Rritet papunësia në vend, shkon gati 11 %. Shkalla zyrtare e papunësisë për të rinjtë 15-29 vjeç është 22.5%

0
204

Treguesit e anketës se forcave të punës të publikuara nga “Instituti i Statistikve” paraqesin rritje të normës së papunësisë në vend përgjatë tremujorit të parë të këtij viti, krahasuar me tremujorin paraardhës, pra tremujorin e katërt të vitit të kaluar me 0.1 pikë përqindje. Në tremujorin e parë 2023, shkalla zyrtare e papunësisë në Shqipëri është 10.9%. Në terma vjetorë ky tregues u ul me 0.4 pikë përqindje. Ajo që vihet re nga grafiku me të dhënat historike është fakti se shkalla zyrtare e papunësisë është rritur për të dytin tremujor radhazi. Shkalla zyrtare e papunësisë për burrat është 10.6% dhe për gratë 11.1%. Krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2022, shkalla e papunësisë është ulur me 0.4 pikë përqindje për burrat dhe është ulur me 0.6 pikë përqindje për gratë.

 

Negativ është fakti se shkalla e papunësisë për të rinjtë vijon të thellohet akoma edhe përgjatë tremujorit të parë të këtij viti si në tërma vjetore, ashtu edhe në tërma tremujorë. Shkalla zyrtare e papunësisë për të rinjtë 15-29 vjeç është 22.5%. Krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2022, shkalla e papunësisë për të rinjtë, është rritur me 1.8 pikë përqindje. Krahasuar me tremujorin e katër 2022, ky tregues është rritur me 1.0 pikë përqindje. Sa i përket grupmoshës 30-64 vjeç shkalla e papunësisë është 7.8%. Në terma vjetorë ky tregues është ulur me 1.0 pikë përqindje, ndërsa krahasuar me tremujorin e mëparshëm ka një rritje me 0.2 pikë përqindje.

 

Nga ana tjetër, nëse do të flisnim për shifrat e punësimit, “Instituti i Statistikave” sinjalizon se përgjatë tremujorit të dytë të këtij viti shkalla e punësimit për popullsinë 15-64 vjeç është 67.1%. Ritmi vjetor i ndryshimit të shkallës së punësimit gjatë kësaj periudhe për popullsinë 15 vjeç e lart është pozitiv duke u rriur kështu me 2.8 pikë përqindje.

 

Ky tregues ka pësuar rritje edhe nëse do ta krahasonim me tremujorin paraardhës, pra tremujorin e katërt të vitit 2022. Po ta analizojmë sipas grupmoshave vihet re se rritjen më të ulet e ka pësuar niveli i punësimit te moshat e reja si në terma vjetore ashtu edhe në terma tremujorësh. Nëse i referohemi të dhënave siaps gjinisë shkalla e punësimit për burrat e grupmoshës 15-64 vjeç është 73.0%, ndërsa për gratë është 61.4%. Krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2022, shkalla e punësimit është rritur për burrat me 2.2 pikë përqindje, ndërsa për gratë është rritur me 4.8 pikë përqindje.

 

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here