Nga viti i ardhshëm, gjysma e automjeteve që importohen në Shqipëri nuk do të mund të regjistrohen dot për të qarkulluar në territorin e vendit.
Niveli i dobët ekonomik i familjeve shqiptare bën që pjesa dërrmuese e makinave në vend të jenë të përdorura në vende të tjera të Europës si Gjermania, Italia, Zvicra dhe Belgjika. Por nëse tani lejohen të futen në vend autoveturat që përmbushin standardin mjedisor euro-4, që përkon me automjetet e prodhimit 2005 e lartë, në fund të vitit do të shtohet një tjetër rregull i ri për importet.
Nga 1 janari 2024, automjeti i përdorur që regjistrohet në vend nuk duhet të jetë më shumë se 15 vite i vjetër, pra nga 2009-ta ose më të reja. Ky rregull nënkupton që në 2025-ën, nuk do të lejohen makina më të vjetra se viti 2010 e në vazhdim.
Por kjo do të thotë se gjysma e makinave që hyjnë në Shqipëri aktualisht, efektivisht do të ndalohen. Të dhënat e Drejtorisë së Përgjithshme të Transportit Rrugor tregojnë se vitin e kaluar 52.3% e mjeteve të reja të regjistruara kishin një vit prodhimi midis 2005-ës dhe 2009-ës. Ndërsa 5.4% ishin edhe më të vjetra.
I njëjti trend vazhdon edhe në muajt e parë të këtij viti, ku gjysma e importeve janë më të vjetra se viti 2010.
Futja në fuqi e rregullit për importet e automjeteve të vjetra do të shtrenjtojë ndjeshëm koston për blerjen e një automjeti nga shqiptarët. Ndërsa makinat më të vjetra në tregun e brendshëm, pritet të kenë një tjetër rritje çmimi, pas atij që u diktua pas pandemisë, për shkak të prodhimit të ulët të makinave në Europë.
Kjo masë ndërmerret në përpjekje për të ulur ndotjen në vend, si dhe për të garantuar një siguri më të madhe të flotës së automjeteve.