Në Debat me Alban Alishanin, Malaj u shpreh se vendet e Europës janë bërë shumë agresive për të tërhequr fuqinë punëtore dhe për këtë arsye Shqipëria do të vuajë nga kjo përplasje e madhe për tregjet e reja të punës.
“Duhet të kemi parasysh që ka një konkurrencë shumë të madhe për fuqinë punëtore. Të gjitha vendet e Europës kanë mungesë të fuqisë punëtore dhe ju po shikoni që nga Gjermania që ka thjeshtuar procedurat me të gjitha vendet e tjera europiane dhe problemi është që emigrantët tanë nuk shkojnë në vendet fqinje. Vendet europiane janë bërë më agresive për të marrë njerëzit më të mençur përmes kartës blu çka do të thotë varfërim i kapitalit social në Shqipëri. Dy janë vendet e punës më të mëdha, kujdesi social dhe IT për shkak të kalimit në ekonominë e dijes. Ne do të vuajmë në këtë përplasje për tregjet e reja të punës. Paga është një element, por nuk është shkopi magjik për të ndalur emigracionin”, tha Malaj.