Debati i pagave, rritja që mund të kthehet në bumerang

0
157
Nga viti 2014 deri në fund të vitit 2022, pagat reale në sektorin shtetëror janë rritur rreth 20%, teksa plani i ri i qeverisë synon zgjerim me 41% për dy vitet në vijim, 2022 dhe 2023. Qeveria planifikon që, nëpërmjet rritjes së pagave për administratën publike (84 mijë punonjës) të ushtrojë presion edhe për sektorin privat, por ekspertët e tregut të punës dhe ekonomisë, si dhe bizneset, pohojnë se ky veprim do të ndikojë në rritjen e mëtejshme të çmimeve, papunësisë, frenimin e ekonomisë, rritjen e barrës fiskale, borxhit publik dhe humbjen e konkurrueshmërisë. Efektet e para nisën në sektorin fason. Eksportet po bien, lajmërohet papunësi

 

Blerina Hoxha

Ngutja e qeverisë për të aplikuar rritjen e munguar të pagave gjatë 10 viteve të fundit në administratën publike, vetëm në dy vite, rrezikon të kthehet në bumerang për të gjithë ekonominë.

Projekti i Kryeministrit Edi Rama për të çuar pagën mesatare mujore bruto në sektorin publik në 900 euro deri më 2024, nga rreth 650 euro që është aktualisht, më shumë se një ekuacion mbi kostot buxhetore rrezikon të rrisë më tej presionet mbi inflacionin, papunësinë, barrën fiskale për popullatën e gjerë, borxhin publik dhe humbjen e konkurrueshmërisë, lajmërojnë ekspertët e ekonomisë dhe të tregut të punës, në kushtet kur vlera e prodhimit mbetet e njëjtë.

Në tremujorin e fundit të vitit 2022, paga mesatare në sektorin shtetëror arriti në 74,450 lekë (636 euro), sipas të dhënave zyrtare të INSTAT. Sipas planit të qeverisë, ky tregues arrin në 900 euro në vitin 2024, me rritje 41%.

Nga viti 2014 e deri në fund të vitit 2022, pagat reale në sektorin shtetëror janë rritur rreth 20%, teksa plani i ri synon të aplikojë zgjerim me nga 20% për dy vitet në vijim 2022 dhe 2023. Qeveria planifikon që, nëpërmjet pagave të administratës publike (84 mijë punonjës) të ushtrojë presion edhe për sektorin privat.

“Me rritjen që ne kemi bërë, paga mesatare në sektorin publik do të shkojë në 900 euro. Kjo është një arritje shumë e madhe, por duhet të shoqërohet edhe nga ecja me të njëjtin ritëm të kompanive private”, – tha kryeministri Edi Rama, në një vizitë që zhvilloi në një nga fabrikat e fasonit në kryeqytet.

Në kushtet kur popullsia e vendit po pakësohet dhe po plaket nga ritmet e larta të emigracionit dhe rënia e lindjeve, rritja e pagave po vlerësohet si mjeti i vetëm dhe më i shpejtë për të shpëtuar vendin nga braktisja.

Bizneset dhe ekspertët e ekonomisë e pranojnë se ka vend për përmirësim në disa sektorë dhe kategori biznesesh të mëdha, por rritja me ritme të larta në një periudhë të shkurtër do të jetë e papërballueshme për disa kategori dhe sidomos bizneset e vogla.

Erald Pashaj, ekspert i burimeve njerëzore dhe administrator në “EP & partners consultancy”, thotë se biznesi i madh ka hapësirë për rritje page në nivel të pagës me vendet e tjera të Ballkanit, nëse shohim që madhësia e investimeve të biznesit të madh në ndërtesa, infrastrukturë, makineri dhe pajisje, mjete transporti është me ritmet e rajonit, ndërsa pagat jo.

