Mungesa e decentralizimit real sjell bashki të keqqeverisura dhe mungesë demokracie

0
92

Nga Gjergj Erebara

Nuk është sekret dhe kryeministri nuk mundohet ta fshehë. Paratë e taksapaguesve nuk janë të taksapaguesve, për të asfaltuar rrugët apo për të riparuar shkollat, për të bërë kopshte apo shërbime publike. Paratë e taksapaguesve, sipas Ramës, janë të atij vetë. Ai po të dojë, të bën ndonjë shërbim me një pjesë të tyre, po të dojë, nuk të bën. Duke folur në Kamëz, një bashki që ai e ka qeverisur përgjatë katër viteve të fundit pas zgjedhjeve pa garë të vitit 2019, ai tha: “Kush do fusë gomarin me veshë të gjata në bashki, ta harrojë qeverinë. Ta harrojë mbështetjen nga qeveria. Ne nuk mundet kurrë të na vënë përpara faktit të kryer me demek në emër të votës dhe të na detyrojnë të bashkëpunojnë me individë të shpallur “non grata” jo nga unë, me individë të shpallur “non grata” jo nga Mali i Zi, as nga Maqedonia, por nga SHBA.”

Fjalia në fjalë është një tregues i të gjithë të këqijave të vendit dhe mbrapshtësisë së politikës që, në fakt, e mban vendin prapa.

Paratë e taksapaguesve janë pronë e taksapaguesve dhe jo e Ramës. Nëse banorët e Kamzës duan që t’ia ngarkojnë një opozitari menaxhimin e këtyre fondeve, nuk i takon Ramës t’u mohojë atyre aksesin e taksat e tyre.

Deklarata e Ramës nuk është një fenomen i ri në politikën shqiptare. Ky ka qenë realiteti i hidhur i pushtetit vendor që kur vendi ka pasur zgjedhje shumëpartiake. Për shembull, në vitet 2007-2013, shumë qytete të mëdha të Shqipërisë, të tilla si Fieri, Berati, Elbasani apo Vlora, zgjodhën kryebashkiakë socialistë. Shumica e tyre kishin një ekonomi të mjerë dhe taksa vendore pothuajse inekzistente dhe në mungesë të aksesit në buxhetin e qeverisë qendrore.

Shërbimet publike në këto qytete shkuan keq e më keq, furnizimi me ujë u bë ëndërr.

Kryebashkiaku, duke qenë se paratë janë te xhepi i kryeministrit, nuk mendon shumë se si t’i shërbejë qytetarit më shumë se sa si t’i shërbejë kryeministrit. Dhe natyrisht që kryeministri nuk ka kohë të merret me të gjitha kanalet e bllokuara nëpër Shqipëri, për furnizim me ujë apo për heqje ujërash të tepërta, por ka interes të veçantë të shohë se sa vota ka mbledhur kryebashkiaku në zgjedhje parlamentare, ku metodat e mbledhjes së votave nuk janë tamam kushtetuese.

Në vendet normale, qeveria qendrore ka disa funksione bazë, fjala vjen, mbrojtja, sistemi shëndetësor, energjia elektrike, hekurudhat apo autostradat, duke ia lënë një pjesë të funksioneve (dhe të buxhetit përkatës), pushtetit vendor. P.sh., në Kosovë, komunat, të cilat janë ekuivalenti i Bashkisë në Shqipëri, kanë rreth 30% të buxhetit të konsoliduar të shtetit, me të cilat, kanë për detyrë të mirëmbajnë rrugët urbane, lokale dhe rajonale, dhe të bëjnë shërbimet e tjera: furnizimi me ujë, heqja e ujërave të ndotura, heqja e mbeturinave, mirëmbajtja e parqeve, planet urbanistike.

Në Shqipëri nuk është kështu. Një proces i gënjeshtërt decentralizimi është kryer gjatë viteve të fundit, në të cilin, teorikisht qeveria ka transferuar funksione dhe fonde, por kjo është vetëm një lojë fjalësh. Në thelb, nëse një bashki dëshiron të bëjë një shesh, asaj i duhet të lypë te kryeministri. Edhe për një tub haleje duhet të shkohet te kryeministri i radhës, ndërsa Rama i ka dhënë të drejtë vetes që të japë leje ndërtimi për çdo ndërtesë mbi 250 metra katrore.

Problemi është edhe zhvillimor. Në mungesë të buxheteve vjetore të lira nga vullneti politik i kryeministrit, qarkullimi ekonomik normal zhduket. Paratë përqendrohen në Tiranë. Korrupsioni më i madh bëhet në Tiranë. Në bashkitë e tjera nuk ka investime publike ose ato janë në varësi të humorit të kryeministrit. Mungesa e investimeve sjell mungesë aktiviteti ekonomik normal. Njerëzit ikin nga bashkitë pa investime, kapacitetet njerëzore degradojnë. Efekti multiplikativ i investimeve publike në ekonomi, mungon. Vendi deformohet duke u zhvilluar vetëm aty ku ka para, pra në Tiranë.

Problemi nuk është vetëm te fakti që decentralizimi i buxhetit realisht mungon. Mungesa e këtij decentralizimi cënon rëndë demokracinë. Nuk është e vështirë të vihet re lidhja mes mungesës së buxheteve reale bashkiake dhe zhvillimit të lidhjeve krim-politikë në shumë bashki të rëndësishme si Elbasani apo Durrësi, për të cilat, Partia Socialiste është tashmë me famë ndërkombëtare.

Në mungesë të buxheteve reale, bashkitë janë për kryeministrin asgjë më shumë se sa gurë shahu për skemat për zgjedhjet parlamentare. Dhe në vend që në zgjedhjet e, fjala vjen, Kavajës, të diskutohet se çfarë do të bëhet me furnizimin me ujë apo me ndërtimin e ndonjë rruge rurale në morinë e fshatrave që mbeten në vitin 2023 në epokën e mushkës dhe gomarit, për shkak se paratë janë te xhepi i Ramës, diskutohet Rama dhe Meta dhe Berisha, dhe Berisha dhe Meta dhe Rama, dhe Meta dhe Rama dhe Berisha në një lojë kungulleshkash që sheh gjithmonë pas dhe asnjëherë përpara./ BIRN

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here