Yuri Kim fillon fushatën kundër opozitës

0
225

Ambasadorja amerikane Yuri Kim nuk e ka prishur traditën e saj për të ndërhyrë në fushatat elektorale. Ajo ka dhënë një intervistë për Zërin e Amerikës duke bërë thirrje që non gratat nuk duhet të përzihen me zgjedhjet. Ndonëse pyetja që ngjante si e rakorduar paraprakisht, nuk iu bë vetëm për Berishën por edhe për personat e tjerë të damkosur nga SHBA-ja, diplomatja amerikane u kujdes që mesazhi të ishte i qartë kundër liderit të PD-së.

Ajo tha se kur ata “që janë përcaktuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për korrupsion domethënës, pretendojnë që do të largojnë korrupsionin, është njësoj si zjarrvënësi i fshatit që premton se do shuajë të gjitha zjarret”. Publiku i njeh me emra të gjithë politikanët e shpallur non grata që janë përfshirë në fushatën e zgjedhjeve lokale. Ata janë të rreshtuar të tërë përkrah rilindjes dhe Ramës, dhe asnjëri prej tyre nuk pretendon të largojë korrupsionin. I vetmi që pretendon se do ta bëjë këtë është Berisha.

Ndonëse nuk e përmendi me emër, ambasadorja e bëri të qartë se kjo ishte një deklaratë kundër tij. Ajo shtoi: “Në mendimin objektiv dhe të mirëmenduar të Sheteteve të Bashkuara të Amerikës, personat të cilët janë të përcaktuar, nuk duhet të jenë përfaqësues të popullit shqiptar”. Pra mesazhi është i qartë, ambasadorja nuk është dakord me ata që votojnë zgjedhësit. Natyrisht znj. Kim bëri disa vërejtje për përdorimin e administratës në fushatë elektorale, për blerjen e votës, por ajo në thelb bëri lojën që bëjnë të gjithë kripto mbështetësit e Ramës që në pamundësi për të lëvduar kryeministrin demonizojnë rivalët e tij.

Kjo nuk është hera e parë që ambasadorja e SHBA-së ndërhyn në një garë politike kombëtare apo brenda partiake duke shkelur rëndshëm kovientën e Vienës.

Në nëntor të vitit 2021, gruaja që ka hyrë në historinë e këtij vendi si ajo që e kërcënoi gjysmën e elektoratit me ngrënie bari, ndërhyri në mënyrë flagrante në betejën mes dy PD-ve. Sapo Sali Berisha konfirmoi që është shumicë brenda PD-së duke depozituar 4200 nënshkrime për mbledhjen e Kuvendit Kombëtar të demokratëve, Kim dha një intervistë në Top Channel duke deklaruar: “Ne njohim për kryetar Lulzim Bashën dhe … nuk do kemi marrëdhënie me PD-në nëse fiton Berisha”. Më vonë ajo këmbënguli: “ne nuk i japim dorën Sali Berishës dhe as shkelim në zyrën e tij po u zgjodh në krye të PD-së”.

Sikur kjo të mos mjaftonte, para Kuvendit të 11 dhjetorit ajo pozoi në mediat sociale me një foto plot nëntekst. Ajo u shfaq në llogarinë e saj me romanin e Heminguejit: “Për kë bien këmbanat”, të cilën mediat pro Ramës e interpretuan me kuptimin e saj të vërtetë.

Kjo përzierie në punët e një partie u shtri më pas edhe në prag të zgjedhjeve të pjesshme lokale të 6 marsit 2022.

Kim i pyeti publikisht kandidatët e Shtëpisë së Lirisë se si mund të marrin pjesë në një fushatë, kur sponsorizohen nga Berisha, të cilin Shtetet e Bashkuara i kanë ndaluar hyrjen në vendin e tyre, pasi e akuzojnë për korrupsion dhe minim të demokracisë.

“Pyetje për kandidatët: Nëse sponsorizuesi kryesor i juaj është dikush i shpallur “non grata” për korrupsion domethënës, çfarë po u premtoni votuesve saktësisht? Kush do të jenë pronarët tuaj nëse fitoni dhe çfarë detyrimi do të keni kundrejt tyre?

Çfarë duhet të presin shqiptarët? Çfarë duhet të presin Shtetet e Bashkuara?”, shkroi Kim në Tëitter.

Natyrisht një pjesë e mirë e votuesve të opozitës, nuk pyetën as në betejën brenda partisë as në atë për bashkitë, për thirrjet e diplomates që ende nuk ishte kuruar nga ekzaltimi i fitores të tretë historike të Edi Ramës. Por, as frika se me ato që thotë provokon efektin e kundërt nuk e ka zbrapsur ambasadoren ti bjerë në të njëjtën vrimë. Edhe tani në prag të fushatës së re lokale, ajo nuk ka ngruruar të afishohet hapur kundër atij grupimi që përfaqëson pjesën më të madhe opozitare të vendit.

Zëri i Amerikës: Dhe një pyetje të fundit, ju në takimet me drejtuesit e forcave politike, keni theksuar rëndësinë e kandidatëve të pastër dhe më integritet. Megjithatë, kemi vënë re se dhe persona të përcaktuar nga Departamenti i Shtetit, jo vetëm rasti i zotit Berisha, përfshihen hapur në zgjedhje, ndoshta tanimë jo duke kandiduar personalisht, por duke u angazhuar në fushata elektorale, ose duke mbështetur familjarë apo të afërm të tyre që kandidojnë. A jeni e shqetësuar për këtë?

Yuri Kim, Ambasadore e SHBA: Është një gjë e gabuar. Është e gabuar. Në mendimin objektiv dhe të mirëmenduar të Sheteteve të Bashkuara të Amerikës, personat të cilët janë të përcaktuar, nuk duhet të jenë përfaqësues të popullit shqiptar. Populli shqiptar meriton më mirë dhe kërkon më mirë. Me këtë ka të bëjë demokracia, me këtë ka të bëjë edhe reforma në drejtësi. Dhe mendoj se kur ke njerëz të përcaktuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për korrupsion domethënës, kur këta individë pretendojnë që do të largojnë korrupsionin, është njësoj si zjarrvënësi i fshatit që premton se do shuajë të gjitha zjarret; madje jo vetëm kaq, por kërkon edhe të gjitha shkrepset që mund të gjejë nga të gjithë fshatarët e tjerë. Është thjesht e gabuar, e gabuar. Dhe mendoj se qytetarët e zakonshëm shqiptarë janë të zgjuar dhe e dinë se kjo nuk ka logjikë. Mendoj se qytetarët shqiptarë meritojnë më mirë dhe më shumë se aq; Shtetet e Bashkuara të Amerikës besojnë se Shqipëria meriton dhe duhet të jetë më mirë.

Lapsi.al

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here