Z.Pashaj shpjegon se tregu prej 2 vjetësh është nën presionin e rritjes së pagave nga presioni i mungesës së forcës së punës dhe biznesi i madh po e gjen hapësirën e munguar.

Ndërsa biznesi i mesëm natyrisht do ta ketë shumë vështirë për të qenë konkurrues dhe të tërheqë punonjës. Bizneset e mesme të konsoliduara do t’ia dalin, ndërsa të tjerat do ta kenë shumë vështirë të rriten më tej, tha ai.

Rritja e fortë e pagave të administratës publike, e përqendruar në dy vjet, në një kohë që në dhjetë vjet nuk ka pasur as indeksim, do të zhbalancojë disa tregues të rëndësishëm, të tillë si inflacioni, shtimi i barrës fiskale dhe reduktimi i shërbimeve publike, tha Sherefedin Shehu, ish-zv.ministër i Financave, tani konsulent i pavarur.

Rritjet e sforcuara të pagave për të rritur kërkesën në treg, kur fuqia prodhuese e ekonomisë dhe produktiviteti nuk i përgjigjen këtij ritmi do të çojë në mënyrë të pashmangshme në përshpejtim të inflacionit, thotë Elvin Meka, dekan i Fakultetit të Ekonomisë, Biznesit dhe Zhvillimit në Universitetin Europian të Tiranës.

Sipas tij, rritja reale e pagave sigurohet me një zgjerim i ekonomisë mbi 5-6% dhe kur produktiviteti i saj përmirësohet qëndrueshëm.

 

Burimi: INSTAT

 

Rritja e pagave jep sinjalet e para negative në fason

Pas një rritje sistematike në vitet e fundit, eksportet e sektorit fason në sasi shënuan rënie vjetore me 3.4% në dymujorin e parë të këtij viti. Kriza ekonomike pas luftës në Ukrainë po ul fuqinë blerëse në Europë, ndërsa së fundmi, India është bërë tërheqëse për industrinë europiane të modës.

Eva Laro, e cila drejton një nga fabrikat më të mëdha të prodhimit të këpucëve me destinacion Gjermaninë dhe Britaninë e Madhe, tha se këtë vit humbi një nga klientët më të mëdhenj gjerman. Ajo tha se rinegocioi disa herë çmimin, ndërsa klientët kanë nisur të braktisin Shqipërinë.

Në fabrikat e fasonit, shumica e të punësuarve paguhen në nivelin minimal dhe pagat përbëjnë koston kryesore të aktivitetit.

Me vendimin e fundit të qeverisë, paga minimale aktualisht është 40 mijë lekë nga 30 mijë lekë që ishte në tremujorin e parë të vitit 2022. Rritja me tre herë e pagës minimale brenda një viti, me rreth 25%, ka qenë e pamundur të negociohet me klientët, pohojnë eksportuesit.

Rritja e pagave minimale dhe humbjet që po vijnë nga nënçmimi i euros në këmbim me Lekun do të ndihet në rënien e eksporteve dhe më pas në rritjen e papunësisë.

“Mendoj që kjo rritje kaq e shpejtë dhe e shpeshtë, sigurisht që do të krijojë trazira dhe vështirësi. Efektet do të shihen fillimisht në eksporte dhe më tej në papunësi”, thotë Eva Laro, nga fabrika “ProDyn”.

Ajo pohon se përpjekjet për të kaluar në një shkallë më të lartë të produktivitetit kërkojnë kohë dhe nuk mund të përballojnë presionin e shpejtë.

Për t’iu përshtatur situatës, zonja Laro, e cila sapo kishte realizuar ciklin e mbyllur të prodhimit për nivelin e mesëm të tregut, tani po eksperimenton të riktheje një pjesë të prodhimit si fason të mirëfilltë për markat e nivelit të lartë. “ProDyn” po prodhon disa sasi të vogla për “Prada” dhe një markë tjetër të nivelit të lartë.

