Pse domatja vendase po shitet sa në dimër?!

0
207

Edhe pse është kulmi i sezonit të prodhimit, një kilogram domate në stendat e tregjeve me pakicë kushton deri në 170 lekë, sa në dimër.

Madje, sipas ekspertëve të bujqësisë çmimi mund të arrijë shpejt në vlerën e 200 lekëve, për shkak të kërkesës së shtuar dhe ofertës së pakët. Të dhënat nga fermerët tregojnë se në fusha kemi një dëmtim afërsisht 40% të kësaj kulture.

Prodhimi i sivjetshëm u dëmtua ndjeshëm prej kushteve të motit. I ftohti që zgjati deri vonë, sidomos në muajt ku domates i duhen temperatura më të larta ka tkurrur ndjeshëm prodhimin e saj. Kjo është arsyeja kryesore se pse tregtarët po e shesin domaten në këtë çmim”, thotë për Gazetasi.al Selim Hoxha, një fermer i cili edhe e eskporton jashtë këtë produkt.

Sipas tij, interesi i fermerëve është që ta nxjerrin domaten për eksport sepse pikat e grumbullimit në vendin tonë e blejnë kilogramin me një çmim shumë të ulët që varion nga 40 deri në 60 lekë.

“Unë prodhimin që kam, i cili këtë vit është 20% më pak se vjet, e eksportoj në Kosovë. Së fundmi kam kontraktuar edhe për në Serbi. Kilogramin e shes me 80 lekë dhe jam shumë i kënaqur sepse kostot justifikohen dhe shitet më lartë së në tregun vendas”, vijon më tej ai për Gazetasi.al.

Pse domatja vendase po shitet sa në dimër?!

Për ekspertin e bujqësisë, Ilir Pilku, do jetë mesi i sezonit turistik ai që do ndikojë në tregtimin më shtrenjtë të domates. Duke parë ecurinë e këtij trendi dhe ndryshimeve klikmatike që sipas tij kanë sjellë një situatë të paqëndrueshme në këtë kulturë, shumë shpejt ai thekson se do të kemi edhe mungesë të domates.

“Kërkesa nga fluksi i turistëve që pritet të vijnë do të jetë shumë e lartë dhe nuk do të mund ta mbulojmë dot. Në fillim të majit, çmimi i domates arriti në vlerën 50 lekë kg, ndërsa sot jemi në 170 lekë kg, pra rritje e menjëhershme. Është e njëjta situatë si në Spanjë me ullirin dhe në Itali me kultura të tjera”, thotë ai ndërsa shton se është shumë e rëndësishme që fermerët të investojnë në sera diellore.

“Me anë të serave ata do të kenë mundësi të prodhojnë gjithë vitin. Kështu do të përshtaten jo vetëm me ndryshimet klimatike por edhe prodhimet bujqësore nuk do të rrezikohen.”

Aktualisht, fermerët që kultivojnë domate në sera arrijnë të mbjellin dhe të prodhojnë dy herë brenda një viti kalendarik. Sipas të dhënave, pavarësisht se me një sipërfaqe të vogël, Shqipëria është një prodhues i rëndësishëm i domates në rang global dhe një ndër eksportuesit kryesorë. Ndër vendet kryesore ku Shqipëria eksporton domate janë Serbia me rreth 41.2% e cila më pas i rieksporton, Italia me rreth 18%, Bullgaria me 13% dhe shtete të tjera të rajonit. Në pjesën dërrmuese, Shqipëria eksporton për subjekte të ndërmjetme që i përdorin për t’i përpunuar në formë salce.

Në 2020-n Banka Botërore theksoi në një analizë të saj se Shqipëria është në listën e 20 vendeve që kryesojnë si eksportues të domateve në botë. Për 2022-shin, të dhënat nga Ministria e Bujqësisë tregojnë se produktet më të eksportuara sipas sasisë, pas pjeprit dhe shalqinjve me 18.4%, ishin domatet me 15.5%.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here