Prap ceremoni në rrugën e Arbërit/ Sa premtime ka shkelur Rama në Dibër

0
244

Minimalisht duam deri nga fundi i vjeshtës së këtij viti, se gjeologjia është e tillë. Ecim 1 metër e gjysëm në ditë. Mos japim më afate se…” kreu i ARRSH-së, Evis Berberi e la përgjysëm fjalinë kur po hamendësonte mbi përfundimin e punimeve në Rrugën e Arbërit, ndërsa ecte përkrah kryeministrit Rama. Bëri një fytyrë sikur donte t’i thoshte “…se ti e di vetë” dhe Rama nuk e kundërshtoi “Jo jo, mos jep më afate se aman”.

Ndërsa ecnin mbi asfaltin e saposhtruar pranuan se e kishin bërë baltë me premtimet. Nga pas i ndiqte turma e njerëzve që bërtisnin nën shi “Fitore, fitore…”. Filmimet që transmetoi ERTV janë një “déjà vu” e vizitave të tjera.

Ironike se si mbi një rrugë që s’ka përfunduar ende, janë organizuar kaq shumë ceremoni inaugurimi.

Punimet datojnë që nga qeveria “Rama 2”.

Lexo edhe: Rama e inauguroi me daulle/ Bllokohet që ditën e parë Rruga e Arbërit (VIDEO)

Lexo edhe: Skandali i Rrugës së Arbrit/ Tuneli i shembur nuk riparohet më

Lexo edhe: Rama “josh” dibranët: Nuk dal nga zyra e kryeministrit pa bërë “Rrugën e Arbërit”

Sa herë ka fushatë, udhëheqësi socialist ndalon mes fëmijëve të veshur me kostume tradicionale, që hedhin valle nën tingujt e daulleve. Inauguron copën e rrugës që i kanë bërë gati. Në rastin më të mirë është një tunel. Premton përfundimin e projektit dhe largohet.

Për fushatën e 14 Majit i erdhi radha për inaugurim tuneli i 7, pjesë e segmentit rrugor Plani i Bardhë-Qafa e Buallit. Siç e këshilloi Vis Berberi, nuk dha asnjë afat. “Durim edhe për 300m e fundit në Tunelin e Murrizit, ku ecet përditë po ngadalë deri në daljen që e mbyll përfundimisht këtë vepër të madhe infrastrukturore” shkruajti Rama në rrjetet sociale.

Lapsi.al ka bërë bashkë disa deklarata të kryeministrit Rama që kanë të bëjnë me afatet e shkelura në këtë projekt. Puna vazhdon ende në tunele, por misionin politik, rruga e ka përfunduar.

Edi Rama, 16 dhjetor 2014

“U nënshkrua memorandumi i bashkëpunimit me Chinese Exim Bank për hapjen e një kantieri projektesh në Shqipëri me financime kineze. Projekti i parë që do të çelë siparin e një epoke të re bashkëpunimi mes Shqipërise e Kinës do të jetë Rruga e Arbërit, e cila do të nise vitin e ardhshëm”

Edi Rama, 12 Nëntor 2017

“Rruga e sotme që u prezantua dhe që do fillojë nga puna na jep mundësinë që brenda një harku kohor, që është brenda këtij mandati nuk diskutohet, por që ne besojmë se do të jetë vetëm 3 vjet, ta kemi të përfunduar njëherë e mirë këtë rrugë që është një ëndërr 30 x (shumëzim) shtojeni vetë sa vjet e parealizuar, e gjithë kësaj zone”.

Edi Rama, 31 Gusht 2019

“Atë që shteti mund ta bënte për 13 vjet (sepse ka edhe shume e shumë gjëra të tjera për të bërë dhe s’’mund t’i hedhë tërë ato fonde në gjë të vetme), investimi i kapitalit privat e bën për 3 vjet, në marrëveshje me shtetin, që garanton shlyerjen e investimit”.

Edi Rama nëntor 2020

“Me këtë xhiro nëpër shtratin e hapur të Rrugës së Arbërit, që në verën e ardhshme do të jetë një ëndërr shumëvjeçare e realizuar për dibranët, e do të zbulojë për tiranasit hapësirat magjike të jastëkut të gjelbër të kryeqytetit që shtrihet deri pranë Dibrës, ju uroj një javë të mbarë”

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here