Një grup deputetësh të PD kanë vizituar sot familjen e Benard Ndrecës në Vaun e Dejës, të kryetarit të PD të cilit iu vendos eksploziv në makinë. Deputeti Flamur Noka e cilësoi ngjarjen si terrorizëm politik të pushtetit, tentativë mafioze për të likuiduar kryetarin e degës së PD dhe e konsideroi kryeministrin Edi Rama si përgjegjës.
Noka tha se kishin ardhur të shprehin mbështetjen “e deputetëve të PD, të opozitës, për aktin terrorist që u realizua kundrejt djalit të kësaj familje. Është terrorizëm politik i pushtetit ndaj opozitës, – theksoi ai. – Benard Ndreca është kryetari i opozitës, kryetari i PD për Vaun e Dejës; familja njihet si një nga familjet më të shkëlqyera që nuk ka pasur kurrë asnjë problematikë. E gjitha është politike.
Tentativa për të likuiduar kryetarin e PD na kujton skenat e mafies në Siçili. Ky është shteti i Edi Ramës. Kemi pritur 24 orë që Edi Rama të reagonte, qeveria të reagonte. Ju e ndoqët që pas aktit terrorist politik, Edi Rama nuk belbëzoi asnjë fjalë. Kjo tregon se ai është përgjegjësi.”