Begaj kërkon anëtarësimin e Kosovës në NATO/ Stoltenberg: Prishtina të vazhdojë dialogun me Beogradin

0
136

Në vizitën e tij të parë në NATO, presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj kërkoi anëtarësimin e Kosovës në aleancë. Ai theksoi se kjo do të ishte përgjigja më e mirë për sigurinë në rajon e cila sipas tij është e kërcënuar nga ndërhyrjet ruse edhe përmes formave hibride. Kreu i NATO-s tha se aleanca e merr seriozisht prezencën në Kosovë ndërsa apeloi për vazhdimin e dialogut me Serbinë.

Presidenti i Republikës Bajram Begaj në vizitën e parë në Shtabin qëndror të NATOS kërkoi anëtarësimin e Kosovës në Aleancën e Atlantikut të Veriut.

“Ne jemi duke kaluar kohë të sfidave të mëdha, të cilat kërkojnë vendime të guximshme dhe të drejta. Në këtë kontekst është në bindjen time se është më se e justifikueshme për ta konsideruar anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Aleancën Euro-Atlantike,” tha ai.

Këtë apel, Begaj e adresoi në konferencën e përbashkët me sekretarin e përgjithshëm të NATOS, Jens Stoltenberg  ku evidentoi tensionet e vitit të kaluar në veri të Kosovës dhe rrezikun prezent të ndikimit të Rusisë në Ballkan.

“Rusia përbën kërcënim domethënës dhe direkt ndaj NATO-s dhe Ballkanit Perëndimor. Ajo ka rritur përpjekjet e saj influencuese duke përdorur metoda të luftës hibride, subversionit politik, financimeve të paligjshme etj. Qëllimi i saj është prishja e paqes, stabilitetit dhe bllokimin e reformave Euro-Atlantike të vendeve të rajonit,” tha ai.

Shefi i NATO-s Stoltenberg apeloi që Kosova të vazhdojë dialogun me Serbinë dhe shtoi se aleanca është prezente në terren përmes KFOR-it.

“Ne mendojmë se kjo është rruga e vetme për stabilitetin në Kosovë. Kemi një mundësi historike që mund të jetë më shumë rëndësishmë për të gjithë rajonin. Palët të tregojnë fleksibilitetit dhe gatishmëri për të gjetur një zgjidhje përfundimtare. NATO është e pranishme në Kosovë dhe ne e marrim shumë seriozisht situatën aty,” tha ai.

Sekretari i përgjithshëm vlerësoi rolin e Shqipërisë në rajon dhe evidentoi ndihmën që aleatët i dhanë vendit tonë pas sulmit kibernetik të Iranit.

Stoltenberg tha se aleanca po investon në bazën ajrore të Kuçovës që do të rrisë sigurinë ajrore.

Sa i përket luftës në ukrainë dy zyrtarët dënuan sulmin rus ndërsa shtuan se duhet të nxitet anëtarësimi i Finlandës e Suedisë.

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here