dhunës së shumanshme: Nxënësi, prindi, drejtuesit e shkolis, të arsimit vendor, të shefave në ministri e me radhë. Disa syresh, që janë mësuar me ryshfetin, kanë një mundësi të paparë për t’u bërë super të pasur në llojin e tyre. Megjithatë, askujt nuk i duhet për pasojat. I rëndësishëm, është plotësimi i programit të rilindjes.
Heqja e Maturës, me pretekstin se “kështu donin Universitetet”.
Gjatë debatit për ligjin e ri të arsimit të lartë, shumë pak u diskutua për pasojat që do të linte në arsimin parauniversitar. Ndërkaq që MAS e kishte të qartë, zullumin dhe fërkoi duart, kur mediat u përqendruan, tek tarifat, liria akademike, mënyra e zgjedhjes së profesorëve etj. Nuk kaloi shumë kohë dhe në fillim të këtij vitit shkollor, MAS nuk nxori asnjë udhëzim or Maturën. Vetëm 3 muaj e pak nga privimi i parë i Maturës, Ministria e Arsimit, kujtohet për Maturën dhe tinëz u kërkon universiteteve të shprehen. Vetë nxori një udhëzim, të njëjtë me atë të 10 viteve më parë dhe kaq. Po pse MAS, ja kaloi topin universiteteve? Sepse nuk ka as kapacitetin e as këllqe për të menaxhuar një proces, që thuasje në të gjitha vendet e zhvilluara është specifikisht detyrë e një ministrie arsimi. Për më tepër, nuk ka as dëshirë, që të merret me këtë proces. Specialistët që janë marrë tërë jetën me vlerësimin nuk dëgjohen, ata që kanë për detyrë të hartojnë këto politika, ende nuk e dinë se cila është detyra e tyre dhe këshilltarët rreth ministres e gënjejnë nga mëngjesi deri në darkë, duke menduar më shumë për xhepat e tyre. MAS e ka më të lehtë të thotë “e deshën universitetet, ne nuk jua prishëm dëshirën dhe rritëm në këtë mënyrë autonominë e tyre”. Por universitetet me shumë zgjuarsi ju kundërpërgjigjën, duke lënë në dorë të mesataren dhe rezultatet e provimit të Maturës. Pesha, përgjegjësia i takon sërish ministrisë së arsimit dhe shkollës. Për ta lehtësuar barrën, është gjetur një zgjidhje origjinale: Bëjmë një plan të ri mësimor. Heqin nga një orë Histori, një orë Edukimi për Karrierën, një orë Shkenca Toke, grumbullojmë në një lëndë të quajtur Shkenca Shoqërore Sociologjinë, Psikologjinë, Filozofinë dhe rrisim padyshim orët e Edukimit Fizik. Klasën e 12 e bëjmë me pesë lëndë dhe lehtësojmë punën e maturantëve. Kush nuk do të ishte i kënaqur me këtë zgjedhje, gjithkush. Kjo “reformë” e tipit konstruktivist, “që do t’i takoj gjeneratës tjetër” e “konsultuar” me Djuin, Gardnerin dhe filozofin-këshilltar të arsimit parauniversitar, do të mirëpritet nga gjithë populli. Populli do t’i thotë aferim ministrisë së arsimit, që në prag të përfundimit të mandatit të parë, do të na i çoj djemtë e vajzat që të gjithë në shkollë të lartë.
Kthimi i Ministrisë së Arsimit në një OJF
Ministria e Arsimit, ky emër i madh, në titull, praktikisht ka mbetur pa nxënës, pa mësues, pa kompetencë mbi trajnimet e mësuesve, pa lek për nxënësit dhe studentët ekselent, përveç teserave pa kufij, pa ndërtim shkollash të reja, kopshtesh, çerdhesh, kampuse universitare. Ministria nuk i ka më kopshtet se i mori pushteti vendor, ministria nuk e ka më arsimin profesional, se ja mori Ministria e Mirëqenies, nuk e ka më sportin, se nuk ka ndonjë zhvillim sportiv të hatashëm veç analizave të sportistëve për përdorim substancash të ndaluar që dalin pozitive dhe shkuarjes së ekipit kombëtar në Francë, me futbollistë që luajnë jashtë vendit. Ministria nuk ka as mësues, të cilët, i ka lënë në dorë të portalit dhe zyrave të partisë. Ministria e Arsimit, nuk ka shtuar asnjë laborator të ri, mjete didaktike, etj. E vetmja gjë e shtuar janë propaganda, tejet bajate e pa rafinuar aspak bindëse dhe shumë konfuze. Nuk më zyrtarë që marrin përsipër të flasin për punën e tyre, por këtë e bëjnë vetëm drejtuesit e institucionit. Duke mos njohur fare faktet dhe sektorin e arsimit, flasin kuturu, me arrogancë, pas asnjë argument dhe kënaqen nga prezantimi që i kanë bërë vetes në televizion. Zyrtarë të lartë përshi edhe vetë ministren ankohen se jua kanë hedhur botuesit, trajnuesit privat, paraardhësit, etj. Me një fjalë i kanë bërë leshko dhe e kanë marrë vesh vonë. Por ama MAS, kujdeset për të bërë qoka, duke ndërhyrë edhe në detajet më të imta të shkollës, kur ndonjë miku, shoku, përfaqësues të partisë i është prekur sedra e fëmijës, gruas, dashnorit/dashnores, sipas rastit. Por zëra shumë të besueshëm, thonë këta leshkot në dukje, i ka vajtur mbarë procesi më i suksesshëm i “Rilindjes”: Tenderat. Fondet personale janë rritur shumë dhe priten të rriten në vazhdim. Me shumë gjasa Ministria e Arsimit dhe Sportit, do të ketë një bilanc shumë pozitiv të xhepave të drejtuesve të saj, në përfundim të mandatit qeveritar. Disa kanë siguruar dhe do të sigurojnë pleqëri të bardhë, të tjerët një të ardhme të ndritur në politikë, se i kanë xhepat plot, të tjerët mund të zgjerojnë biznesin dhe të pastrojnë paratë e ftuara fëlliqësisht. Po nxënësit, prindërit,, shoqëria, çfarë do të kenë? Atë që meritojnë. Heshtjen, mospërfilljen, katrahurën, me tekstet dhe shtrenjtimin e kostos së arsimimit të fëmijëve të tyre. Sipas kokës edhe festen. Kaq meritojmë të marrim nëse nuk jemi aktiv për të drejtat tona në demokraci dhe kaq do të marrim. Nëse njerëzit nuk dalin të protestojnë edhe për të drejtën themelore, të njohur në botë tani e qindra vjet, atëherë meritojmë të na tallin sa herë të duan ata që na drejtojnë. Unë me gjithë zemër uroj që për sa kohë, është kjo gjendje, Ministria e Arsimit ta shfrytëzojë më së miri, për t’u tallu re bërë kashirllik gjithkujt. Kur të ikin mos të kërkojnë falje por të thinj një gjë të sinqertë : “Kështu e donit, kështu u sollëm”.