Zbulohet vendimi që nxori nga qelia vrasësin e 3 grave, Dan Hutra u lirua 14 ditë më parë

0
253

Edhe pse me precedent të theksuar kriminal si vrasës i ish të fejuarës së tij në vitin 2007, i denoncuar disa herë për dhunë në familje dhe i burgosur për disa muaj, Dan Hutra sërish e sfidoi drejtësinë shqiptare dhe kreu një nga masakrat më të rënda në vend.

40-vjeçari është autor i vrasjes së tre grave në Kamëz brenda pak minutash dhe i plagosjes së tre të tjerave.

Dan Hutra shkoi në mesditë në shtëpinë e ish-bashkëjetueses dhe ka hapur zjarr me kallashnikov. Për pasojë: Elena Hysa, 35 vjeçe, ish-bashkëjetuesja u plagos, Kujtime Hysa, 60 vjeçe, nëna e ish-bashkëjetueses, u plagos, ndërsa ndërruan jetë Mevlute Hysa, 30 vjeçe, motra e ish-bashkëjetueses së tij dhe Hasime Dafku, 30 vjeçe, e fejuara e vëllait të ish-bashkëjetueses.

Më herët ai kishte plagosur me thikë ish-bashkëjetuesen e tij në zonën e Astirit, Marjana Gurakuqi.

Ndërsa më pas udhëtoi drejt Kamzës ku vrau në oborrin e banesës së saj 31-vjeçaren, Etleva Kurti, për të nisur më pas sagën e vrasjeve te familja Hysa.

Dan Hutra është liruar nga burgu në 16 shkurt 2023, pra vetëm 14 ditë më parë me vendim të gjyqtarit të Gjykatës së Tiranës, Gerd Hoxha.

Në vendimin që ka siguruar portali Syri.net thuhet se shuarja e masës së sigurimit personal “arrest në burg” është bërë për shkak se koha e vuajtur në paraburgim është më e madhe se dënimi i dhënë me vendimin nr.385, dt.08.02.2023.

Prandaj edhe është urdhëruar lirimi i menjëhershëm i të pandehurit.

Dan Hutra ishte arrestuar për dhunë në familje në qershor 2022 dhe kishte përfituar nga gjykimi i shkurtuar, duke u liruar përfundimisht në 16 shkurt 2023.

Më parë, Dan Hutra ka qenë i dënuar për vrasjen e bashkëshortes së tij, Dafina Havalja ngjarje e ndodhur në vitin 2007, në Kukës.

Ai ishte dënuar me 16 vite burg me gjykim të shkurtuar, ndërkohë që nuk është e qartë se si është liruar nga qelia pa shlyer dënimin.

Po ashtu në vitin 2003 Dan Hutra ka qenë i dënuar për përdhunimin e kunatës.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here