Një ditë para mbledhjes së planifikuar mes qeverisë së Shqipërisë me atë të Kosovës, kryeministri Rama lajmëroi një konferencë të jashtëzakonshme nga kryeministria. Në njoftimin për mediat nuk është specifikuar tema e konferencës por një burim nga qeveria ka rrëfyer për Lapsi.al se tensionet në godinën e kryeministrisë në Tiranë janë të larta pas ironisë me të cilën Albin Kurti përcolli propozimin për zgjidhjen e krizës në veri të Kosovës.
“Unë besoj se Rama beson që propozimi i tij është i mirë. Por nëse është kështu le t’ia propozojë atë presidentit serb Vuçiç në një nga mbledhjet e përbashkëta të Ballkanit të Hapur, që ta zbatojë për shqiptarët e Preshevës, Bujanovcit edhe Medvegjës. Pikërisht për këtë kryeministrin e Shqipërisë e detyron edhe neni 8 pika 1 e kushtetutës së Shqipërisë” ironizoi Kurti.
Kjo përgjigje duket se ka çuar në anulimin e mbledhjes së përbashkët të qeverive për ditën e nesërme që ishte planifikuar të zhvillohej në Gjakovë. Vendimi ende nuk është zyrtar, por duket se për momentin mbledhje e dy qeverive ku do të nënshkruheshin 13 marrëveshje është në fije të perit.