Mirëpo ky prodhim, në këtë nivel, rikthen prodhimin në fason tipik, pasi markat kërkojnë vetëm disa procese pune dhe sjellin pothuajse të gatshme të gjithë lëndën e parë.

Znj. Laro komenton gjithashtu se “forca e punës në fabrikat tona nuk është e përgatitur për të prodhuar për markat, pasi në shumicën e rasteve, këpucët ‘Made in Albania’ synojnë tregun mesatar ose poshtë tij”.

 

Burimi: INSTAT

 

Mikrondërmarrjet nuk i përballojnë pagat më të larta, kontribuojnë në 37% të punësimit

Ekspertët e tregut të punës shpjegojnë se rritja e pagave mund të shfrytëzohet si mjet për stimulimin e punonjësve nga bizneset e mëdha, por bizneset e vogla nuk kanë shumë hapësira. Erald Pashaj thotë se biznesi i vogël tashmë do të bëhet edhe më i vogël.

Natyrisht, biznesi i vogël shërben si portë hyrëse në tregun e punës për një pjesë të popullsisë, por nuk e mban dot gjatë punonjësin.

“Hapësira e tyre është vetëm për atë pjesë të forcës së punës që mbetet nga dy kategoritë e mësipërme, por edhe forca të pakualifikuara, familjare, etj., që do të jenë ende të pranishme të biznesin e vogël, por paga më larta ata nuk mund t’i përballojnë”, tha ai.

Të dhënat zyrtare të INSTAT tregojnë se në fund të vitit 2021 kishte gjithsej 104 mijë ndërmarrje, prej të cilave 97 mijë ishin mikrondërmarrje (me deri në 10 të punësuar). Kjo kategori e biznesit kontribuon në 37% të punësimit, 22% të shitjeve neto dhe 23% të PBB-së.

Rritja e kostove nga pagat në këtë kategori është e papërballueshme sipas ekspertëve. Ata këshillojnë se, biznesi i vogël dhe i mesëm duhet të nisë të ofrojë përfitime të tjera si më pak orë pune, më shumë elasticitet në orare, cilësi pune më të thjeshtë, mundësi për të mësuar, etj.

MONITOR

 

Burimi: INSTAT

 

Rritja e pagave pa produktivitet bëhet e dëmshme

Profesori i ekonomisë, Elvin Meka, thotë se ekonomia duhet të zgjerohet mesatarisht me 6%, që rritja e pagave të jetë reale.

Nëse ajo nuk shoqërohet me përmirësim të prodhimit e të fitimeve, ato bëhen shkak për frenimin e rritjes së biznesit, i cili nuk ka mundësi të investojnë më tej në shtimin e prodhimit dhe punësimit.

Banka e Shqipërisë sinjalizoi se kohët e fundit, produktiviteti në ekonomi nuk po rritet me të njëjtat ritme si pagat.

Paga mesatare në sektorin privat ka vazhduar të zgjerohet me ritme dyshifrore në tremujorin e fundit të vitit. Nga ana tjetër, ritmi i rritjes së pagës reale u ngadalësua në 4.6% në vitin 2022, si pasojë e përshpejtimit të inflacionit në këtë periudhë.

Banka e Shqipërisë referoi se kostot e punës për njësi nisën tendencën zgjeruese, duke filluar nga tremujori i dytë i vitit 2022, pas një ecurie tkurrëse që zgjaste prej fillimit të vitit të kaluar.

“Kjo lidhet si me rritjen e fortë të pagave, ashtu edhe me përmirësimin më të ngadaltë të produktivitetit të punës.

Prirja ka ardhur nga rigjallërimi më i shpejtë i punësimit kundrejt zgjerimit të vlerës së shtuar bruto në sektorin jobujqësor të ekonomisë”, njoftoi Banka.

Presionet për rritje edhe me 40% të pagës mesatare në dy vitet në vijim do të përkeqësojnë më tej kostot e punës, teksa përvoja në Shqipëri ka treguar se kjo tendencë nuk është ndjekur nga rritja e prodhimit.

Që të ndodhë kjo, cikli i prodhimit në ekonomi duhet të zhvendoset nga shfrytëzimi i krahut të lirë të punës në procese që udhëhiqen nga teknologjia dhe zinxhirët e lartë të vlerës.

 

Burimi: INSTAT

 

Presionet mund të nxisin rritjen e çmimeve dhe shtimin e barrës fiskale

Presionet për rritjen e pagave, pa përmirësuar produktivitetin, rrezikojnë të shtrenjtojnë çmimet dhe kjo do të cenojë shtresat e cenuara, të tilla si pensionistët dhe ata që kanë paga nën 55 mijë lekë, thotë Selami Xhepa, president i Universitetit Europian të Tiranës.

Sipas tij, me gjasë, rritja e pagave në sektorin shtetëror do të ndikojë në uljen e mëtejshme të produktivitetit, pasi dekurajon punën në sektorin privat me paga më të ulëta.

Profesor Elvin Meka thotë se politika të tilla të sforcuara, për të shtuar kërkesën në treg, kur fuqia prodhuese e ekonomisë dhe produktiviteti nuk i përgjigjen kësaj tendence, do të çojë pashmangshmërisht në zgjerim të inflacionit, madje kjo tashmë ka filluar, pasi tregtarët në treg gjithmonë i bëjnë parapritje çdo lloj rritje pagash apo pagesash në ekonomi, si rrjedhojë e funksionimit të mekanizimit të kërkesë-ofertës.

Sipas zotit Meka, ekonomia po përjetonte edhe më parë një efekt të tillë nga rritja e detyruar e pagave thuajse në të gjithë sektorët e ekonomisë, ndërkohë një premtimi i fundit i Kryeministrit duket se i ka hedhur edhe më shumë “benzinë” zjarrit, ende të pashuar të inflacionit në ekonomi.

Rritja e pagave në sektorin shtetëror rrezikon të krijojë efekte psikologjike në tregje, duke shtrenjtuar çmimet, siç ka ndodhur edhe më parë.

Çmimet e larta, të cilat do të paguhen nga popullata e gjerë, me gjasë do të sjellin më shumë të ardhura për qeverinë, por me efekte negative në pjesën e varfër të popullsisë, e cila sot përbën një të tretën e banorëve të vendit sipas të dhënave të Bankës Botërore.

Nga ana tjetër, qeveria për të gjeneruar fondet e reja për rritjen e pagave duhet të shtojë më tej barrën fiskale, ose të shkurtojë disa shpenzime të tjera publike, si shpenzimet kapitale ose operative, ose të zgjerojë borxhin publik.

Përdorimi i çdo njërit prej këtyre mjeteve rrit barrën fiskale për taksapaguesit e tjerë. Vitin që vjen, themeli i shtresës së mesme të vendit, profesionistët, do të përfshihen në Tatimin mbi të Ardhurat, gjë që e përkeqëson më tej barrën fiskale ndaj tyre.

Zoti Sherefedin Shehu analizon se burimi kryesor i rritjes së pagave aktualisht është borxhi publik. Kjo rritje e borxhit publik, në kushtet kur niveli i tij është shumë i lartë dhe kostot janë shtuar në këto dy vitet e fundit, krijon rreziqe të reja fiskale.

Me këtë rritje pagash do të shkurtohen programe të tjera më të rëndësishme buxhetore, përtej përfitimeve të administratës publike, si dhe do të shtohen ndjeshëm presionet inflacioniste, thotë z. Shehu.

Një efekt tjetër mund të jetë edhe shtimi i barrës fiskale, nëpërmjet rritjes së tatimeve ekzistuese apo vendosjes së tatimeve të reja të tipit të tatimit të jashtëzakonshëm, si tatimi mbi karburantet.

LEXONI EDHE:

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here